Categories
Lajme

Xhamia përtej zgjedhjeve

Mediat vizive dhe të shkruara kanë raportuar këto ditë se në vazhdën e prerjes së shiritave të «mashtrimeve», sçi i ka quajtur kreu i AKZ, Kreshnik Spahiu, prerjet simbolike të shiritave që synojnë të denoncojnë premtimet e pambajtura të Berishës, ai ka bërë një gjë të tillë edhe tek Namazgjaja, aty ku supozohet të ngrihet xhamia qendrore e Tiranës. Citojmë nga Top Channel:
Kreshnik Spahiu, në prani të mbështetësve të AK-së, tek vendi ku u percaktua nga bashkia e Tiranës, ngritja e xhamise në krah të Parlamentit, preu simbolikisht shiritin e mashtrimeve, siç quajti te gjitha premtimet e pambajtura të kreut aktual të Qeverisë. “Ky njeri, i cili për 22 vite, mashtroi dhe diskriminoi qindra mijëra besimtarë myslimanë, natyrisht që do të marrë ndëshkimin e popullit dhe mallkimin e Zotit. Aleanca Kuqezi premton se qindra mijë besimtarë myslimanë do të jenë të lirë dhe të barabartë në besimin e tyre për të ushtruar dhe praktikuar si qënie njerëzore të barabarta përpara Zotit dhe përpara ligjit dhe ku shteti të mos ndërhyjë te feja për të diskriminuar dhe për të keqtrajtuar pjesën mazhorancë të popullsisë shqiptare” –  tha Spahiu. Aleanca shoqëroi denoncimin edhe me paraqitjen e fotografive që kjo forcë politike e emërtoi “Ekspozita e mashtrimeve të Berishës” me komunitetin mysliman.
Duhet vlerësuar evidentimi i diskriminimit ndaj bashkësisë muslimane nga secila lëvizje politike apo civile, persona publikë, liderë e qytetarë ku rasti i xhamisë së pandërtuar është vetëm ilustrativ, por jo i vetmi. Në atë vend, guri i themelit për xhaminë është vendosur mbi 20 vjet më parë, por qeveritë socialiste e demokrate për më shumë se njëzet vjet penguan ndërtimin e xhamisë në tokë të saj, në të njëjtën kohë kur bashkësive të tjera fetare ju dhanë hapësira publike.
Edhe premtimi më i fundit për ndërtimin e xhamisë nga qeveria aktuale u hodh në tryezë vetëm pasi kryebashkiaku socialist Edi Rama, në prag të zgjedhjeve, solli projektin e ndërtimit të xhamisë pas Pallatit të Operas dhe Baletit.
Vëmedja tek xhamia vjen sërish në vazhdën e një fushate elektorale në një klimë tejet të acaruar dhe të polarizuar politike. Teksa vlerësojmë mbështetjen e kujtdo, mendojmë se përdorimi i xhamisë së munguar në vazhdën e fushatës elektorale nuk është produktiv dhe transmeton mbresën e manipulimit politik të një tempulli, i cili, qoftë në mungesën e vet domethënëse, është i rëndësishëm për muslimanët shqiptarë.
http://www.e-zani.com/2013/03/11/xhamia-pertej-zgjedhjeve/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version