E di që je larguar nga unë me mendimin se jam i marrë
Po ç’t’i bësh që të dashuruarit janë më të marrë se budallenjtë
Ajo që i dallon ata në marrëzi është lufta dhe paqja
Të dashuruarit janë në luftë por nuk e sulmojnë askënd veç vetes
Budallenjtë sulmojnë të tjerët edhe kur nuk janë në luftë me askënd
Të mbrohesh nga budallenjtë është e pamundur
Sepse mënyrat e mbrojtjes mbështeten në arsye,
ndërkaq sulmet e tyre janë të paarsyeshme.
Njëlloj, as të dashuruarit nuk mund të mbrohen nga sulmet ndaj vetvetes
Veçse të dashuruarit e godasin veten me duart e të tjerëve
Sëpata pa bisht s’e pret dot asnjë dru se është e pabërë
Po ia dha druri bishtin ajo pret një mal të tërë.
E di që je kthyer zemërthyer por njësoj nuk dëshiron të shkosh
Të kërkosh një gjë ku ajo mungon, është njëlloj si të mos e kërkosh
Ç’pret nga një botë ku i mashtruari turpërohet më shumë se mashtruesi?
Ç’do mësosh nga një libër shkruesi i të cilit di më pak se lexuesi?
Jo më pak e tmerrshme është kur shkruesi vlen sa një botë
E lexuesi nga oqeani s’mund të marrë më shumë ujë se sa një gotë
Edhe librat u ngjajnë pasqyrave të vdekura që marrin pamje nga bota e gjallë
Po u shfaq pranë tyre ndonjë gomar, mos prit të të ngjajë në dijetar!
Po hajt mo’ leri edhe shkruesit edhe lexuesit e hajde nisemi pakthyeshmërisht,
Të bëhemi pasqyra të vetvetes se mjaft e pamë botën gabimisht!
Ikim! Çfarë pret? Kohën e ardhme? Ç’kohë e ardhme ore?
Pse kur je në rrezik koha e ardhme zhduket e humbet?
Pse atëherë bën zgjidhje të menjëherëshme e tjetër kohë nuk pret?
A duhet çdoherë të jesh në rrezik që veten ta zbulosh?
Vdis para se të vdesësh nëse dëshiron të jetosh!
E di që dëshpërimi ta ka robëruar zemrën se njerëzit mendojnë ndryshe nga ti
Por dëshira që të tjerët të mendojnë me mendjen tënde domethënë pafund robëri
A duhet dikush ta shohë botën sipas parfytyrimit tënd që ti të bëhesh i lumtur?
A mund të dëgjojë dikush me veshët tu e të ndjejë me zemrën tënde?
Nëse jo, pse me mendjen tënde u dashka të mendojë bota?
Po të ishte kjo mendje e të tjerëve, a do ishte e jotja?
E di që jam i marrë dhe budalla,
por ama kjo është e vetmja mënyrë që më ka mbetur të dallohem nga të mençurit.
Nëse te mençurakët s’e ke gjetur atë që ke kërkuar
Mbase do ta gjesh te ata që marrëzisht janë dashuruar.
Zemrat e tyre janë si bimët e brishta që gufojnë mbi një gurë
E shiut që befasisht zbret nga qielli, nuk mund t’i shpëtojnë kurrë.
Por shiu i rrëmbyeshëm ato i zgjon me një fjalë prej gjumit:
“Dashuria e Parë është edhe e Fundit”.
Nëse je nga të dashuruarit që duan ta mundin veten
Nëpërmjet gënjeshtarëve do ta zbulosh të vërtetën
Asgjë nuk zbulohet më shpejt në këtë botë të vjetër
Se sa fshehtësitë që njerëzit mundohen t’i ruajnë tepër
Hë? Ka diçka që nuk shkon? Përse nuk nxiton?
Ke bërë gjynahe thua dhe s’vjen dot me mua?
E di, e di po s’ka gjë,
E djeshmja njëherë quhej “sot”, por nuk quhet më.
Të nisemi tani përtej Shtatë Qiejve që na ndajnë nga e Vërteta
Se vdekja do vdesë, do mbetet veç Jeta.
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
Categories