Categories
Lajme FRI

USHT – OSBE, projekte të përbashkëta

Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik të mërkurën është bërë ndarja e certifikatave për realizim të suksesshëm të praktikës studentore të studentëve të Programit studimor Pedagogji, viti i tretë klasor, që u organizua në kuadër të projektit “Përforcimi i kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm që do të punojnë në mjedis multietnik“, i organizuar dhe financuar nga OSBE.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof.dr. Fadbi Osmani e vlerësoi lartë bashkëpunimin midis Fakultetit Filozofik dhe Sektorit për reforma në arsim pranë misionit të OSBE-së në Shkup, të cilët me disa projekte janë duke i përkrahur studentët dhe mësimdhënësit.
Ai, gjithashtu vlerësoi se përvoja e arritur gjatë realizimit të praktikës studentore në shoqatat joqeveritare, me fëmijë që kishin vështirësi në mësim, nga etnitete të ndryshme, është e një rëndësie të veçantë dhe e pamundur të fitohet në mënyra të tjera, gjë që u mundëson studentëve sa më të përgatitur të jenë në të ardhmen, kur ta ushtrojnë profesionin e mësuesit.
Emilija Simonovska-Janaçkoska, nga misioni i OSBE-së në Shkup e falënderoi Fakultetin Filozofik për gatishmërinë e ofruar për bashkëpunim, gjithashtu edhe Ambasadën e Gjermanisë e cila ofron mbështetje financiare për këtë projekt, që fillimisht filloi me një grup shumë të vogël të studentëve, e sot përfshin studentë nga i gjithë vendi dhe të gjithë fakultetet e universiteteve publike që përgatisin mësues të ardhshëm.
Ajo shprehu bindjen dhe besimin e thellë se me këtë dhe projektet tjera, që janë realizuar nga OSBE, është përmirësuar dukshëm edhe komunikimi midis vetë universiteteve duke u mundësuar kështu edhe këmbimi i përvojave në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm në mënyrë sa më efikase.
Edhe përfaqësuesja e OJQ ,,Sreqen zhivot“, Hristina Stanoeviq shprehu kënaqësinë nga angazhimi i studentëve gjatë punës së tyre me fëmijë, e cila rezultoi me përmirësimin e suksesit të këtyre nxënësve në shkollat ku e vijojnë mësimin e rregullt dhe i inkurajoi që edhe në të ardhmen të vazhdojnë me aktivitete të këtilla.
Ky është viti i katërt me radhë, që studentët e programit studimor të Pedagogjisë me sukses marrin pjesë në projektin “Përforcimi i kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm që të punojnë në mjedis multietnik“. Në fazën e parë të këtij projekti, studentët ishin pjesëmarrës në seminarin 3 ditor (05.10.2012-07.10.2012), në Ohër, ku u trajnuan temat: puna me fëmijë të grupeve të margjinalizuara, aftësi për zgjidhjen e konflikteve, aftësi për komunikim, edukatë multikulturore, njohja e shenjave të dhunës familjare, tregtia me njerëz, ndërsa në fazën e dytë ata zhvilluan punë praktike gjatë semestrit dimëror në OJQ „Aurora“ dhe „Sreqen zhivot“, me fëmijë që kanë vështirësi në përvetësimin e njohurive në lëndë të ndryshme.
Sipas memorandumit për bashkëpunim, nënshkruar nga ana e OSBE dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës, studentët që do të fitojnë certifikata për pjesëmarrje të suksesshme, puna e realizuar praktike u pranohet si praktikë pedagogjike, e cila është pjesë e obligueshme e programit studimor Pedagogji.
Krahas këtij projekti, Fakulteti Filozofik ka marrë pjesë aktive, së bashku me fakultetet pedagogjike dhe filozofike të universiteteve publike të vendit, edhe në hartimin e Doracakut “Shkathtësitë dhe përgjegjësitë sociale të arsimtarëve dhe punonjësve profesionalë në shkollë, si dhe Udhëzuesit për punën praktike të studentëve, projekte këto të organizuara dhe të mbështetura nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version