e-zani *
Disa media shqiptare përhapën lajmin mbi gjendjen e mjerueshme të lirive të emigrantë/eve në Katar. Kushte të tilla mund të jenë të kuptueshme në një vend jodemokratik, ku feja është fasadë për të justifikuar pushtetin e palëvizshëm të juntave drejtuese: si të thuash, u zbulua uji i ngrohtë. Pikërisht pandryshueshmëria e klasës sunduese dhe mospranimi i popullit në zgjedhjen e tyre, i bën këto vende shkelëse të ligjeve sheriatike, të vetë parimeve islame, dhe për pasojë mund të aplikojnë raporte punëdhënie diskriminuese, nënshtruese e me interesa të njëanshme.
Natyrisht, mediave tona nuk u intereson burimi i informacionit, vërtetësia apo jo, sepse rendësi ka goditjapërmes atyre që latinët quanin «res publica», çështje publike. Afganistani, Katari, Bahrejni e vende të tjera, që për publikun indiferent shqiptarë adresojnë vëmendjen tek feja, herë pas here bëhen objekte hapësirash mediatike. Sikur gazetarët e angazhuar në këto injektime informative dhe editorët e tyre të merrnin mundimin një herë, vetëm një herë, të justifikonin dobinë e lajmeve të tilla për konsumatorin shqiptarë, do të evitonin gjykimet për njëanshmëri, mungesë serioziteti e derivate të ngjashme. Po e besojmë se qëllimi është vetë tematika kryesore e lajmit, në rastin specifik, emigracioni, në mënyrë që shqiptarët të informohen dhe të mos bien preh e shfrytëzimit. Mirëpo në këtë rast duhej të gumëzhinin nga denoncimi i mungesës së lirive në vende akoma më të rëndësishme për Shqipërinë, duke ia filluar me Greqinë, ajo çfarë, fatkeqësisht, nuk vërehet. Por, fillimisht, pasi media kaq të ndjeshme të kenë krijuar një faqe të qëndrueshme ku të pasqyrohen abuzimet me punëtorë/et shqiptarë/e në Shqipëri. Përfytyroni se ç’kushte dhe ç’të drejta kanë ato që kërkojnë punë te Ushtari i panjohur, apo ato individë në fabrikat që mbushin ujin në pus, e tregtojnë për italian dhe, megjithëse faturojnë e nuk janë fantazma, rezultojnë pa punëtorë.
Italia ka numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, pas Greqisë – e mbase ia ka kaluar. Do të thotë rreth 1/5 e numrit të popullsisë të krahasuar me rezultatin e censusit të fundit. Kjo nënkupton se mediat tona kanë (potencialisht) një treg digjital të fuqishëm në Itali e Greqi. Në vend të pasqyrimit të problemeve të emigrantëve në këto vende, dominon informacioni pa interes direkt, që nuk do të thotë se është i pavlefshëm. Nëse janë media që i shërbejnë publikut dhe që i nënshtrohen ligjeve të ekonomisë së tregut, natyrshëm duhet t’i përkushtohen problemeve dhe nevojave të “tregut vendas”: kanë 1,5 milionë ”lexues”  në Greqi-Itali. Një balenë që humb rrugën e përfundon në Mesdhe është kuriozitet, por nëse ky lajm zëvendëson “nevojat e tregut” atëherë informimi ka dy kuptime: media apo agjencia është pjesë e WWF-së, e ndjeshme ndaj betejave të saja, dhe lajmi me balenën e humbur  është segment i natyrshëm; në të kundërt në një burim (media, agjensi) informacioni me perspektiva të gjithanshme, këmbëngulja mbi disa fenomene përherë negative dhe nënvizimi i shfaqjes së tyre mbi të njëjtët subjekte, sikur të mos ekzistonte gjetiu, quhet manipulim.

***

Raste pjesërisht të ngjashme me Katarin, e nganjëherë po aq tragjike, ka edhe Italia e afërt dhe perëndimore. Po japim vetëm dy.

Një i tillë vjen nga një ngjarje e ndodhur në Veneto: Sfruttamento del lavoro immigrato: profondo Sud? No, profondo Veneto. Katërmbëdhjetë gra, marokene, ganeze, etj., të punësuara në ndërmarrjen bujqësore S. Sebastiano në Cologna Veneta, në lindje të Veronës, punojnë 15 orë në ditë, shtatë ditët e javës, për 11 muaj në vit; punojnë edhe në periudhë shtatzënie, me fëmijë të sëmurë në shtëpi ose, madje, invalid, për ftohtë dhe vapë, pa ngrohje, me duar në ujë…, për 5 euro në orë, kur paga minimale e kontratës është 6,80 euro. Në momentin e protestës rrezikojnë vendin e punës, që në Itali do të thotë pamundësi rinovimi të lejes së qëndrimit, pra rrezikojnë krimin e klandestinitetit, i cili ndëshkohet me burg dhe me përjashtim nga Itali.
Një rast tjetër i rrëfyer nga Vite in vendita, përshkruan situatën rrëqethëse në jugun italian. Këtu mjaft emigrantë punojnë pa kontratë fare, pra në të zezë, por ndërmjetësohen nga mafiet lokale. Orari i punës është 10-15 orë në ditë, për 20-30 euro. Kushtet e jetesës janë të mjerueshme. Shumë gra paguhen në të zezë, duke mos arritur të rinovojnë lejen e qëndrimit. Kjo i ekspozon ato ndaj shfrytëzimeve të ndryshme. Pa leje qëndrimi nuk mund të protestojnë sepse duke qenë klandestine përfundojnë në burg ose përjashtohen. Varfëria i shtyn drejt kompromiseve të nënshtrimit.

Vërtet Italia i përket BE-se, ka ligje dhe mijëra raste të integrimit të emigrantit, por ka edhe realitete tragjike, ku ligji nuk funksionon, ku njerëzit barazohen me kafshët. Për ilustrim të mëtejshëm, po sjell një video.
Deri në momentin që shtetet nga Maroku në Indonezi, të marra së bashku, nuk e barazojnë Italinë për prezencën e shqiptarëve, lajmet mbi emigracionin në Katar dhe rreth e rrotull, ashtu si dominimi i realiteteve të këtyre vendeve, nuk kanë funksion sensibilizimi të ndërlidhur me fenomenin, çka e bën të pashpjegueshëm zellin e përcjelljes së informacionit.

***

Kjo vlen edhe për dhunën ndaj femrave. Po japim disa të dhëna ANSA mbi Italinëdhe jo vetëm, aty ku mesatarisht vritet një femër në tre ditë, por, nëse e shtrijmë gamën nga viti 2000 e këtej, arrihet në një femër të vrarë në dy ditë. Dhe nuk është rasti më negativ, sepse në 2009 Gjermania shënoi një mesatare me një viktimë (femër) në ditë.

«Në Itali një në tre femra të moshës 16 deri në 70 vjeçe ka qenë viktimë e dhunës […]. 6.743.000 [Katari ka 1,7 milion banorë gjithsej] kanë pësuar dhunë fizike dhe seksuale […] . 1.400.000 janë dhunuar seksualisht përpara moshës 16 vjeçare […]. Autorët e dhunës janë të ndryshëm dhe të afërt me viktimat […]: 23,8 % janë në farefis […]. 7.134.000 i nënshtrohen dhunës psikologjike: tentativë izolimi […], kontroll […], dhunë ekonomike […], zhvlerësim, kërcënim […]».

Çdo fenomen negativ që ndodh në Katar, Kazakistan, etj., mund të mësohet nga mediat tona. Ndërsa për t’u informuar rreth shteteve të afërta me kilometra dhe interesa duhet të mësojmë gjuhët e tyre, me përjashtim të rasteve analoge me ndonjë ndërhyrje të policisë në ndalim të personazheve tip Scarlett Johansonn & Co. Kjo bën lajm. Ky është niveli i informacionit në Shqipëri.
* Fotoja e parë pasqyron një emigrant afrikan në Italinë e jugut.