Categories
Lajme FRI

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në fund të marsit 2014?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni do të mbahen nga fundi i muajit mars, bën të ditur agjencia e lajmeve INA. Një zyrtar i lartë i Qeverisë ka theksuar se zgjedhjet tashmë janë diçka që do të ndodhin në tremujorshin e parë të vitit të ardhshëm.
“Tashmë është gjithçka e përcaktuar dhe partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI po bëhen gati për këto zgjedhje të parakohshme që do të jenë në pako me ato të rregullta presidenciale. Dy partitë në pushtet nuk përjashtojnë mundësinë e një strategjie për të arritur një marrëveshje interne të bashkëpunimit, duke ndërlidhur këtu përkrahjen për kandidatin presidencial”, theksoi për INA, zyrtari i lartë i Qeverisë.
Partitë politike disa muaj më parë po zhvillojnë fushatë indirekte nëpër zona të ndryshme të vendit, duke promovuar projekte dhe programe.
VMRO-DPMNE e kryesuar nga lideri dhe kryeministri Nikolla Gruevski ka promovuar disa projekte qeveritare në pjesën lindore dhe verilindore të vendit, duke premtuar edhe projekte tjera në infrastrukturë, ekonomi, shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera.
Derisa LSDM gjithashtu është lëshuar në terren ku po promovon para qytetarëve programin e saj të ri me moton “për rikthimin e klasës së mesme qytetare”, që përmban pako sociale dhe  ekonomike për siç thuhet përtëritjen e vendit.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare BDI dhe PDSH janë aktive në terren sa i përket takimeve me struktura partiake në bazë, duke kërkuar mobilizim për zgjedhjet. Zgjedhjet janë të pashmangshme edhe pas rezultatit negative që do të shpallet në samitin e së premtes të BE-së, kur vendi për pestën herë me radhë përkundër statusit të vendit kandidat, nuk ka siguruar datën për hapjen e negociatave për anëtarësim. (INA)

Exit mobile version