Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.
Xhamia dhe kishat nuk janë vetëm objekte kulti. Sipas agjencisë kombëtare të Turizmit ndoshta po, por jo sipas turistëve të huaj që hasen në vendin tonë thuajse gjatë gjithë vitit. Në qendër të Tiranës shumëkush mund të ketë hasur në grupe turistësh që ndalen kureshtarë para Xhamisë së Et’hem Beut, dukshëm për historinë e saj dhe arkitekturën, përpos shërbesës fetare që ofron. Dhe jo rrallë mund të jenë parë të hyjnë në xhami duke respektuar rregullat dhe të sodisin gjithçka brenda saj.
Sepse pikërisht aty ku specialistët e turizmit nuk shohin përtej sipërfaqësores, janë turistët e huaj që e shndërrojnë një objekt kulti, në një vend turistik, në një ndalesë që pse jo, duhet të respektuar. Dhe në botë ka klasifikime për këto objekte kulti të renditura syresh edhe sipas bukurisë arkitekturore. I tillë është klasifikimi i gazetës së njohur The Huffington Post, e cila në tetor 2013 sjell për lexuesit online 51 xhamitë më të bukura në botë.
Dhe mendoni pak kush gjendet në këtë klasifikim? E përmbytura disa herë në këto vite të fundit, Xhamia e Plumbit në Shkodër! E vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. Ajo renditet në vendin e 37 para xhamisë Vahsiz Khan në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë Jami Ul Alfar në Sri Lanka. Në vendin e 31 renditet Xhamia Blu në Stamboll të Turqisë, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare është Xhamia e Madhe në Paris.
Në fund të listës renditen xhami e Lindjes së Diellit në Melburn të Australisë dhe Xhamia Kombëtar e Abujas në Nigeri. Po kush renditet në vendet e para? Është pikërisht xhamia Mashkhur Jusup në Kazakistan, dhe në vend të dytë Xhamia e Kristaltë në Malajzi. Vendi i tretë i takon një xhamie në vendet e ftohta të Europës. Është xhamia e Nusrat Djahannë Kopenhagen të Danimarkës. Në Islamabad të Pakistanit gjendet xhamia e katërt më e bukur në botë, Shah Faisal Masjid dhe fill pas saj renditet Xhamia Şakirin në Stamboll.
Nuk mbeten pas as xhamitë e ndërtuara në Europë. Kështu në vendin e 27 është xhamia Schëetzingen në Baden-Ëürttemberg të Gjermanisë ndërsa në vendin e 22 është Xhamia Regent’s Park në Londër të Anglisë. Natyrisht janë vendet ku besimi mysliman është dominant kanë numrin më të madh në listën e 50 xhamive më të bukura në botë. Disa xhami nga Malajzia, India, Arabia Saudite, Afganistani apo Pakistani janë renditur në këtë klasifikim.
Historia e Xhamisë së Plumbit
Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.
Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të patur një element të tillë, vetëm ata.
Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive.
Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.
Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhria e veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773 Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas këtij, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq.
Xhamia e Plumbit në mes të ujit
Fotoja që i referohet klasifikimit të gazetës së njohur The Huffington Post e paraqet Xhaminë e Plumbit në mes të ujit. Ndonëse disa prej xhamive më të bukura janë thuajse në mes të ujit, nuk dihet nëse gazetarët e huaj e kanë kuptuar faktin se uji që rrethon xhaminë shqiptare nuk ka të bëjë fare me një stisje arkitekturore.
Legjenda
Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin që me i treguar popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij.
(Shqiptarja)
Categories