Shejh Jusuf Kardavi
Vëlla mysliman! Jemi në prag të një muaji të shenjtë, muajit Dhul Hixhe. Dhjetë ditët e para të këtij muaji, janë ditë në të cilat është betuar vetë Zoti i lartësuar në Kuran, ku thotë:”Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!” (Fexhr, 1-2)
Ato janë ditët më të mira tek Zoti dhe shpërblimi i veprave të mira gjatë këtyre ditëve, është i shumëfishuar.
Katër muajt e shenjtë, janë muaj të zgjedhur dhe të preferuar tek Zoti. Lidhur me këto katër muaj, në Kuran thuhet:”Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë.” (Teube, 36)
Këto katër muaj të preferuar nga vetë Zoti janë: Dhul Kide, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexheb. “Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Teube, 36” Në fakt, dëmtimi i vetes është i ndaluar në të gjithë muajt, por në këto katër muaj është më e rëndë.
Dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe kanë këtë status të privilegjuar, pasi janë ditët e një muaji të shenjtë. Veç kësaj, Dhul Hixhe është një nga tre muajt ku bëhet nisja për Haxh “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (Bekare, 197) dhe këto tre muaj janë Shevali, Dhul Kide dhe Dhul Hixhe. Përveç Shevalit, Dhul Kide dhe Dhul Hixhe janë edhe muaj të Haxhit edhe muaj të shenjtë. Në këto dhjetë ditë, zhvillohen shumica e ritualeve të Haxhit, si dita e Arafatit dhe ajo e Bajramit. Dita e therjes së kurbaneve është një nga këto dhjetë ditë të mira. Kurse dita e Arafatit është dita më e mirë e vitit, ashtu siç është nata e Kadrit nata më e mirë e vitit. Ashtu siç janë dhjetë netët e fundit të Ramazanit netët më të mira të vitit, dhjetë ditët e Dhul Hixhes janë dhjetë ditët më të mira të vitit.
Prej myslimanit pritet që këto dhjetë ditë kaq me vlerë tek Zoti, ti mbushë me adhurim dhe vepra të mira. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Gjatë jetës tuaj, Zoti u dërgon puhiza, prandaj ekspozohuni ndaj tyre.”
Herë pas here, Zoti i lartësuar na ofron shanse të ndryshme në sezone të ndryshme. Këto shanse i shfrytëzojnë njerëzit e bindur dhe të devotshëm. Është e njëjta gjë që ndodh me bizneset, të cilat kanë sezone të caktuara ku të ardhurat e tyre shtohen maksimalisht.
Zoti ka dashur që edhe ata që synojnë kënaqësitë e botës tjetër të kenë shanset e tyre për shtimin e sevapit dhe shpërblimit.
Kështu, muaji i Ramazanit, dhjetë ditët e Dhul Hixhe, katër muajt e shenjtë etj… janë sezone dhe shanse për shtimin e shpërblimit. Të gjitha këto janë shanse të cilat Zoti ua ofron robërve të tij për tu afruar më shumë me Krijuesin e tyre, nëpërmjet veprave të mira dhe distancimit nga ligësitë.
Ndër veprat e mira që preferohen të bëhen këto ditë janë tespihet (subhanalla”, tahmid (elhamdulilah), tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber).
Tregohet se shokët e Profetit a.s e përmendnin shpesh Zotin këto dhjetë ditë, madje edhe kur kishin dalë në pazar për të shitur e blerë. Kur takoheshin me njëri-tjetrin ata bënin tekbir, saqë gumëzhinte i gjithë tregu nga tekbiri.
Një vepër e pëlqyer këto ditë është dhe dhënia e sadakasë, shpërblimi i të cilës shumëfishohet.
Preferohet gjithashtu dhe agjërimi i nëntë ditëve të Dhul Hixhes, e në veçanti agjërimi i ditës së Arafatit, pasi Profeti a.s ka thënë:”Agjërimi i ditës së Arafatit, i fshin gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.” Kurse për haxhilerët nuk preferohet agjërimi i kësaj dite, pasi vetë Profeti a.s nuk e ka agjëruar këtë ditë. Ai hante e pinte këtë ditë me qëllim që njerëzit ta shihnin dhe të mos e agjërojnë. Kjo, për arsye që të jenë më të fortë fizikisht për adhurim.
Një vepër e mirë gjatë këtyre ditëve është dhe kontakti dhe komunikimi mes besimtarëve, vizitat dhe urimet, sidomos ditën e Bajramit.
EDITOR
11 years ago
previous article
20 mijë veta konkurrojnë për 1600 punësime!
next article