Categories
Opinione

Zgjedhjet politike, ferrë në sy të fukarasë!

Shumë kohë më parë një analisti nga Tirana i kishte “munguar” infor-macioni për një vaki. Përtej kësaj, gjatë ndërtimit të një analize të radhës, ai ia kishte “futur bythëpraptas ashtu kot së koti”. Lëre se e kishte bërë ashtu si e kishte bërë, lëre se ia kishte “futur ashtu si me (pa) tamam”, por ama edhe ia kishte postuar një gazete goxha prestigjioze! Kryeredaktori i kishte thënë: “Që kjo analizë jotja politike të botohet në gazetën time, fillimisht duhet të heqësh paragrafin që denigron kujdesin dhe durimin e lexuesit”. Ky analist “qerrata” as që e kishte pasur ndërmend të përfillte sugjerimet e kryeparit të gazetës dhe lëre që nuk e hoqi këtë “kot-futje”, por ia shtoi edhe një tjetër më të “vrazhdë”. Kur e pyetën se pse nuk e hoqe paragrafin, ai u “justifikua” me përgjigjen: e mori “havaja”!?
Shumë kohë më vonë “inati i tij prej shqiptari”, ia “mori kokën”, sepse në analizën e tij politike kishte “ngatërruar” njerëzit e mëhallës së tij me kafshët shtëpiake, kishte “ngatërruar” të mençurit me budallenjtë, kishte “ngatërruar” esnafin me legenin, kishte “ngatërruar” pronarin e bordellos me teologun, mandej thashethemexhiun me intelektualin, kishte “ngatërruar” kurvarin me moralin e moralistit, kishte “ngatërruar” kumarxhiun me doktorin nga Tropoja, kishte “ngatërruar” sharlatanin me bohemin nga Parisi, kishte “përzier” spurdhjakun me bamirësin, kishte “ngatërruar” çallamxhiun provincial me “telashet dhe sikletet” e fukarenjve, kishte “ngatërruar” njerëzit që kanë një barrë mend me ata që kanë fara kungulli në kokë, shpresën me zhgënjimin, kishte “ngatërruar” demokracinë me diktaturën, kishte ngatërruar lëvdatat me sharjet, kishte “ngatërruar” premtimet politike me gënjeshtrat, kishte “ngatërruar” lakuriqin e natës (që nuk ka sy, por që shikon) me politikanin që ka sy, por që nuk sheh gjë atypari, kishte “ngatërruar” kontrabandistin me votuesin dhe…, një Zot e di çka tjetër “(nuk) kishte ngatërruar”! Në fund, kishte vajtur deri aty sa që kishte kritikuar vasalët e partive politike! Këto “ngatërrime” i kishte bërë kryekëput me qëllim.
Ky analist që sot e gjithë ditën e Perëndisë konceptohet si një njeri me shpirt të trazuar dhe me “mendje të vakët” kishte harruar se mirëqenia e tij materiale kryekëput varet nga “dorëzgjatja” e atyre që mbase punët i kanë në “terezi”. Ata që në vijimësi e përgojojnë analistin në fjalë do të thonë se i gjithë ky inat i tij “i përngjan shehërliut”, i cili kur nuk ka punë më të mençur për të bërë, ecën a endet këmbëzbathur nëpër livadhet e “katundarëve” të mbushura me ferra. Se kjo analizë politike i këtij analisti nga kryeqendra e shqiptarëve të rebeluar ishte komedi, dramë a butafori, vetëm një dreq e di. Sikur sot ta “pyesësh kryeplakun e dreqërve” se ç’është kjo “shkarravinë”, e Fatosit, ai do të japë përgjigjen se e gjithë kjo thënie s’është ngjarje a ndodhi që të bën të qeshësh, s’është as ngjarje e rëndë a tronditëse, po s’është as shkrim mashtrues, mbase duhet të jetë thjesht një trilogji që është karakteristike për Gadishullin Ilirik!?
Që edhe ky shkrim yni “të mos ngatërrohet” dhe të mos jetë “kot-futje” do t’u referohemi dy barsoletave politike që lakohen nga koha e njëmendi-msisë, ndaj do t’i sjellim edhe në “gjuhën e origjinalit”. E para thotë: “Më me rëndësi është që nesër në zgjedhje të merrni me vete letërnjoftimin, sesa mendimin tuaj. Pa letërnjoftim nuk mund të votoni, kurse mendimin tuaj mund ta merrni në vendin e votimit”! E dyta ka këtë shpjegim: “Më kërcasin zorrët. Më falni që po prish heshtjen parazgjedhore!”. Ata që merren me shpjegimin e barsoletave thonë se ato janë gjysmë të vërteta, ashtu sikurse edhe këto të lartpërmendurat.
Ne, në këtë shkrim, fillimisht do të llafosim institucionet kushtetuese siç janë: Zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare që do të organizohen në Republikën e Maqedonisë, tash në kohën e tranzicionit të tejzgjatur, të bezdisshëm, banal si dhe të pafund, një tranzicion që është shndërruar në strehë të përhershme për njerëzit që kur nuk kanë pulën, e hanë sorrën…, veçmas njerëzit të cilët duhet të bëjnë politikë parimore, me vizion dhe pa tarafe…, hiq mënjanë politikanët e mirëfilltë dhe të kulluar.
Ky ndërkalim a tranzicion politik, ekonomik, social kulturor…, një herë e përgjithmonë duhet hequr nga qafa e shqiptarëve. Që ta bësh këtë gjithsesi se duhesh të jesh një politikan largpamës që do t’i sfidoj të gjitha paragjykimet, të gjitha inatet a ngatërresat, sidomos tash në vigjilje të  zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të parakohshme parlamentare. Nëse do të mungojnë të tillë njerëz, atëherë shqiptarët edhe kësaj radhe do të duhet të ballafaqohen me atë avazin e vjetër, me atë retorikën politike grindëse, me thashethemet e njohura, me atë ADN-në politike të padefinuar, me atë moshën politike të cilës i mungon arsyeja, me mungesën e pragmatizmit politik, me mungesën e impaktit politik, me mungesën e fjalës së lirë a mendimin ndryshe, me atë retorikën denigruese të konsumuar si dhe me fyerjet e harxhuara. A mos vallë, votuesi shqiptar (pavarësisht se cilës parti politike i takon) edhe kësaj radhe nuk do ta dallojë mishin prej peshkut, a mos vallë edhe kësaj radhe do ta “ngatërrojë” shapin me sheqerin, a mos vallë “sabah e aksham” do ta “ngatërrojë” të drejtën e merituar me atë të pamerituarën, të nëpërkëmbur a edhe të abuzuar. A mos vallë, edhe kësaj radhe gjegjësisht kur do të organizohen zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, neve (nuk) do të na interesojë se vota shqiptare a do të jetë fituese a humbëse…, për ne me rëndësi është se ajo votë sa do të jetë e ndershme, autonome, humane dhe emancipuese. Kjo votë deliberative e gjithsecilit votues, a mos vallë, edhe kësaj radhe që në fillim do të kontrollohet e mandej edhe do të fyhet, a mos vallë (nuk) do të duhet që kulti i votës ta prevalojë kultin e partisë politike dhe kryeparit të saj, a mos vallë (nuk) do të duhet që kjo votë e lirë e votuesit të jetë autonome apo do të jetë peng a “kurban” i tranzicionit dhe partisë politike që ka “ngjyrë donkishoteske”, a mos vallë që edhe kësaj radhe “obligimi i votuesit” (nuk) duhet të konceptohet si ajo “puna e Sizifit”…, a mos vallë kjo votë (nuk) duhet të konceptohet si konfliktuale…, votë kjo që do prodhojë konfliktualitete ndër shqiptarë…, a mos vallë, edhe kësaj radhe kjo votë do të nëpërkëmbet ashtu mizorisht…, a mos vallë kjo e drejtë e votës së gjithsecilit duhet të mbetet peng i tranzicionit tonë të stërzgjatur, apo (nuk) duhet të mbetet në pronësi të ideatorëve provincialistë…, atyre që e sajuan këtë “gjëegjëzë  politike a edhe ekonomike”…, a mos vallë kjo votë (nuk) duhet t’u mbetet në pronësi atyre që e sundojnë atë të drejtë kushtetuese…, a mos vallë edhe njëherë do të lejojmë që sorra të na i hajë mendtë…, apo, në instancë të fundit, ashtu pavullnetshëm, do të detyrohemi t’i shikojmë edhe një herë ato “telenovelat politike të bezdisshme dhe bajate” këtu dhe matanë nesh.
Se edhe kësaj radhe a do të votoj apo jo me kartën e identitetit, është e drejtë imja, pavarësisht se vota “do të shkojë huq”…, mendimin nuk do ta “ndryshoj pasi që nuk e kam dhe as që e kam pasur”(!?)…, ndoshta  nuk më duhet, sepse në këtë kohë të pakohë, për mua dhe për shumë të tjerë të tillë si unë ka kush të mendojë. Sikur Mitrush Kuteli të ishte në mesin tonë, do ta parafrazonte atë mendimin e tij sarkastik: “Rroftë mileti pa brekë”! Ju lutemi, na ndjeni për këtë fjalë, pavarësisht se këtë fjalë nuk e thashë unë, po e ka thënë Kuteli dikur.

Exit mobile version