Categories
Lajme FRI

Vetëm kosovarët s’mund të blejnë tokë në Maqedoni

Për shkak të mungesës së një marrëveshje bilaterale, shtetasit e Republikës së Kosovës, janë të vetmit në rajon që nuk kanë të drejtë të pajisen me pronë në territorin e Maqedonisë. Ligji në fuqi për pronësi dhe të drejta tjera sendore u lejon këtë vetëm qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së dhe OECD-së, ndërsa për të tjerët thuhet se kjo çështje mund të rregullohet “nën kushte të njëjta reciprociteti”
Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk kanë të drejtë të blejnë banesë, pronë ose objekte afariste në territorin e Maqedonisë. Kjo ndalesë vlen si për qytetarët e rëndomtë, ashtu dhe për afaristët dhe kompanitë kosovare, të cilët nëse janë të interesuar për të investuar në Maqedoni, përmes hapjes së ndonjë biznesi, nuk kanë të drejtë të posedojnë pronë në Maqedoni. Disa qytetarë të Kosovës, të interesuar tanimë një kohë të gjatë për të blerë banesa dhe objekte të tjera banimi në Maqedoni, thonë se e vetmja zgjidhje që u është ofruar atyre ka qenë paraqitja e tyre me dokumente të vjetra të shtetit serb. Vetëm në këtë mënyrë, atyre u lejohet e drejta e pronësisë në Maqedoni.
“E bëra Pazar një banesë në Shkup, meqenëse ligji u mundëson edhe shtetasve të huaj të blejnë patundshmëri në Maqedoni. Por kur deshëm të përmbyllim marrëveshjen në noter në Shkup, noteri më tha se marrëveshja e shit-blerjes mund të firmoset dhe është valide vetëm nëse kam pasaportë serbe, meqenëse nuk u lejohet shtetasve të Kosovës blerja e pronës në Maqedoni. U habita kur më tha se Serbia dhe vendet tjera të rajonit e kanë këtë të drejtë, por shtetasit e Kosovës jo!”, u ankua Agim. M. nga Prishtina.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë se kjo problematikë nuk bie në kompetencat e tyre, pasi sipas zëdhënësit Dragan Simonovski, kjo ministri merret vetëm me blerjen dhe shitjen e tokës ndërtimore. Ai na udhëzoi që përgjigje për të drejtat e shtetasve të huaj për pronësi në Maqedoni, të kërkojmë në Ministrinë e Financave, gjegjësisht në Drejtorinë për çështje juridiko-pronësore. Por, as në këtë ministri nuk ishin në gjendje të japin një përgjigje të prerë për këtë problem me të cilin ballafaqohen shtetasit e Kosovës në Maqedoni.
“Ne kemi një drejtori për çështje juridiko-pronësore, por ajo rregullon çështjet e privatizimit të pronës shtetërore, ose pronës tuaj që e blini nga shteti”, u përgjigj shkurt zëdhënësja e Financave, Ivana Bilbilovska, e cila po ashtu na udhëzoi që për këtë të interesohemi në ndonjë ministri tjetër, si ajo e Drejtësisë ose Ministria e Punëve të Jashtme. Gazeta KOHA konsultoi disa ekspertë të drejtësisë dhe noter të cilën merren me problemet pronësore të qytetarëve. Ata thanë se pengesa kryesore që u mohon shtetasve kosovarë të blejnë patundshmëri në Maqedoni është “Ligji për pronësi dhe të drejtat tjera sendore” i Republikës së Maqedonisë, i cili u lejon vetëm shtetasve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) që të posedojnë pronë dhe patundshmëri në territorin e Maqedonisë. Zgjidhja për shtetasit e vendeve që nuk janë anëtare të kësaj organizate dhe të BE-së, sipas ekspertëve ligjorë, mbetet tek një marrëveshje bilaterale që duhet të nënshkruajë vendi ynë me secilin shtetet e këtilla.
“Persona të huaj fizik dhe persona juridik rezident në shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të OECD mund të pajisen me të drejtë pronësie të banesës, ndërtesë banimi dhe hapësire afariste në territorin e Republikës së Maqedonisë si dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë nën kushte të njëjta reciprociteti”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 244 të Ligjit për pronësi dhe të drejtat tjera sendore. Edhe nga Ministria e Drejtësisë konfirmojnë se kjo nënkupton që vendi ynë duhet të nënshkruajë në marrëveshje bilaterale me Republikën e Kosovës që do t’u mundësonte qytetarëve të atjeshëm të drejta pronësore në Maqedoni. Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Ilirjana Zylbehari, tha po ashtu se një marrëveshje e tillë nuk bën pjesë në grupin e tre marrëveshjeve të cilat deri më tani i ka nënshkruar Maqedonia me Republikën e Kosovës, siç është ajo për ndihmë të ndërsjellë juridike në materiet penale, marrëveshjes për transfer të personave të dënuar mes dy vendeve, si dhe marrëveshja për ekstradim, që të tria të nënshkruara në vitin 2011. Por nga Ministria e Drejtësisë nuk munden të japin hollësi përse deri më tani nuk është nënshkruar një marrëveshje e këtillë dhe nëse mes dy vendeve ka iniciativë për një hap të tillë. /koha/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version