Milani i ka treguar Lazios se cila skuadër meriton të luajë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm duke e mposhtur me rezultat 3-0 në San Siro.
Pas disa rasteve nga të dyja skuadrat në fillim të ndeshjes, Antonio Candreva u përjashtua me karton të kuq (17’) pas ndërhyrjes në El Shaarawyn, i cili shkonte drejt golit.
Inferioriteti numerik në fushë i mysafirëve ua lehtësoi punën Rossonerëve, të cilët arritën të shënojnë dy herë pa përfunduar pjesa e parë.
Giampaolo Pazzini u gjend më së miri pas tentativave të vendasve për ta zhbllokuar rezultatin (40’).
Pas një harkimi nga këndi të Montolivos, Marchetti mbrojti goditjen e Pazzinit, por jo edhe atë të Kevin-Prince Boateng (44’)
Giampaolo Pazzini e vendosi rezultatin përfundimtar në pjesën e dytë, me një gol të bukur nga distanca (60’).
Mesfushori shqiptar, Lorik Cana, u angazhua në pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje (46’), në vend të Bruno Pereirinhas.
Kjo fitore e pozicionon Milanin në vend të tretë në tabelë, me një pikë më shumë se Lazio. Ndërkaq, lideri është 11 pikë përpara Rossonerëve. /Telegrafi/
Categories