Miliona kanë ikur, por disa nuk kanë mundur! Ata po vuajnë urie dhe në qytet nuk gjenden më as mace dhe as qenë, ndërsa për njerëzit situata është në prag të katastrofës humanitare.
Bëhet fjalë për luftën në Siri.
Rrjeti Al Jazeera sjell rastin e një familjeje në qytetin sirian Madaya, të cilët janë tejet të dobësuar për shkak të urisë.
Të uritur dhe dobësuar, Rahman dhe familja e tij janë përpjekur të kufizojnë lëvizjet brenda shtëpisë së tyre në qytetin sirian të Madaya, nga frika se çdo aktivitet do të shterrojë energjitë e tyre.
Banorët e Madaya-s, rreth 25 kilometra në veri-perëndim të Damaskut, janë duke vuajtur nga kequshqyerja e rëndë dhe kanë pak qasje në karburant dhe furnizime mjekësore për shkak të rrethimit të imponuar nga trupat e presidentit Bashar al-Asad që nga korriku.
Personazhi i videos, Rrahman thotë se ka pak shpresa që ai dhe familja e tij mund të mbeten gjallë. Njerëzit përdorin materiale plastike nëpër rrugë për t’u ngrohur për shkak të të ftohtit që ka mbërthyer vendin.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha të mërkurën se të paktën 23 njerëz, përfshirë fëmijë kishin humbur jetën në këtë qytet pas rrethimit nga forcat e Asadit, të mbështetura nga luftëtarët libanez të Hezbollahut.
Të paktën 300 fëmijë në Madaya janë duke vuajtur nga kequshqyerja, tha grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Aktivistët lokalë thanë se rreth 40,000 njerëz në Madaya kanë pak qasje në ushqim dhe ilaçe.
Zëdhënësi i Kryqit të Kuq në Damask tha se situata në Madaya është shumë e vështirë. “Njerëzit janë të uritur dhe atje është shumë ftohtë. Banorët nuk kanë energji elektrike apo lëndë djegëse,” tha zëdhënësi për agjencinë e lajmeve DPA.
Grupe mjekësore në Madaya thanë se njerëzit “hanin bar për të mbetur gjallë.“
“Ne nuk mund të sigurojmë qumësht për foshnjat,” tha Dr Khaled Mohammed të mërkurën. “Sot, një fëmijë 10-vjeçar vdiq nga kequshqyerja”, shtoi ai. /Dita/
Categories