Në momentin që opozita do të kthejë mandatet e deputetëve, pushteti do të shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu thonë për “Lajm” burime të larta shqiptare në Qeveri, duke insistuar të mbeten anonime. Sipas tyre, nëse opozita me të vërtetë kthen mandatet, atëherë Kuvendi do të jetë jofunksional dhe zgjedhjet do të jenë të paanashkalueshme.
“Mendoj se ky variant është shumë i realtë, sepse ndryshe është kur opozita bojkoton dhe ndryshe është kur i kthen mandatet. Mendoj se në atë situatë edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski do të pranojë zgjedhje të parakohshme, pa marrë parasysh qëndrimet e tij kategorike aktuale. Pas zgjedhjeve lokale Gruevski do të jetë në pozitë më të volitshme, sepse do të ketë nën kontroll gati tërë pushtetin lokal në pjesën maqedonase. Andaj humbja eventuale e zgjedhjeve parlamentare nuk do t’i shkaktojë dëmin e njëjtë sikur të humbte edhe në zgjedhje lokale edhe në parlamentare”, thonë këto burime për “Lajm”. Mirëpo ata ende nuk e përjashtojnë në tërësi mundësinë për anulim të zgjedhjeve lokale dhe prolongim për një datë tjetër.
“Me afrimin e zgjedhjeve do të shtohet edhe presioni ndërkombëtar për gjetjen e një rrugëdalje nga kriza. Kjo rrugëdalje mund të kërkohet në prolongimin e zgjedhjeve lokale për një datë tjetër”, theksojnë këto burime.
Ndërkaq, analistët janë të mendimit se kryeministri Nikolla Gruevski do ta ndryshojë qëndrimin e tij për zgjedhje të parakohshme, para dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës. “Gruevsi do ta ndryshojë mendjen para dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës, e kemi momentin e bojkotimit të opozitës në zgjedhjet lokale. Vetë ndodhja e zgjedhjeve pa opozitën do të sjellë ndryshimin e qëndrimit të kryeministrit. Nuk është hera e parë që Gruevski e ndërron mendimin. Ai më herët e ka ndërruar mendimin për kishën në shesh të Shkupit, e ka ndërruar mendimin edhe në kala, por gjithmonë ai kërkon kohë dhe ka kërkuar zgjidhje të cilat i ka bërë në shpinë të shqiptarëve. Ka gjasa që sërish ai të përdorë ndonjë moment në marrëdhëniet ndëretnike”, thotë për “Lajm”, analisti Ramadan Ramadani.
Në ndërkohë Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka përsëritur paralajmërimet për kthimin e mandateve të 42 deputetëve të saj dhe të koalicionit opozitar.
Sekretari i LSDM-së, Andrej Petrov, ka deklaruar se plani për kthimin e mandateve do të realizohet ditën e zgjedhjeve të 24 marsit, atëherë kur, sipas tij, Maqedonia do të mbetet pa demokraci.
“Do t’i dorëzojmë deklaratat të cilat janë mbledhur dhe firmosur tashmë, pasi të bëhet e qartë se nuk ka demokraci, se nuk ka marrëveshje për krizën politike. Atë ditë, Kuvendi do të mbetet pa 42 deputetë”, ka deklaruar Petrov./lajm/
Categories