Forumi Rinor Islam – dega Shkup organizoi një ligjëratë të hapur me hoxhën e njohur Vladimir Kera nga Tirana. Ky takim u realizua në ambientet e Qendrës FRI në Shkup dhe u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë.

Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të kryetarit të Forumit Rinor Islam, Xhabir Emini, i cili theksoi rëndësinë e diskutimeve mbi ndikimin e modernitetit në besimin dhe sjelljen e individëve. Më pas, hoxha Kera zhvilloi temën “Ndërgjegjja njerëzore; urtësia Kuranore dhe pikëpamjet moderne”.

Në qendër të diskutimit ishte ndikimi i botës moderne në nënvetëdijen, mendimin dhe veprimet tona, si dhe mënyrat se si duhet t’i qasemi këtyre çështjeve nga një perspektivë fetare. Hoxha Kera theksoi rëndësinë e informimit mbi hulumtimet dhe studimet e fundit dhe nevojën për të jetuar me Islamin përmes praktikës së veprave të mira, jo vetëm duke u shmangur nga të këqijat.

Pjesa finale e ligjëratës u dedikua hapësirës për diskutim, ku të pranishmit patën mundësinë të parashtronin pyetje dhe të ndanin mendimet e tyre.

Shkup, 22 tetor 2024.