Në një kabllogram të faqes Wikileaks që mban datën 15 tetor 2009, ambasadori amerikan në Shqipëri, John Widhers shpreh shqetësim për deklaratat e kryeministrit, Sali Berisha për Shqipërinë e Madhe. Kabllogrami mban titullin: Berisha po flirton me Shqipërinë e Madhe?
Në fillim të gushtit Berisha bëri testin e parë në ujërat e politikës kosovare kur u takua me dy liderë të partive kosovare e nënshkroi me ta memorandume bashkëpunimi. Disa kritikë u tërbuan e fajësuan Berishën se po mbante krah në politikën e Kosovës, nis kabllogrami. Megjithatë tensioni u bë shumë më i lartë kur Berisha në një intervistë foli për bashkimin e kombit shqiptar, raporton gazeta “Shqiptarja”.
Këshilltarët e kryeministrit na thanë se Berisha e sheh veten si një tip këshilltari si një burrë i urtë shteti për politikanët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni, thuhet në kabllogram. Qeveria serbe reagoi menjëherë ndaj kësaj deklarate, duke e quajtur dhunim të sovranitetit të Serbisë. Ish- ministri i Jashtëm Lulzim Basha u përgjigj duke thënë se komentet nuk kishin lidhje me bashkimin territorial Shqipëri-Kosovë, por me bashkimin në idealet e BE.
Por tensioni nuk u ul dhe ambasada amerikane mbeti e shqetësuar, sidomos kur Fevziu, që ambasada e quan një analist shumë pranë Berishës, publikoi editorial tek Panorama, që cilësohet si një e përditshme pranë qeverisë. Fevziu shkruante se nuk duhet të ketë askush frikë nga bashkimi mes Kosovës e Shqipërisë. Në këto kushte, Uidhers e thirri Berishën në zyrën e tij duke i thënë se deklaratat e tij komplikojnë përpjekjet e SHBA për të avancuar paqen e stabilitetin në rajon Ambasadori i kërkoi Berishës që të përdorte udhëtimin e tij në Kosovë për të qartësuar qëndrimin e Shqipërisë për sovranitetin e Kosovës, thuhet në kabllogram. Dhe Berisha u soll si një nxënës i mirë. Në kabllogram thuhet se ai tha se komentet e tij ishin keqkuptuar, se kishte bërë kurrë thirrje për unifikimin e dy shteteve.
Një e mirë e këtij keqkuptimi ishte se Ilir Meta realizoi një vizitë në Serbi, thuhet në kabllogram.(INA)