Të nderuar miq të mi pa tarafe, që të mos shtrembëroj titullin e këtij vështrimi gazetaresk, më duhet t’i referohem fillimisht Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, ku shpjegohen edhe konceptet e tilla siç janë: VERSION dhe PATRIOTIZËM. Për të parin jepet ky shpjegim: Një nga mënyrat se si e paraqitim, e përshkruajmë a e shpjegojmë një ngjarje ose një fakt. Version i ri (i vjetër). Versioni i fundit. Kishte dy versione. Ndërsa për patriotizmin, pos të tjerash, thuhet: Dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri; ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet; atdhetari. Patriotizëm i flaktë (i madh, i lartë). Patriotizmi popullor. Patriotizmi i masave. Patriotizmi i rilindësve tanë. Ndjenja (shprehja) e patriotizmit e të tjera. Se cilin “version do ta shfrytëzojmë” për ta diskutuar patriotizmin si nocion sociologjik, ka pak rëndësi. Për ne me rëndësi është qasja e shtrembëruar e ca kalorësve të vonuar të çështjes shqiptare (pa dallim se ku veprojnë dhe jetojnë), të cilët këtë koncept kohë pas kohe mëtojnë ta identifikojnë me gjithfarë profesione, emra, ndodhi e të tjera.
Nëse do të na lejohet ta shtjellojmë nocionin e patriotizmit shqiptar, fillimisht do të duhet t’i kthehemi retrospektivës së një vakie, gjegjësisht ndeshjes së futbollit mes kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë, një ndeshje që para dhe pas saj, polli një duzinë paragjykimesh, keqkuptimesh a edhe shtrembërimesh në veçanti, ndaj lojtarëve shqiptarë që (profesionalisht) mbrojnë ngjyrat e kombëtares së Zvicrës apo edhe ndonjë shteti tjetër. Kjo ndeshje, lëre që u shndërrua në “mollë sherri”, por edhe e “provokoi mbamendjen adoleshente” të ca “zuzarëve dhe atdhetarëve” (skajshmërisht të sikletosur) në lidhje me interpretimin e tyre të gabuar rreth konceptit patriotizëm. Kjo ndodhi e lartpërmendur aq shumë u fol e u përfol, saqë i doli fare edhe ajo pak ngjyrë që i kishte mbetur! Këto “trumbetime, po edhe shtrembërime” ndaj futbollistëve shqiptarë, erdhën nga njerëz të ashtuquajtur “argatë stinorë a sezonalë”, nga njerëz të cilët për kryefjalë të “muhabeteve” të tyre e kanë “atdhedashurinë e sajuar a të rremë”, nga njerëz të cilët në mexhliset e kumarxhinjve, ashtu instinktivisht, do të “kërcejnë si ato pleshtat mbi jorganin e jevgut të nderuar”!
Kohë pas kohe të këtillët do t’i shkruajnë elegji politike patriotizmit, do t’i “përcjellin buzëqeshje djallëzore, po edhe do t’i dedikojnë dashuri hipokrite” vatanit! Ata do të parashtrojnë pyetje idiotësie se pse këta shqiptarë nuk luajnë për kombëtaren e Shqipërisë… dhe, kur nuk do ta bëjnë këtë, atëherë do t’i konceptojnë si tradhtarë.., mbase edhe do t’u ngjisin edhe lloj-lloj epitetesh, nofkash e të tjera. Të gjithë këta “futbolldashës a edhe mosnjohës të filozofisë së këtij sporti, po edhe atdhetarë aksham pazari”, o janë naivë, o janë të kompleksuar, o kokëbosh krahinorë, o janë gjumashë, o gjoksrrahës, o pseudopatriotë”, o kanë mendje shpellori, o janë bërlloku i kombit, o do të konceptohen si ato barkat me vela…, (rrugëtimi i të cilave varet nga erërat dhe drejtimi i dallgëve të deteve të tërbuara…), ose, në instancë të fundit, numrin e këpucës e kanë të madh. Këto interpretime të gabuara ndaj nocionit patriotizëm nuk shkojnë as përtej tregut të gjelbër të ndonjë province a ndonjë kasabaje, e lëre më të diskutohen në qarqet akademike. Andaj, nuk duhet të habitemi se pse “këtyre njerëzve” hiç fare nuk u plas, po edhe nuk u hyn në punë ato vargjet perla të Fan Nolit “Ku e lam’ e ku na mbeti, /Vaj-vatani e mjer mileti, /Anës detit i palarë, /Anës dritës i paparë…”. Ka edhe ca pseudopatriotë të tjerë që, kur e diskutojnë këtë çështje, shkojnë aq larg sa të “ngatërrojnë mendjen me këmbët mbi tokë”, me euforinë dhe me emocionet e pakontrolluara… Dhe, kur kjo bëhet kështu, i përngjan asaj “sallatës ruse”!?
Të gjithë këta “zuzarë” që mëtojnë të ndërtojnë një “version” të paqenë të tyre, gjithsesi të shtrembëruar, ndaj patriotizmit…, “pa dashje” e vënë në dyshim edhe kontributin e atdhetarëve shqiptarë (“shyqyr” që këto mendime mbeten vetëm si qasje të të marrëve, gjegjësisht të idiotëve të cilët mbase për armikun janë të dobishëm). Të gjithë këta, kur bëhet fjalë për nocionin e patriotizmit, shtyhen për t’u futur në radhë e për të marrë vend në mexhlisin, ku diskutohen çështjet e atdhetarisë. Tekefundit, këto versione të tyre, mbeten të qelbura a si ajo era që del nga dhëmbët e prishur dhe kurrgjë tjetër. Ky “version” i këtyre pseudopatriotëve, po edhe i njerëzve të tillë të katandisur, ta rikujton atë thënien vlonjate: “Mamaja e budallaqes gjithmonë mbetet me barrë a shtatzënë”!
Që ky vështrim yni të mos paragjykohet e të mos mbetet pa kuptim, do të parashtrojmë pyetjen se mos vallë sot, për të qenë patriot shqiptar (qofsh gegë, toskë, mysliman, katolik, ortodoks, bektashi, pasanik, varfanjak, besimtar, ateist a diç tjetër), medoemos duhet të veprosh e të jetosh në vendlindje; a mos vallë sot, nëse jeton jashtë atdheut, nuk duhet të jesh i tillë; a mos vallë, sipas kësaj “logjike fëmijërore” të këtyre shtrembëruesve të patriotizmit, shqiptarëve do të duhet t’u ndalohet a t’u mohohet e drejta e të folurit të gjuhëve të ndryshme, në veçanti gjuhës së armikut; a mos vallë, sipas “logjikës” së tyre, shqiptarët nuk duhet t’i studiojnë historitë e popujve të tjerë; a mos vallë, sipas kësaj “logjike”, “mbetet që në këtë pështjellim” të përfshihen edhe shumë figura të tjera të ndritura shqiptare; a mos vallë sot Skënderbeun, vëllezërit Frashri, nënën e përbotshme Terezë, nobelistin Ferid Murati, Ismail Kadarenë, At Gjergj Fishtën, Fan Nolin, Faik Konicën dhe shumë figura të ndritura shqiptare duhet t’i konceptojmë si tradhtarë vetëm e vetëm pse jetuan e vepruan (ca të tjerë ende veprojnë) jashtë vendlindjes së tyre… Pra, sipas tyre, sot Skënderbeun duhet ta gjykojmë si tradhtar, vetëm e vetëm pse ai e shkruante dhe e fliste gjuhën e Perandorisë Osmane, kurse Mehmet Aqif Ersoy duhet ta gjykojmë si tradhtar të atdheut të gjyshërve të tij (nga Sushica e Pejës), pse ky e shkroi himnin e Turqisë. Ndërkaq, Shemsettin beu, gjegjësisht Sami Frashri, na qenkësh tradhtar vetëm e vetëm pse e ndërtoi gramatikën e turqve, kurse nobelisti Ferid Murat me zbulimin epokal (nga lëmi i farmacisë) na “paskësh zhgënjyer” këmbë e krye!?? A mos, vallë, edhe humanistja më e madhe e dynjasë njerëzore na qenka një “nënë e huaj”, vetëm e vetëm pse nuk veproi në Shqipëri??!! Kështu, edhe shumë shqiptarë të tjerë. Ky “shovinizëm dhe patriotizëm” i rrejshëm dhe provincial i këtyre “shqiptarëve”, kështu siç perceptohet, të krijon përshtypjen se kalon çdo prag idiotësie.
S’ka dyshim se sot më mirë është të jesh një “tradhtar” që Evropës do t’i dërgosh vlera shqiptare, sesa të jesh një “patriot i vetëshpallur, i imagjinuar, i paragjykuar, madje edhe një njeri i panjohur”, që jeton dhe vepron në “pesëkëndëshin” shqiptar.., por që gjithë ditën e Perëndisë, lëre që gënjen, por edhe vjedh lekët e popullit. “Toptan”, këta daullexhinj shqiptarë, kur nuk hanë zogun, detyrohen të përtypin “bythën e gjelit të mullisit”!
Categories