Xhamia e Larme e Tetovës, për çdo ditë vërshohet nga qindra turistë, nga vendet e ndryshme të Evropës. Numri më i madh i turistëve është nga Turqia. Turistët më së tepërmi interesohen për historikun e saj, por ka edhe të atillë që janë të pasionuar pas artit, dhe më tepër iu interesojnë freskat e xhamisë dhe dizajni i saj.
“Jam nga Turqia për të parë xhaminë, është e veçantë për ne, sepse jemi myslimanë dhe po ashtu xhamia është ndërtuar në kohën otomane, nga të parët tanë”
“Na pëlqen shumë kjo se është pjesë e të kaluarës tonë, vijmë nga Stambolli kemi ardhur në Maqedoni për ti parë gjërat e vjetra”.
Imami i xhamisë Abdulbaki Kasami, tha për Alsat M se, muajt e fundit është rritur dukshëm numri i turistëve të cilët dëshirojnë të shohin nga brenda Xhaminë e Larme.
“Se sa është numri i vizitorëve në dit nuk mundë të them po është numër i madh, ka ndodhur në ditë të vijnë 5, 7 e deri në dhjetë autobusë, shumica janë turqit dhe të gjitha shtetet evropiane.
Më tepër iu intereson arti, xhamia është e ndërtuar në mënyrë të veçantë dhe është shumë e bukur, dhe turistët zakonisht vijnë me atë që kanë lexuar në internet apo në libra”, tha Abdulbaki Kasami, imam në Xhaminë e Larme.
Për herë të parë Xhamia e Larme është ndërtuar në vitin 1495, ndërsa pas rrënimit për herë të dytë në të njëjtën formë është ndërtuar sërish vitin 1833-34,nga Abdurahman Pasha i Tetovës. Xhamia e larme e Tetovës është e vetmja xhami në vend , historia e së cilës mbi portën hyrëse është e shkruar në gjuhën e vjetër turke./Alsat-M/
Categories