Categories
Lajme FRI

Wili dhe Tetova synojnë binjakëzimin

Kryetarja e qytetit Wil, Susanne Hartmann, ka ftuar në vizitë kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi. Tetovarët e shumtë në takim të ngazëllyer nga vizita e kryetares së tyre; ajo e drejton qytetin sipas “parimit të hallallit”
E vogël dukej salla e qytetit Wil për t’i pranuar të gjithë tetovarët që kishin mësyrë dje qytetin për ta takuar kryetaren e tyre të zemrës, Teuta Arifi. Me rreth tetëqind vende dhe një numër relativisht të madh që prisnin të rreshtuar në këmbë, hapjen e takimit “Shkëmbim kulturash” që kishte si mysafirë dy gratë e para, Teuta Arifin dhe Susanne Hartmann, kryetare të dy komunave, që synojnë të binjakëzohen në një të ardhme jo të largët.
Delegacioni nga Tetova, në krye me kryetaren Teuta Arifi dhe deputetin Behixhudin Shehapi po qëndron këto ditë për një vizitë pune në Zvicër. Arifi do të zhvillojë disa takime zyrtare për të shikuar mundësinë e binjakëzimit të Komunës së Tetovës me komuna të tjera dhe ka një agjendë të ngjeshur takimesh me tetovarët që jetojnë në Zvicër.
Me ftesë të kryetares së qytetit Wil, Susanne Hartmann, delegacioni nga Tetova do të takohet të hënën në një takim pune për mundësinë e binjakëzimit të Tetovës me Wilin, qytet në lindje të Zvicrës që ka një numër të madh banorësh me prejardhje shqiptare.
Kjo mundësi e kryetares Arifi për të binjakëzuar këto dy qytete vjen falë numrit të madh të tetovarëve që jetojnë në Wil, të cilët përmes Bashkësisë Islame të Wilit me imam Bekim Alim ie kanë organizuar vizitën e delegacionit nga Tetova. Për t’u hapur kështu rrugë takimeve të tjera zyrtare, por dhe për t’u dhënë rastin qytetarëve të shumtë të Wilit me prejardhje nga Tetova që të takohen me përfaqësuesit e të dyja qyteteve. Duke sjellë krahas politikanëve dhe SHKA “XH. ZEQIRI” enkas nga Tetova për t’iu ofruar tetovarëve disa pika programi kulturor nga vendlindja.
Dhe kështu në një eveniment të quajtur „Shkëmbim kulturash“, të mbajtur në sallën kryesore të qytetit me mysafirë të ftuar nga Maqedonia dhe hierarkia më e lartë e qytetit Wil, kryetarja Susane Hartmann, stafi i saj përcjellës me prani të dukshme të zyrës së integrimit nëpërmes broshurave të shumta informuese për jetën në Zvicër, të përkthyera për lakmi të gjitha në gjuhën shqipe.
Në fjalimin e mbajtur para qytetarëve të saj, Susanne Hartmann u shpreh e lumtur që iu ka dhënë rasti ta përshëndesë mysafiren nga Tetova, kryetaren Teuta Arifi, me të cilën, tha ajo, na ndajnë shumë kilometra, por na bashkon numri i madh i qytetarëve të mi që janë me prejardhje nga Tetova. Dy qytete këto që për nga numri i banorëve dallojnë shumë, Tetova me mbi 200 mijë, kurse Wili me rreth 24 mijë banorë. Ndërkohë që Hartmann rëndësi të veçantë i kushtoi bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme në këtë qytet që e bëjnë më të larmishme jetën këtu mes shumë kulturave të ndryshme, ku pa dyshim një rol pozitiv ka pasur edhe komuniteti shqiptar. “Për ne, tha ajo, është më rëndësi të ruajmë e të zhvillojmë edhe më tutje harmoninë mes qytetarëve tanë, duke krijuar hapësirë dhe tolerancë për bashkëjetesë mes komuniteteve. Kusht për këtë, tha ajo, është që jeta jonë e përbashkët  të bazohet në parime dhe vlera të shtetit tonë. Duke respektuar kështu rregullat që vlejnë për tërë shoqërinë tonë që jeton këtu. Politika jonë integruese është nxitja me projekte të ndryshme për ta kuptuar dhe kapur më mirë zhvillimet dhe jetën këtu”.
Përderisa kryetarja Teuta Arifi, e emocionuar nga mikpritja që i ishte organizuar, hoqi dorë nga fjalimi përmes letrës.
„Në  fakt“, tha ajo, „ka fjalime që mund t’i lexoni, por unë si bijë dhe motër juaja dëshiroj t’ju them disa djalë prej zemrës sime, për shkak se mendoj që fjalët që dalin nga zemra janë fjalë që thonë realitetin“. Duke folur me krenari për historinë e qytetit të Tetovës, kryetarja Arifi tha mes tjerash duke iu drejtuar homologes së saj, Hartmann, se Tetova gjeografikisht është qytet në afërsi të Kosovës dhe Shqipërisë. Është qyteti i dytë për nga madhësia dhe është komuna më e madhe shqiptare në Maqedoni. Por, duke u nisur nga numri i madh që jeton në Wil, Arifi vlerësoi se dy komunat janë komuna motra dhe është detyrë jona që të gjejmë sa më shumë aktivitete e projekte të përbashkëta.
Tetova, shtoi ajo, është një qendër e rëndësishme e shkollimit universitar në gjuhën shqipe. Duke kujtuar që jo shumë kohë më parë të gjitha këto të drejta elementare iu mohoheshin nga pushteti maqedonas.
„Ka qenë një ideal joni politik, një ideal joni shoqëror, një ideal joni kombëtar dhe në këtë mënyrë me luftërat e drejta të shqiptarëve në Ballkan dhe përfundimisht me Marrëveshjen paqësore të Ohrit, definitivisht, politikisht edhe shqiptarët u bënë një faktor i rëndësishëm i vendit tonë“.
Parimi bazë i udhëheqjes së Tetovës, sipas znj. Arifi, ishte dhe mbetet parimi i vlerave tona kryesore, parimi i hallallit. Parimi i hallallit, sipas Teuta Arifit, nënkupton drejtimin e qytetit në mënyrë serioze dhe në përputhje me kërkesat e qytetarëve të saj. Dhe filloi e i numëroi arritjet e Komunës së Tetovës nën udhëheqjen e saj, duke filluar ga inkasimi i tatimit, zhvillimi i infrastrukturës, e deri te rritja e buxhetit të shtetit që, sipas saj, të gjitha këto arritje vijnë si rezultat i udhëheqjes së komunës sipas “parimit të hallallit”.
Një fjalë hyrëse mbi komunitetin islam të këtij regjioni dhe vlerat e islamit ka mbajtur edhe imami i Bashkësisë Islame të Wilit, Bekim Alimi.
Ku më pas janë ngjitur në podium dy kryetaret, Hartmann bashkë me udhëheqësin e zyrës për integrim, Felix Buman dhe Teuta Arifi me deputetin Behixhudin Shehapi, imamin Bekim Alimi dhe moderatorët që shtronin pyetje. Në njërën anë Mireme Bajrami gjermanisht dhe imami tjetër, Rehan Neziri, që pas shpjegimeve të shumta të pyetjeve të moderatorëve dhe të të pranishmëve në sale, i lanë radhën shfaqjes së filmit dokumentar „Midis dy botëve“, të regjisorit (albinfo ka shkruar) dhe producentit tetovar, Sabidin Aliu, që flet për kthimin e (pa)mundur në vendlindje.

Exit mobile version