Është zgjedhur me aklamacion në detyrën e Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ushtrues detyre i deritanishëm në këtë funksion. Në mbledhjen e zhvilluar sot, Senati i USHT-së ka votuar për Ametin me 22 vota “për” nga gjithsej 23 vota, ndërsa një votë është shpallur e pavlefshme.
Ameti ishte në garë për detyrën e Rektorit me profesorin e nderuar, Fauzi Skënderi, i cili nuk ka marrë megjithatë asnjë votë nga anëtarët e Senatit.
Lajmi me hollësitë e votimit është bërë i ditur nga zëdhënësi i USHT-së, Selam Sulejmani, i cili ka informuar për mbarëvajtjen e procedurës.
Ai ka informuar se zgjedhjes së sotme i ka paraprirë mbledhja e së enjtes të Këshillit të Rektoratit, ku është konstatuar se dy kandidatët plotësojnë kushtet për zgjedhje.
Komisionin Zgjedhor që ka organizuar zgjedhjet e kanë përbërë anëtarët: Prof. dr. Hajri Ziba – kryetar; Prof. dr. Rahaman Ismaili – anëtar; dhe Prof.dr. Ejup Ajdini – anëtar.
Përgjatë këtij viti, nën udhëheqjen e Rektorit, Prof. Dr.Vullnet Ameti, USHT ka bërë përparime të mëdha në shumë drejtime, si:  Ndërkombëtarizimin e universitetit, reformimin e planeve dhe programeve mësimore, zbatimin e Sistemit Evropian të Transferimit të Kredive ,këmbimin e studentëve dhe stafit akademik me universitetet ndërkombëtare, krijimin e infrastrukturës moderne, rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së studimeve, zgjerimin e rrjetit të studimeve të disperzuara në shumë qytete të vendit, krijimin e kushteve hapësinore, përurimin e godinës së re universitare, e cila është vepra më madhore e gati dy dekadave të funksionimit të Universitetit tonë, dhe janë realizuar edhe shumë projekte tjera që e ngrenë këtë institucion në nivel të universiteteve më prestigjioze në nivel regjional dhe ndërkombëtar.
Listës së sukseseve të derisotme mund t’i bashkëngjisim edhe dhjetëra veprimtari të tjera shkencore që i bëjnë nder këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.