Shteti ballkanik i Bosnje dhe Hercegovinës është mbërthyer nga një valë protestash.
Të lodhur me varfërinë, korrupsionin por edhe stagnimin politik që tri etnitë, myslimane, kroate e serbe ia shkaktojnë njëra-tjetrës, ka bërë që vendi i sakatosur nga lufta e viteve 90-ta, t’u rikthehet gurëve e flakëve.
Vetëm se kësaj here nuk po luftohet, por po protestohet dhe atë mjaft fort.
Një situatë të ngjashme nga aspekti i përbërjes etnike me atë të Bosnjës, e ka edhe Maqedonia.
Vendi përbëhet nga maqedonasit që janë shumicë, por edhe shqiptarët që janë pakica me  përqindjen më të lartë.
Llogaritet se në këtë shtet jetojnë më shumë se 25 % shqiptarë.
Bllokimi ekonomik dhe ai politik në Maqedoni e në të njëjtën kohë protestat përreth vendit, siç po mbahen edhe në Kosovë nga studentët, lehtë mund të ndezin fitilin edhe në shtetin e brishtë që ka probleme të mëdha.
Tashmë është konfirmuar se Kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Suad Zeljkovic ka dhënë dorëheqje nga posti i tij gjatë një takimi të Komitetit Kantonal të SDA Sarajevo të mbajtur të shtunën, për të diskutuar situatën aktuale në vend.
Dorëheqja e tij erdhi pas dy ditë demonstrata, ku mijëra protestues dolën në rrugë.
Të premten, qeveritë e Tuzllës dhe Zenitsa-Doboy dhanë dorëheqje krahas Ministrit të Brendshëm, Mariya Sulenta e kantonit të Herzegovina-Neretva.
Telashet e Bosnjës në disa pika janë të ngjashme edhe me ato  Maqedonisë.
Derisa shteti boshnjak është kurthuruar në Kushtetutën e vet e cila u garanton vendosjen e vetos tre përfaqësuesve të tri etnive në Presidencë për secilën çështje, Maqedonia është bllokuar me emrin e vet tash e njëzet vjet me Greqinë.
Ndërkohë që Bosnja është e ndarë me kantone të cilat janë më shumë gllabëruese fondesh dhe shumë jofunksionale, në Maqedoni vazhdohet me mos zbatimin si duhet të Marrëveshjes së Ohrit duke zvarritur dhënien e të drejtave shqiptarëve.
Pikate  tjera si korrupsioni, varfëria, nepotizmi, keqpërdorimi i parasë publike, janë pika të ngjashme jo vetëm në këto dy vende por në të gjithë Ballkanin.
Përfundimisht, duke parë këto çështje dhe të tjera të ngjashme, rreziku për trazira mund t’i kanosen edhe Maqedonisë. /zhurnal/