Merr një tjetër dimension skandali më i madh i dyshes Berisha-Basha me projektin e ndërtimit të Xhamisë së Tiranës, në sheshin e Namasgjasë, pas të cilit fshihet plani i Bashës dhe i familjes Berisha për ndërtimin e disa kullave të biznesit. Gazeta “SOT”, zbardh dokumentet që konfirmojnë se pas projektit të xhamisë, shihet ndërtimi i 4 kullave të biznesit. Fillimisht flitej për dy kulla shumëkatëshe, por dokumentet tregojnë për ndërtimin e katër kullave, pas të cilës fshihet rrethi familjar dhe klientelist i Lulzim Bashës dhe i Sali Berishës. Kullat do të jenë nga 6 deri në 12 kate, të cilat do të ndërtohet ngjitur me xhaminë. Zbatimi i projektit për kullat jo vetëm që grabit një pjesë të trotuarit, në vendin e quajtur kryqëzimi i Elbasanit, por do të bllokojë edhe trafikun përgjatë bulevardit. Ndërkaq, projekti është mbajtur në fshehtësi dhe është kamufluar qëllimisht pas projektit të xhamisë. Madje, Basha dhe Berisha, në mënyrë të turpshme dhe të paprecedentë përdorën projektin e xhamisë për të ndërtuar kullat rrethi i tyre klientelist dhe familjar. Ky është skandali më i madh i kryebashkiakut të votave të vjedhura, Lulzim Basha, pas skandalit me zgjatimin e Bulevardit të Tiranës dhe aferës me Rrugën e Kombit, ku vodhi 230 milionë euro. Ndërkaq, kullat do të ndërtohet nga një njeri pranë Bashës, me origjinë nga Vlora. “Ndërtuesi sh.p.k”,  kompania e personit në fjalë, ka fituar edhe tenderat e Bashkisë së Tiranës. Kjo kompani ka fituar tendera për rikonstruksionin e çerdheve dhe rrugëve.
Leja
Leja për ndërtimin e kullave në kryqëzimin e rrugës “Georga Bush” dhe Bulevardit “Zhan D’Ark, Tiranë, është dhënë në datë 29.05.2013. Ndërkaq, plani urbanistik i Tiranës është miratuar më vonë. Kujtojmë këtu se ish-kryeministri Sali Berisha e ka firmosur planin urbanistik të Tiranës në datën dy qershor. Siç shihet, leja është dhënë para se të miratohej plani urbanistik, çka përbën një skandal të paprecedentë. “Këshilli Kombëtar i Territorit. Vendim nr 2, datë 29.05.2013 për leje zhvillimore komplekse për ndërtimi e xhamisë së Namasgjasë dhe godinës polifunksionale (3, 4, 6, 8 kate dhe 3 kate nëntokë, në kryqëzimin e rrugës “Georga Bush” dhe bulevardit “Zhan D’Ark, Tiranë. Në mbështetje të nenit 8, neni 70/8 dhe nenit 70/11 të ligjit nr. 10119 datë 23. 04. 2009 “Për planifikimin e territorit”,vendimit nr. 87. 07. 02. 2012 të Këshillit të Ministrave “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Territorit”, Këshilli Kombëtar i Territorit, vendoi; Të miratohet leje zhvillimore komplekse për ndërtimi e xhamisë së Namasgjasë dhe godinës polifunksionale (3, 4, 6, 8 kate dhe 3 kate nëntokë, në kryqëzimin e rrugës “George Bush” dhe bulevardit “Zhan D’Ark, Tiranë. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e KKRT.
Berisha
Sali Berisha ka firmosur pak para zgjedhjeve të 23 Qershorit planin urbanistik të Tiranës, të cilën e ka quajtur si Kushtetutën e kryeqytetit. Berisha pohoi se me këtë plan rregullues janë garantuar fondet dhe përfunduar projektet për ndërtimin e bulevardit të ri deri në Paskuqan, po ashtu dhe vazhdimi i bulevardit “Zogu I” dhe zonat rekreative rreth lumit të Tiranës. “Ky është plani i Tiranës së këtij shekulli, që miratohet pasi janë përfunduar projektet dhe garantuar fondet për ndërtimin e bulevardit të ri deri në Paskuqan, si vazhdim i bulevardit ‘Zogu I’ dhe krijimit të një zone rekreative në zonën e lumit të Tiranës. Kushtetuta e re e territorit të Tiranës funksionon mbi bazën e ligjeve që shkurtojnë kohën e lejeve të ndërtimit prej 399 ditësh, e treta më e gjatë dhe më e korruptuar në botë, standard i zotit Rama, në 45 ditë, standard i zotit Basha dhe Partisë Demokratike. Plani i ri u premtua 11 vjet më parë nga ish-kryetari Rama, por nuk e bëri asnjëherë sepse i pëlqente betonizimi dhe 20 përqindëshi i tij. Ne jemi ndryshimi. Ne jemi zhvillimi. Përpara!”, ka deklaruar Berisha.
Leja
Datë 29.05.2013
Këshilli Kombëtar i Territorit miraton katër kullat
Datë 02.06. 2013
Ish-kryeministri Sali Berisha miraton planin rregullues të Tiranës
Komuniteti mysliman
Komuniteti mysliman ka mbështetur vendimin e Gjykatës së Tiranës për ndërtimin e xhamisë, ndërsa ka preferuar të qëndrojë larg komenteve. “Ne jemi larg retorikave boshe. Tirana ka nevojë për atë xhami, e ka pasur prej kohësh, rreth 80 vjet që bëhet kërkesë. Nuk kemi ndonjë objeksion për kërkesat e ambientalistëve, nuk i hedhim poshtë pretendimet e tyre, por ai truall është pronë e KMSH-së dhe është marrë një vendim i drejtë për këtë çështje”, argumentoi Roald Hysa, sekretar i Forumit të Myslimanëve. Prej vitesh, besimtarët myslimanë në kryeqytet, në çdo feste faleshin në bulevard për shkak të mungesës së ambienteve, situate kjo që pritet të jetë e njëjtë edhe për këtë Fiter Bajram. Por, ambientalistë, arkitektë, urbanistë dhe qytetarë të thjeshtë, kanë protestuar kundër ndërtimit të dy kullave të mëdha pranë Parlamentit, aty ku është planifikuar që të ndërtohet xhamia. Ata kanë bërë apel sërish që të mos shkatërrohet i vetmi park i mbetur brenda unazës së Tiranës. Ata thonë se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por nuk duhet abuzuar në emër të saj. Sipas tyre, pas projektit për ndërtimin e xhamisë, fshihet projekti për ndërtimin e dy kullave.
Leja e ministrit Visar Zhitit
Republika e Shqipërisë
Ministria/Bashkia/Komuna
Rruga e Kavajës, Tiranë, Shqipëri
LEJE ZHVILLIMORE KOMPLEKSE
Numër Protokolli 3306, Datë 14/06/2013
Miratuar me:
Vendim të KKT
Numër 2, Datë 29/05/2013
Leja Zhvillimore komplekse për :Xhamia e Namazgjasë (1, 2, 3, 4 kate, 3 kate nën tokë)
Dhe Godina polifunksionale (3, 4, 6, 8 kate, 3 kate nën tokë)
Me vend-ndodhje: Kryqëzimi i rrugës George Ë. Bush dhe bulevardi Zhan D’ark, Tiranë
I jepet zhvilluesit: “Komuniteti Mysliman I Shqipërisë”, “Ndërtuesi” SHPK
I regjistruar si subjekt me të dhënat e mëposhtme: “Komuniteti Mysliman I Shqipërisë” Nipt J62224004Q, Kart Identiteti: H. Selim Muça    Numër 024450292
“Ndërtuesi sh.p.k”, Nipt J66828210D
Afati kohor i kësaj leje është deri tani në datën: 48 muaj
Kondicione teknike (në funksion të specifikave të strukturës që zhvillohet, me poshtë jepen të dhënat teknike kryesore të saj)
1 – Sipërfaqja e truallit që zhvillohet:  9220.5 m2
2 – Sipërfaqja e truallit e zënë nga struktura (gjurma): 5233.38 XH.N+ 1543  m2
3 – Sipërfaqja totale e ndërtimit: 27167 XH.N + 15623 790 m2
4 – Lartësia maksimale e strukturës: 52.42 m XH.N dhe 28 m G.P
5 – Numri i kateve mbi tokë: 1-8 kate
6 – Numri i kateve nëntokë: 3 kate
Kondicione të veçanta
~ Të respektohet destinacioni i zhvillimit për ndërtimin e strukturës, si dhe treguesit e zhvillimit
~ Të respektohet radha  e punimeve sipas projektit të miratuar dhe grafikut të punimeve
~ Të rrethohet zona ku ndërtohet dhe të mbahet pastër mjedisi përreth
~ Për çdo ndërhyrje në rrjetin e infrastrukturës publike sipas projektit të miratuar të kontaktohet me institucionet përkatëse në mënyrë që të mos krijohen shqetësime në rrjetin publik.
~ Gjatë zbatimit të punimeve objekti do të kontrollohet nga autoritetet e Kontrollit të Zhvillimit dhe Inspektoratit Ndërtimor
~ Në shkelje të kushteve ligjore të kësaj leje do të merren masa konform ligjit. Ministri Visar Zhiti.