Categories
Ramazani

Virtytet e Syfyrit

Sheikhul Hadith Meulana
Muhamed Zekerija
Ibn Umeri (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: ‘Me të vërtetë që Allahu dhe engjëjt zbresin mëshirë mbi atë që ha syfyr”.
Komenti: Sa i madhërishëm është Allahu kundrejt nesh, saqë na e shpërblen edhe ushqimin përpara se të nisim agjërimin, pra syfyrin. Ka mjaft hadithe ku përmenden shpërblimet e atij që ha syfyr dhe të mirat e këtij të fundit, të gjithë dijetarët janë të një mendimi unanim, se syfyri ka një shpërblim të veçantë. Po ashtu dhe në Sahihun e Buhariut transmetohet nga shtatëmbëdhjetë sahabë të ndryshëm transmetime për shpërblimin e të ngrënit syfyr. Por disa njerëz nuk i marrin këto shpërblime sepse ata falin Taravitë, hanë ato që duhet të hanin në Syfyr dhe bien të flenë gjumë. Çfarë shpërblimi të madh kanë humbur ata! Syfyr në fakt do të thotë, të hash diçka përpara se të nisë agjërimi yt. Disa dijetarë thonë, se koha e Syfyrit fillon kur kalon gjysma e natës (Mirkuat). Autori i Kash-shaff (Zamakhshari) e ndan natën në gjashtë pjesë, dhe e fillon nga pjesa e fundit e saj që është Syfyri; kështu që, nëse nata fillon kur dielli perëndon dhe ndahet në dymbëdhjetë orë atëherë dy orët e fundit janë syfyr. Pra që do të thotë se të vonuarit e të ngrënit është më mirë se sa të ngrënit herët.
Profeti (a.s) ka thënë: ‘Ndryshimi mes agjërimit tonë dhe atij të ehli kitabëve (hebrenjëve dhe të krishterëve) qëndron në faktin, se ata nuk kanë syfyr ndërsa neve kemi”. Profeti (a.s) ka thënë: “Hani syfyrin sepse në të ka shumë begati”.Më pas përsëriti “Në tre gjëra ka begati të madhe në “Xhameah” (shoqërim), në ngrënien e  “Thareed” dhe në  “Syfyr”. Në hadith fjala Xhemah, pra në shoqëri ka kuptimin e faljes së namazit me Xhemat. “Thareed” është një shijim gjatë përgatitjes së asaj buke që gatuhet me mish. Gjëja e tretë që përmendet në këtë hadith është Syfyri. Kur i Dërguari i Allahut ftonte dikë që të hante syfyr me të, i thoshte: “Hajde të hamë nga një ushqim i bekuar”. Një tjetër hadith thotë: “Hani syfyr dhe forcojeni veten për agjërim. Më pas flini gjumë pasdite, kështu që të ngriheni herët për të adhuruar”. Abdullah bin Haarith tregon se një nga sahabët ka transmetuar: “Një herë e vizitova të Dërguarin e Allahut kur ai po hante Syfyr dhe pasi mbaroi, më tha: “Kjo është një gjë e mbushur me shumë begati, që Allahu na e ka dhuruar. Kështu që mos e lër atë”. Profeti (a.s)  na ka përmendur e folur aq shumë për syfyrin saqë na ka thënë: “Edhe nëse nuk ka asgjë për të ngrënë atëherë të ngriheni për të pirë qoftë edhe një gotë ujë”. Syfyri ka vërtet shumë të mira dhe shumë avantazhe, prandaj myslimanët duhet ta praktikojnë këtë gjë sa më shumë që të munden. Gjithsesi duhet të zbatohen disa rregulla që po nuk i respektuam do të na sillen për keq. Nuk është e thënë që duhet të hamë shumë pak, sepse kjo mund të na dëmtojë, por as që duhet të mbushim jashtëzakonisht shumë stomakun tonë.
Në komentarin e Buhariut, Ibn Haxheri ka përmendur shumë arsye se pse syfyri është i bekuar:
– Sepse në të ndiqet Suneti.
– Përmes tij ne e diferencojmë veten nga ehli kitabët, gjë për të cilën thirremi shpesh ta kryejmë.
– Na jep forcë për të kryer ibadete
– Promovon më shumë sinqeritet për Ibadetin
– Ul ndjesinë e të ndjerit keq, që mund të vijë nga mungesa e ushqimit.
– Syfyri është një kohë ku pranohet lutja
– Në kohën e Syfyrit është koha më e mirë, ku Allahu përkujtohet dhe ku mund të falemi në namaz.
Këto janë disa prej shumë të mirave që ka syfyri. Disa Sufi janë në dyshim, nëse ngrënia e Syfyrit bie në kundërshtim me agjërimin apo jo. Ata mendojnë se agjërimi është të qëndruarit larg ushqimit, pijes dhe dëshirave seksuale, ndërsa syfyri është kundër kësaj praktike. Sipas mendimit tim, kjo varet nga personat e ndryshëm dhe nga aktiviteti që kryejnë ata. Psh, për ata studentë, të cilët janë në kërkim të dijes, ushqimi i pakët në syfyr e iftar do tu bënte keq atyre. Ndërsa persona të tjerë të cilët nuk kanë punë të rënda, bëjnë mirë që të hanë sa më pak syfyr.
Një herë i dërguari i Allahut u shpreh përsa i përket Xhihadit: ‘Nuk ka asgjë më të mirë se sa të agjëroni kur jeni duke udhëtuar”. Dhe ishte në muajin e Ramazanit, kur disa Sahab ishin duke agjëruar. Allamah Sharani shprehet në Sharh Ikna: “Është kryer një marrëveshje mes nesh, dhe ajo është që ne nuk duhet të mbushim stomakun tonë me shumë ushqim kur të hamë (pra ta mbushim plotë atë), sidomos gjatë muajit të Ramazanit”. Është më mirë që njerëzit të hanë më pak gjatë muajit të Ramazanit se sa tek muajt e tjerë. Pas së gjithës për çfarë shërben Ramazani dhe agjërimi, nëse neve do të hamë shumë në iftar e syfyr? Allahu i madhëruar ka thënë: ‘Kushdo që mbetet i uritur në Ramazan do të shpëtojë nga Shejtani gjatë gjithë vitit, deri në Ramazanin tjetër”.
Përktheu: Xhodi Hysa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version