Në pesë vitet e fundit është rritur gradualisht numri i vetëvrasjeve në vendin tonë. Gjithnjë e më shumë persona, sidomos meshkuj, vendosin t’i japin fund jetës së tyre dhe në të shumtën e rasteve duke varur veten. Motivet sociale, por edhe ato që lidhen me jetën private, janë arsyet kryesore që regjistri i të vetëvrarëve është në rritje.
Parë grafikun e statistikës, vërehet se kurba që shënjon vetëvrasjet është në ngritje të ngadaltë që deri në vitin 2012 ka mbërritur në 174 raste. Nga MPB kanë informuar se shumica e viktimave janë meshkuj dhe të moshës mbi 30 vjeç, por shqetësues mbetet fakti që në mesin e të vetëvrarë ka edhe katër fëmijë të moshës së mitur.
“Nga numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve, 121 persona kanë qenë meshkuj dhe 53 femra, numri më i madh i tyre – 150 persona, kanë qenë të moshës mbi 30 vjeç, 20 persona ndërmjet moshës 18-30 dhe 4 persona deri në moshën 18 vjet. Sipas mënyrës së kryerjes, me varje kanë humbur jetën 91 persona, me armë (25), me mbytje në ujë (12), me helmim nëpërmjet barnave dhe helmit (16), hedhje nga lartësia (16), hedhje para trenit (5) dhe 9 persona në mënyra të tjera”, ka bërë të ditur këshilltarja në MPB, Maria Jakovlevska.
Krahasuar me vitet e tjera, viti 2012 shënon numrin më të lartë të vetëvrasjeve. Por, parë statistikat, në vitet e fundit, ky numër nuk ka rënë asnjëherë nën 140 raste. Kështu, në vitin 2009 janë regjistruar 162 vetëvrasje, në vitin 2010 – 150 raste të tilla, kurse në vitin 2011 ka ulje deri në 140 raste.
Sociologët thonë se fenomeni i vetëvrasjes, si dukuri devijuese dhe sociopatologjike, ka filluar, fatkeqësisht, të masivizohet në vendin tonë. Sociologu Metush Sulejmani, konsideron se shkaktarët më të shpeshtë të vetëvrasjes paraqiten faktori social, substancat narkotike, dashuria dhe të tjera. Të gjitha këto dimensione të fenomenit të vetëvrasjes në fund janë rezultat i çrregullimit të relacionit mes individit dhe shoqërisë, përfundon sociologu.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se në statistikat e saj nuk janë përfshirë rastet kur personat kanë tentuar të vetëvriten, por nuk ia kanë dalë të bëjnë këtë. Një rast i tillë ka ndodhur ditën e djeshme në Ohër, kur tre të rinj i kanë shpëtuar jetën një gruaje 40-vjeçare.
Zhurnal plus
EDITOR
12 years ago
next article