Nga Martin Samuel
Daily Mail
 
Adnan Januzaj është belg. Nëse ai dëshiron, duke iu përmbajtur strikt rregullave të futbollit, mund të jetë shqiptar ose kosovar, serb apo turk. Por e sigurt është që nuk është anglez. E dimë këtë për shkak se është 18 vjeç dhe luan në Premier League. Jo shumë adoleshentë anglezë e bëjnë diçka të tillë.
Januzaj ka lindur në Bruksel dhe Belgjika do që ai të jetë pjesë e gjeneratës së tyre të artë. Babanë e ka shqiptar dhe djali i tij ndjen një simpati të veçantë për këtë vend.
Shqipëria nuk ia ka dalë të kualifikohet ndonjëherë për një turne të madh dhe aktualisht është në vendin e pestë ose të gjashtë në grupin kualifikues për në Kupën e Botës.
Edhe kështu, Januzaj ka refuzuar deri më tani shansin që i është dhënë për të përfaqësuar Belgjikën për U-18 ose U-19, duke thënë se Shqipëria është zgjedhja e tij e preferuar.
Nëna e tij është nga Kosova, që është një fund i mbyllur për ambiciet e tij si futbollist. Nuk ka një kombëtare konkurruese të Kosovës për shkak se ky vend është në konflikt me Serbinë në lidhje me statusin si territor i pavarur.
Gjyshërit e tij janë nga Serbia dhe Turqia, edhe pse ai nuk ka treguar gatishmëri për të përfaqësuar ndonjë nga këto dy vende.
Vendi i vetëm për të cilin nuk mund të luajë, është vendi që e punëson. Është qesharake edhe të spekulosh që Januzaj do veshë bluzën e Anglisë.
Moralisht nuk do ishte e drejtë dhe në parim do të shkelte një marrëveshje me vendet e tjera.
Roy Hodgson mund të jetë tunduar nga kjo ide, kur ka parë në fundjavë ndeshjen e fituar nga Januzaj në përballjen e Manchester United me Sunderland, por kjo është e papranueshme.
Lëreni moralin mënjanë për një moment dhe fokusohuni tek ideja se Federata Angleze mund të veprojë si një klub elitar dhe të marrë çdo lojtar nga një vend që mendohet se është inferior, duke i premtuar famë dhe pasuri (por jo sukses, sepse Adnani duhet të kontrollojë të dhënat e fundit për të parë se sa shanse ka me këtë Angli).
Hodgson është një njeri i mirë dhe e di thellë- thellë se nuk është e drejtë që të vjedhësh. Nxitimi i para disa viteve për të zgjidhur krizën e Anglisë me lojtarë nga jashtë, ishte i pahijshëm, por edhe i dëmshëm.
Shumë shpejt do të zbulojmë se me cilën kombëtare do të luajë Januzaj. Por ajo që nuk duhet të bëhet kurrë ushqim për oportunistët është një zgjidhje qesharake për një problem që është tërësisht i brendshëm i futbollit anglez.
*Marrë me shkurtime