Zbulohet struktura e re e kabinetit qeveritar. Socialistët dhe aleatët e saj të LSI-së duket se kanë vendosur që të ndryshojnë strukturën e qeverisë, bazuar edhe në prioritetet e programit të tyre, të bërë publik edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve.
Burimet nga partitë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane bënë të ditur dje, se 4 janë ministritë që do të ndahen, për të krijuar “bijëza” të tyret. Kështu Ministria e Punëve Publike dhe Transportit pritet të ndahet në Ministrinë e Transporteve, e cila thuhet se do t’i lihet LSI-së. Mendohet se do të drejtohet nga Ylli Manjani.
Prej ministrisë së vjetër do të dalë edhe një tjetër ministri, ajo e Zhvillimit Rural. Meqenëse PS i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe fshatit dhe zhvillimit të tij, ka menduar që kjo të ketë një dikaster përgjegjës.
Ministria e Brendshme do të ndahet sërish si para vitit 2005, në kohën kur qeveria drejtohej nga socialistët. Veç Ministrisë e Rendit, e cila deri më tani thuhet se do t’i besohet Saimir Tahirit, do të jetë ajo e Pushtetit Vendor, dikaster që në kohën e socialistëve është drejtuar nga Bashkim Fino, Ben Blushi, ndërsa tashmë ende nuk përflitet një emër i saktë.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të ndahet gjithashtu në dy pjesë, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë dhe në Ministrinë e Energjetikës. Për të parën flitet se do të jetë Mimi Kodheli që do ta drejtojë, nëse ajo pranon të heqë dorë nga mandati i deputetes.
Nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve do të dalin plot 3 dikastere të reja. Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të jetë një nga dikasteret, më pas një tjetër ministri do të jetë për Rininë dhe Emigracionin, për të cilën flitet Erjon Veliaj.
Dhe një ministri e veçantë do të jetë vetëm për Sportet, pra Ministria e Sporteve, për t’i kushtuar një rëndësi maksimale sportit.
Kryeministri i ri, Edi Rama ka menduar që Ministrinë aktuale të Inovacionit dhe Telekomunikacionit ta zgjerojë dhe të mos e lërë vetëm me një ministër pa staf, por ta kthejë në një ministri (të ristrukturohet nga ministër, në ministri. Ende nuk dihet nëse për këtë pozicion do të lakohet emri i Milena Haritos, e njohur për dijet e saj në fushën e teknologjisë.
Në fakt, kjo ndarje e re e kabinetit qeveritar, por edhe e përgjegjësive, zbardhur nga “Gazeta Shqiptare” nuk dihet nëse është bërë për shkak të premtimeve që duhen mbajtur kundrejt shqiptarëve apo për të kënaqur aleatët, por edhe të gjitha figurat brenda Partisë Socialiste, që u angazhuan në një proces të gjatë të hartimit të programit të partisë. (BW)
Categories