Është fakt i mirënjohur se arkitektura osmane e xhamive përfitoi shumë nga tradita bizantine dhe shihet edhe në vende të tjera me traditë të pasur të arkitekturës islame si Egjipti – fjala vjen – se arti i krishterë para-islam la gjurmë dhe komunikoi me arkitekturën islame që u zhvillua më pas. Arkitektura islame e gjendur nëpër xhami në katër anët e botës – përfshi gjurmët e arkitekturës budiste në Lindjen e Largët – nuk janë replikime të një modeli statik nga një moment unik i së shkuarës, por një komunikim me traditën aktuale, me ambjentin rrethues, me kultura të tjera ashtu si me aspiratat që e frymëzojnë këtë arkitekturë.
Cila është domethënia e replikimit të një arkitekture osmane, aspak frymëzuese dhe të sterilizuar si objekti kryesor i kultit të myslimanëve? Ndërkaq në forume online është përfolur plagjiatura e mundshme e objektit që po ngrihet tek Namazgjaja. Në anën tjetër, dimensioni pragmatist/funksional i katit përdhesë i jep dimensionin e kioskës provinciale një objekti në qendër të kryeqytetit. Si objekt arkitekturor, ai është një replikim i trishtueshëm, që vetëm zë një hapsirë pa provokuar, pa frymëzuar, pa zgjuar kërshëri.
Ishte një shans që myslimanët të reflektonin një identitet të ri e modern, por kjo përzgjedhje është dhe njëherë tregues se vendimarja fetare është në duart e njerëzve pa imagjinatë e vizion, pa shije e mbi të gjitha, pa hapjen e duhur për të ftuar zërat e mendjet më të mira të bashkësisë për të kontribuar në këtë objekt identifikues për të gjithë bashkësinë.
Së fundmi, afërsia e këtij eventi me zgjedhjet ripërtërinë shijen e keqe të politizimit të xhamisë, ashtu si ndodhi në zgjedhjet e kaluara duke e kthyer xhaminë në një pankartë elektorale./ezani/
Categories