Categories
Lajme FRI

Xhamia e Bajraklisë në Prizren

Xhamia e Gazi Mehmet Pashës apo xhamia e Bajraklisë është xhamia qendrore e Prizrenit, qytetit me 36 xhamitë ekzistuese. Ajo është ngritur në vitin 1573/74 nga ana e ushtarakut të Perandorisë  Osmane  Gazi Mehmet Pasha i cili ishte me prejardhje shqiptare,  ishte djali i Ahmet bej Dukagjinit, i cili gjatë vitit 1514-1515 ishte në pozitën e Vezirit të Madh të oborrit të Perandorisë Osmane. Ahmet bej Dukagjini  ishte nip i familjes së njohur mesjetare shqiptare feudale, të Dukagjinëve, posedues tokash të mëdha.
Gazi Mehmet Pasha  ka marr pjesë në shumë fushëbeteja anembanë Perandorisë Osmane. Titullin Gazi “fitimtar”e mori pas fitoreve të bujshme në fushëbeteja  në Greqi, Kroaci, Hungari. Gazi Mehmet Pasha gjatë jetës së vet  ka lënë shumë vakëfe(donacione) dhe hajrate. Në vitin 1571 gjersa ishte në pozitën e sanxhakbeut të Shkodrës ka lënë vakëf (donacion)  340.000 akça (para) për ndërtimin e xhamisë dhe medresesë.  Përveç xhamisë së Bajraklisë dhe medresesë ka ndërtuar edhe hamamin (banjo publike),  tyrben(mauzoleu), mejtepin(shkollë fillore), ders-hanen (amfiteatër i vogël), kitabhanen (bibliotekë) në kuadër të kompleksit të xhamisë së Bajraklisë.  Koxha Sinan Pasha i Kaçanikut, i cili poashtu ishte me prejardhje shqiptare nga fshati Topojanë i Lumës në Shqipëri, i cili gjatë karrierës së tij edhe ai ka arrit  postin e Vezirit të Madh në oborrin e Sulltanit, në vitin 1589 i ka dhuruar libra të shumta bibliotekës së Mehmet Pashës. Tyrben Mehmet Pasha e ngriti në oborr të xhamisë së Bajraklisë me dëshirë që aty edhe të varrosej, por ajo ka mbetur bosh, pasi që ai ka ra dëshmor në fushëbetejë në Hungari në vitin 1596 dhe  aty është varrosur. Në tyrben e ndërtuar tani është vendosur biblioteka me dorëshkrime të vjetra orientale, në të cilin gjenden rreth 200 kitabe( libra) nga koha e Perandorisë Osmane në gjuhën arabe, perse dhe osmane (turke). Aty gjendet edhe një raritet i rrallë me vlerë jashtëzakonisht të madhe, dorëshkrimi i vjetër i Kur’anit nga viti 1312. Medreseja e Gazi Mehmet Pashës ka qenë medreseja më e vjetër, jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë, e cila ka punuar aktivisht gjer në vitin 1947 kur e kanë ndërprerë me dhunë procesin edukativo arsimor pushteti i atëhershëm komunist i ish Jugosllavisë. Gazi Mehmet Pasha ka shërbyer në shumë pozita të larta të Perandorisë Osmane, ka qenë vali në Erzurum e Nigebol të Turqisë, në vitin 1543 një kohë të shkurtër ka qenë vali i Bosnjës, si dhe beglerbej i Smederevës në Serbi. Gjatë ndërtimit të xhamisë së Bajraklisë ka qenë sanxhakbej i Qystendilit në Bullgari. Përveç hajateve(bamirësive) që ka ngritur në Prizren, në Budapest ka ngritur një hamam, një han(konak) dhe 2 teqe, ndërsa në Beograd një xhami dhe medrese.
Xhamia e Bajraklisë për besimtarët mysliman të Prizrenit është e një rëndësie të veçantë. Në atë mbahen të gjitha aktivitetet fetare për nderë të netëve të mëdha, muajit të Ramazanit, ditëve të Bajramit, si dhe të namazeve ditore, javore,mujore dhe vjetore të rregullta të cilat janë falë me xhemat pa ndërprerë edhe gjatë luftës dhe bombardimeve të NATO-së gjatë vitit 1999. Në popull është e njohur me emrin xhamia e Bajraklisë, pasi që prej ditëve të para të punës së saj, është ngritur flamuri në maje të minares për nderë të ditëve festive  dhe festave të Bajramit, traditë e cila vazhdon edhe në ditët e sotshme. Përveç tjerash, për Ramazan më së pari ndizen kandilat (dritat) gjatë iftarit, të cilat edhe shërbejnë si sinjal  për xhamitë tjera të  Prizrenit. Në te rregullisht mbahet edhe duaja(lutja) e haxhit dhe se prej xhamisë së Bajraklisë në mënyrë të organizuar bëhet edhe përcjellja e haxhinjëve për  Qaben e ndritur. Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit rregullisht këndohet edhe mukabelja si dhe ekzekutohen programet e ndryshme fetare për nder të ditëve të shënuara fetare nga ana e talebeve (nxënësve) të Medresesë së Prizrenit si paralele e ndarë e Prishtinës, si dhe imamëve të qytetit të Prizrenit, në organizim të Këshillit të Bashkësisë Islame(Vakëfit) të Prizrenit.
Mbi derën hyrëse të xhamisë qëndron mbishkrimi në gjuhën osmane, ku përveç tjerash shkruan: “se kjo xhami është ngritur në vitin 981 hixhri, nga ana e Gazi Mehmed Pashës i cili nuk e ka ngritur këtë xhami për shyhret(bukuri), por për emër të Allahut, të shërbejë qytetit të Prizrenit”.  Për ndërtimin e xhamisë së Bajraklisë kemi dy rivajete (gojëdhëna) tek populli:
Rivajeti i parë:” Gjatë kohës së ndërtimit të xhamisë kanë punuar shumë punëtor të rinj, e gjatë ditëve të nxehta verore kanë hjek të zirin e ullirit , për shkak të mospasjes së lokacionit të duhur për të kryer gusllin (larjen) e më pas edhe për të marr abdest për të falur pesë kohët e rregullta të namazeve. Pasi është njoftuar me këto probleme Gazi Mehmet Pasha, i ka ndërprerë punimet e xhamisë, dhe urdhëroi që më parë të ndërtohet hamami, pas përfundimit të hamamit,  me një shpejtësi të duhur vazhduan punimet në ndërtimin e saj, pasi që punëtorët tani i kishin të gjitha kushtet e duhura për mirëmbajtjen e higjienës trupore dhe punë të kryer mbarë”.
Rivajeti i dytë:” Para ndërtimit të xhamisë së Bajraklisë, Gazi Mehmet Pasha në oborrin e saj, në një gropë ka fshehur një sasi të caktuar të arit, i cili do të shërbente për rastet e jashtëzakonshme të dëmtimit të xhamisë si pasojë e fatkeqësive të ndryshme natyrore. Me një rast xhamia ishte dëmtuar shumë me rastin e vetëtimës , pas kësaj një besimtari të rregullt të xhamisë së Bajraklisë i cili falej pesë vaktet e namazeve rregullisht në xhami, ka parë në ëndërr tri net me rrallë se në lokacionin e duhur të oborrit, gjendet  një sasi e konsiderueshme të arit . Ëndrrën e vet ja tregon imamit të xhamisë, i cili së bashku me xhematlinjë gropojnë në atë vend dhe gjejnë sasinë e duhur të arit dhe me atë e kanë riparuar dhe rregulluar  xhaminë e dëmtuar”.
Xhamia e Bajraklisë shtrihet në një sipërfaqe të tërësishme prej 1907m2, nga e cila brendësia e xhamisë shtrihet  në 771m2 dhe oborri me sipërfaqe prej 1.136m2. Me rastin e faljes së namazeve të Bajramit mund të falen edhe gjer ne 1000 besimtar në këtë xhami madhështore dhe krenare e qytetit të Prizrenit. Ka kuben qendrore në të cilin janë vendosur një varg çupësh, të cilët prodhojnë  akustikë natyrore në xhami. Në brendi të xhamisë gjenden gjithsejtë  27 dritare me dimensione të ndryshme si dhe një derë hyrëse, si dhe pesë hyrjet anësore ndihmëse të xhamisë. Në oborrin e xhamisë gjenden dy dyer hyrëse, e përparmja dhe e prapmja. Mihrabi(vendi i caktuar nga i cili imami i xhamisë udhëheq xhematin me rastin e faljes së përbashkët) si dhe mimberi( vendi caktuar në xhami nga cili imami i xhamisë i mban ligjëratat javore dhe vjetore)  janë ndërtuar prej materialit të posaqshëm , që i përngjet një lloj mermeri të butë. Mbi mimber është e vendosur një levhë e bukur me thënjen”Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim” si dhe 8 levhat e zakonshme me mbishkrime të njohura të cilat sipas traditës gjenden anembanë xhamive të botës. Mahfili(vend i caktuar në xhami nga i cili myezini i ndihmon imamit gjatë udhëheqjes së namazeve të rregullta me xhematë) është ndërtuar prej llojit të drurit të posaçshëm dhe të qëndrueshëm. Çursi(vendi i caktuar në xhaminë të cilin imami i xhamisë i mban  derset
(ligjëratat) para fillimit të namazeve javore, mujore dhe vjetore është ndërtuar me një bukuri të rrallë, e cila është punim dore i mjeshtrit të punimeve të drurit, haxhi Ramadan Rexhepllarit. Në brendi të xhamisë gjenden edhe dy sahate të mëdha nga koha e Perandorisë Osmane si dhe një sahat i ri i kohës më të re. Në anën majtë dhe të djathtë të xhamisë gjenden vendet apo lokacione shtesë, në të cilat sidomos gjatë muajit të Ramazanit falen  gratë, si dhe janë edhe dy hapësira plotësuese para xhamisë, të cilët shërbejnë për të falur xhematlinjtë pasi që e tërë hapësira e brendshme e xhamisë mbushet.
Në vitin  1993-1994 nën udhëheqjen e imamit të xhamisë së Bajraklisë Reshat ef. Mexhiti dhe në koordinim të plotë të Bashkësisë Islame në Prizren si dhe ndihmës së pakursyer të xhematit të Prizrenit është kryer  restaurimi apo riparimi i tërësishëm i  xhamisë së Bajraklisë dhe mund të themi lirisht se sot kompleksi i tërësishëm i xhamisë së Gazi Mehmet Pashës në kuadër të cilit hynë ish medreseja(tani muzeu i Lidhjes së Prizrenit), ders-hanja(tani shtëpia e Lidhjes së Prizrenit), biblioteka, mejtepin(tani ndërtesa e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit), paraqet me të vërtet “per exellens” apo shembull i xhamisë më të rregulluar dhe të mirëmbajtur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe mund të krahasohet vetëm me kompleksin e xhamisë së Gazi Husrevbeut në Sarajevë të Bosnjës. Kur jemi tek kompleksi i xhamisë nuk mund e të mos përmend edhe 8 çeshmet (krojet), të cilët gjenden në oborr të xhamisë, dhe të cilët rrjedh uji pandërprerë natë e ditë, dhe të cilët gjer para luftës së Kosovës, kanë pasur ujësjellës të posaçëm që nga periudha e ndërtimit të xhamisë , e cila për fat të keq viteve nëntëdhjeta të shek. XX-të është kyçur në kompleksin e ujësjellësit të qytetit, e cila gjatë periudhës së kaluar kur ka qëlluar ndonjë avari apo prishje të ujësjellësit të qytetit, i tërë qyteti është furnizuar me ujë prej xhamisë së Bajraklisë gjer në evitimin e prishjes së ujësjellësit të qytetit.
Përveç tjerash xhamia e Bajraklisë e ka edhe rëndësinë historike  për popullin shqiptar në përgjithësi, ashtu që qyteti i Prizrenit me kompleksin e Lidhjes së Prizrenit i ka një  rëndësi të jashtëzakonshme, pasi që aty janë vu themelet e para të krijimit  të shtetit shqiptar i cili u kurorëzua në vitin 1912 me shpalljen e shtetit të pavarur të Shqipërisë, pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878 në xhaminë e Bajraklisë, e jo në ders-hanen apo shtëpinë e tanishme të Lidhjes së Prizrenit, që është një shtrembërim dhe falsifikim i qëllimshëm dhe me prapavi të caktuar politike të institucioneve shkencore gjatë periudhës së kaluar moniste. Ky kuvend ishte  përgjigje ndaj vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, i cili njohu përveç tjerash pavarësinë e Serbisë, Malit të Zi,  dhe zgjerimin e tyre, e edhe të Greqisë në kurriz të trojeve shqiptare të banuara me shumicë shqiptare të cilët ishin në kuadër të Perandorisë Osmane.
Me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, saktësisht me datën 12 qershor 2007 në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe myftiut të saj Naim ef.Tërnava është vendosur pllaka përkujtimore në xhaminë e Bajraklisë me këtë mbishkrim : ” Në këtë xhami është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, 10 qershor 1878”.
 
 
                                                                                       Faik MIFTARI

Exit mobile version