Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kështu analistët e komentojnë krizën e vazhdueshme politike në vend, e cila përngjan edhe në fushatë parazgjedhore. Analistët Ismet Ramadani dhe Petar Arsovski theksojnë se sa më shumë i afrohemi marsit, të rezervuar për zgjedhjet presidenciale, aq më shumë i afrohemi edhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Në qoftë se deri në samitin e dhjetorit nuk bëhet ndonjë hap përpara në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe nëse nuk merret datë për bisedime me BE-në atëherë ka gjasa shumë reale se në mars mund të bëhen zgjedhje parlamentare me gjithë ato presidenciale”, deklaroi analisti Ismet Ramadani.
“Ashtu si po afrohen zgjedhjet presidenciale, ashtu po rriten edhe shanset për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Rritet tensioni në parlament, të dy partitë më të mëdha insistojnë në atë se po përgatisin terrenin për zgjedhje, e veçanërisht partitë më të vogla si Grom, Aleanca për Maqedoni pozitive po i përforcojnë aktivitete e tyre. Maqedonia është tëre kohën në krizë politike, por eskalimi i krizës politike mund ta sjell shtetin në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, u shpreh analisti Petar Arsovski.
Edhe pse anketat tregojnë rejting të pacënueshëm të dy partive në qeveri, të dy analistët nuk përjashtojnë mundësinë që në këto zgjedhje opozita, sidomos ajo maqedonase, të gjej shansin e saj.
“Sipas analizave të mia, po të mbahen zgjedhjet presidenciale në mars dhe ato parlamentare në vjeshtë të 2014, në zgjedhjet presidenciale janë shumë reale shansat që presidentin ta fitojnë partitë opozitare, e nëse presidenti fitohet nga partitë opozitare krijohen kushte që zgjedhjet parlamentare të vjeshtës të fitohen nga opozita. Flas për opozitën maqedonase. Ndërsa sa i përket bllokut shqiptar, BDI-ja mbetet favoritja pa konkurencë që do ta rrezikonte”, tha Ramadani.
“Shanset që diçka do të ndryshojë me këto zgjedhje janë të vogla sepse partia qeveritare ende ka shumë përparësi, mirëpo shanse për ndryshim mund të ketë nëse zgjedhjet caktohen 5 minuta para 12, atëherë qeveria do të ketë problem pasi që zgjedhjet e parakohshme dihet se mbahen vetëm kur ka ndonjë problem. E kjo logjikisht që do të jetë problem i qeverisë”, u shpreh Arsovski.
Nëse konfirmohen pritjet për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, atëherë do të ishte hera e tretë me radhë që qeveria VMRO – BDI nuk përfundon mandatin 4 vjeçar. Zgjedhje parlamentare në afatin e rregullt në Maqedoni për herë të fundit janë mbajtur në vitin 2006. /Portalb
EDITOR
11 years ago
next article
Debati mbi martesat gay dhe realiteti
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
7 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
7 days ago