Zvicra mbetet vendi më inovativ në planet për të tretin vit me radhë, sipas një raporti të publikuar të hënën nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO).
”The Global Innovation Index” për vitin 2013 ka renditur Zvicrën në krye të listës në botë, ndërsa më pas vijnë Suedia, Britania, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Raporti konkludon se pavarësisht krizës ekonomike, shpenzimet për kërkime e zhvillim e kalojnë nivelin e vitit 2008 në shumicën e vendeve.
Indeksi ka hulumtuar 142 vende në gjithë botën, duke përdorur 84 tregues, përfshirë cilësinë e universiteteve, kapitalin mikrofinanciar për të vlerësuar aftësitë e inovacionit dhe rezultatet e arritura.
“Performanca e Zvicrës dhe e Suedisë pasqyron faktin se të dyja vendet janë lidere në të gjitha komponentët”, thuhet në një komunikatë shtypi të WIPO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka përshëndetur të hënën raportin në një takim ekonomik dhe social të OKB-së në Gjenevë./albinfo.ch/