Ndihmës trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane thotë se asnjë lojtar në botë nuk vlen 100 milionë euro. Së fundmi, ‘Los Blancos’ e blenë yllin uellsian Gareth Bale për 91 milionë euro, por mediat angleze shkruajnë vazhdimisht se Tottenhami i përfitoi 100 milionë euro nga shitja e tij.
“Dhjetë vjet më parë, unë e kisha pranuar se nuk isha i vlefshëm 75 milionë euro, aq sa më bleu Reali. Sot më duhet ta them të njëjtën gjë. Asnjë lojtar nuk vlen 100 milionë euro”, deklaroi Zidane për Canal +.
“Por, të dyja klubet e arritën marrëveshjen për këtë shumë. Është mjaft e vështirë ta kuptosh atë që po ndodh sot në futboll”, vazhdoi ai.
Legjenda franceze thotë se është e vështirë për një lojtar që blihet për një shumë të madhe parash. Mirëpo, ai e konsideron Balen një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm, të cilin e ka demonstruar në tre sezonet e fundit dhe është i bindur se mund të zhvillohet edhe më shumë në Madrid.
“Bale do ta ndiejë efektin e arritjes së tij. Ai ka ardhur në klubin më të mirë në botë, me një shumë enorme. Edhe unë e pata provuar këtë dhe në tre muajt e parë e kisha mjaft të vështirë. Mendoja nëse do të ishte më mirë që të largohesha. Por, nëse koncentrohesh në atë që ndodh në fushë, më pas gjërat bëhen natyrale. Mua më takon t’ia shpjegoj gjërat”, përfundoi Zizou.
Categories