U hap kutia e pandorës , edhe njerëz të njohur nga Maqedonia do të jenë pjesë e “Wikileaksit ballkanik”. Në mesin e 2,5 milionë dokumenteve, të cilat i mbështesin konstatimet për posedimin e “llogarive bankare off-shore”, deri te të cilat erdhën gazetarët e Rrjetit ndërkombëtar hulumtues, ka edhe ndonjë dokument për qytetarët e Maqedonisë. Këtë tashmë e konfirmoi gazetari slloven Bllazh Zgaga, i cili është pjesë e ekipit hulumtues.
Komuniteti vendor i biznesit i pret me një dozë përmbajtjeje emrat, të cilat gazetari Zgaga paralajmëroi se do t’i publikojë këtë javë.
“Në Wikileaksin bankar janë të inkuadruar persona fizikë, gjegjësisht individë, e jo kompani. Por megjithatë, nga ajo që pritet, ato emra do të ishin nga bizneset e mëdha private në vend, të cilat si persona fizikë eventualisht kanë ruajtur para në llogaritë bankare “off-shore” jashtë vendit. Ka mundësi të paraqiten edhe individë, jo shumë të njohur, që kanë llogari jashtë vendit, por nuk pritet që në rastet e tyre të bëhet fjalë për shuma të mëdha të parave” – komentojnë ekspertët për Portalb.
Ligjet e Maqedonisë nuk lejojnë që personat juridikë, gjegjësisht firmat dhe personat fizikë, gjegjësisht qytetarët të posedojnë llogari personale jashtë vendit.
“Ligji për punë devizore nuk lejon që personat fizikë – qytetarë të Maqedonisë të posedojnë llogari personale në banka të huaja. Kjo vlen edhe për posedim të depoziteve jashtë vendit. Sa i përket kompanive, edhe për ato vlen rregullativa e njëjtë ligjore, gjegjësisht edhe personat juridikë nuk guxojnë të posedojnë llogari të tyre jashtë vendit” sqaron për Portalb njëri nga ministrat e mëparshëm për financa, Nikolla Popovski.
Dhe deri këtu, pozicioni është i qartë. Duke iu referuar rregullativës ekzistuese ligjore, ministri aktual për financa, Zoran Stavrevski, para do kohësh deklaroi se nuk pret që gjendja në Qipro t’i rrezikojë interesat e qytetarëve dhe të firmave të vendit mu për shkak se ligjërisht “ato nuk guxojnë” të kenë llogari jashtë vendit.
“Sipas ligjit, qytetarët maqedonas nuk guxojnë të kenë llogari jashtë vendit as si persona fizikë e as si persona juridikë, nuk kemi vlerësime të tilla dhe nuk pres vlerësime të tilla” – deklaroi ministri Stavrevski.
Mënyra e vetme ligjore që u lejon kompanive të kenë llogari jashtë vendit – janë investimet e drejtpërdrejta, gjegjësisht investimet e kompanive maqedonase jashtë vendit.
Sipas informatave të fundit, deri në fund të vitit 2012, kompanitë maqedonase jashtë vendit kanë investuar 129 milionë euro, shumë kjo në të cilën janë përfshirë investimet e drejtpërdrejta dhe ato në formë të portfolios.
Biznesmenët maqedonas më së shumti kanë investuar në Serbi, Greqi dhe Rusi.
Ja si duket pozita ”investuese” e kapitalit maqedonas jashtë vendit:
Vendi Investimi
Serbia 47,0 milionë euro
Greqia 11,7 milionë euro
Rusia 10,4 milionë euro
Bullgaria 4,2 milionë euro
Kroacia 2,7 milionë euro
Se investimet jashtë vendit janë kanali i vetëm “ligjor” nëpërmjet të cilit biznesmenët mund të posedojnë llogari jashtë vendit, vërteton edhe ish-ministri për financa, Popovski.
“Kompanitë, gjegjësisht personat juridikë, mund të hapin llogari jashtë vendit, por vetëm me një kusht – të formojnë kompani jashtë vendit nëpërmjet të së cilës do të punojnë sipas ligjeve të vendit ku e kanë formuar kompaninë, gjegjësisht ku kanë hapur përfaqësi. Kjo firmë e huaj punon sipas ligjeve të vendit të huaj, ndërsa prona është në pronësi të kompanisë së huaj” – sqaron Popovski.
Edhe pse rregullativa ligjore është e qartë, bile edhe guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov para do kohësh deklaroi se nuk do të befasohet nëse në “Wikileaks-in bankar” del në pah ndonjë emër nga Maqedonia.
“Edhe pse qytetarët dhe firmat nga Maqedonia, sipas ligjit për punë devizore nuk kanë të drejtë të kenë llogari bankare jashtë vendit, duke i përfshirë edhe Ishujt virgjine britanike, megjithatë ka mundësi që dikush ta ketë shkelur ligjin”, deklaroi Bogov.
Përveç qytetarëve nga Maqedonia, pjesë e “aferës për fshehësit e tatimit” do të jenë edhe qytetarë nga rajoni, paralajmëroi gazetari slloven Zgaga.
“Së shpejti, kur do të publikohen të gjitha të dhënat, do të shihet se nuk ka vend qytetarët e së cilës nuk kanë deponuar para në oazat tatimore. Mundem vetëm të them se në mesin e tyre ka qytetarë nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia. Tash për tash nuk mund të jap më tepër detaje” – deklaroi ai.
Dëmi nga kjo aferë vlerësohet në rreth një miliardë dollarë – para që janë fshehur në “llogari off-shore” që të shmanget tatimi në ekonomitë amë.
Ky hulumtim ka përfshirë 170 vende, hetimi ka zgjatur 15 muaj dhe në të kanë marrë pjesë 86 gazetarë nga 46 vende.
Cilat vende janë parajsë tatimore?
Edhe Maqedonia është njëra nga vendet që vlejnë si “parajsë tatimore” – komentojnë ekspertët, duke iu referuar veprimeve të qeverisë aktuale për zvogëlimin e tatimeve dhe të dhënave të tjera, veçanërisht për investuesit e huaj. Në të njëjtën kohë, me arsyetimin se dëshiron t’u ndihmojë qytetarëve, qeveria futi në përdorim edhe masën për heqjen e tatimit për kursime.
Mu për këtë arsye, sqarojnë ekspertët, Maqedonia bën pjesë në grupin e vendeve si Ishujt virgjine të Britanisë, Ishujt Kajmane, Panamaja, Qiproja etj.
Të gjitha këto vende janë regjistruar edhe si destinacione investuese prej ku në Maqedoni, në mënyrë ligjore futen para në formë të investimeve.
Saldoja e parave që hyjnë në vend ishte më e theksuar para disa viteve, kur nga Ishujt virgjine të Britanisë, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2010 , në vend kanë hyrë rreth 40 milionë euro.
Këto destinacione ekzotike kryesisht vlejnë si adresa ku nëpërmjet procedurave të shkurta dhe të thjeshta dhe për pak para, hapen “llogari off-shore” të cilat janë të liruara nga taksat.
Pas dështimit të Qipros, si vend tjetër që konsiderohet si “parajsë bankare” përmendet Andora. Njohësit e kësaj problematike konsiderojnë se ky vend i vogël, i njohur si Mbretëria e Andorës, që gjendet në pjesën jugperëndimore të Evropës, do ta zëvendësojë Qipron.
Investuesit në Andorë janë të liruar nga tatimi për kursimet e tyre bankare.
Aneta Dodevska, Portalb
Categories