Sebastian Vettel triumfon në Kanada. Në pistën e Montrealit, piloti gjerman dhe kampion i botës në fuqi arriti të presë i pari vijën e finishit pas një gare dominuese dhe perfekte nga ana e tij, që e pa në krye nga fillimi deri në fund. Piloti i Red Bull, i cili u nis nga Pole-Position, jo vetëm që zbatoi një strategji perfekte por gjithashtu u shfaq shumë i qetë dhe në timon duke regjistruar suksesin e tretë sezonal, për të thelluar më tej diferencën me ndjekësin e tij më të afërt, Fernando Alonson.
Spanjolli mund të konsiderohet fituesi moral i garës kanadeze, për faktin se ishte spektakolar në pistë, ku pasi u nis nga vendi i gjashtë arriti ta përfundojë garimin e tij në vendin e dytë. I jashtëzakonshëm ishte mbi të gjitha parakalimi ndaj Lewis Hamilton në xhirot e fundit, ku duke shfrytëzuar sistemin DRS, spanjolli arriti t’i marrë vendin e dytë në pod rivalit të tij. Pikërisht britaniku ishte ai që u rendit në vendin e tretë, i ndjekur nga australiani Mark Webber. Një vend i pestë i mirë për Nico Rosberg ndërsa zhgënjeu Kimi Raikonen që e mbylli garën në vendin e nëntë.
Tabela e pikëve për pilotë:
1 Sebastian Vettel 132
2 Fernando Alonso 96
3 Kimi Raikkonen 88
4 Lewis Hamilton 77
5 Mark Webber 69
Tabela e pikëve për konstruktorë:
1 Red Bull Racing-Renault 201
2 Ferrari 145
3 Mercedes 134
4 Lotus-Renault 114
5 Force India-Mercedes 51