Categories
Lajme FRI

10 gabimet me fëmijët

Të gjithë mund të gabojmë kur bëhet fjalë për fëmijët, sepse bëjmë sikur nuk shohim apo nuk duam t’i shohim disa hollësi të vogla. Ja gabimet e mëdha të familjeve:
1. Fëmijë të llastuar
Pa dyshim që familjet kanë dëshirë t’u japin fëmijëve gjërat që dëshirojnë dhe ato gjëra që vetë nuk kanë pasur mundësi t’i kenë. Megjithëse ky proces mund të jetë pak i shtrenjtë, në fund të këtij qëllimi të mirë ne shohim fëmijë të pakënaqur nga gjërat që zotërojnë. Si përfundim, fëmijët janë gjithnjë të pakënaqur dhe do fillojnë të kërkojnë më shumë. Në të vërtetë fëmija juaj nuk ka nevojë për gjëra të shtrenjta, por të kalojë pak kohë me familjen e tij. Përpiquni të përmirësoni jetën e tyre dhe gjithashtu mësojini të kënaqen me gjërat që kanë.
2. Disiplinë e mangët
Nëse tregoheni të mangët dhe dembelë në disiplinimin e fëmijëve, atëherë mos u çudisni nëse shikoni një djall të vogël që sillet keq me mësuesen dhe shokët. Nuk mjafton ta lejoni të hidhet nëpër divanë, sepse kështu do të sillet kudo që të shkoni. Mund t’i flisni fëmijës për mënyrën si duhet të sillet kur shkohet për vizitë diku. Fëmijët e pasidiplinuar mirë mund të jenë makthi i fqinjëve. Në të njëjtën mënyrë mund të flasë fjalë të papërshtatshe dhe të sillet çuditshëm edhe në tavolinë. Nëse ju nuk i mësoni fëmijës gjërat e duhura, atëherë askush nuk do të interesohet me të dhe ju nuk do të jeni të kënaqur prej tij.
3. Ndërhyrja në jetën shkollore
Shkolla është vendi ku fëmija kalon më shumë kohë se në shtëpi. Në të njëjtën kohë është vendi ku mëson bashkëpunimin dhe përgjegjësinë. Si do të informoheni për mënyrën e mbarëvajtjes së tij në shkollë pa ndërhyrë shumë? Ju apo bashkëshorti juaj, s’ka rëndësi: sigurisht që do të ndodheni pranë tij kur të ketë nevojë për ju. Nëse fëmija me të vërtetë ka nevojë për ju, atëherë mos u justifikoni me punën por merrni një ditë leje. Në fund do ta kuptoni që keni vepruar drejt. Të paktën mund t’i dërgoni e-mail mësueses. Mënyra më e mirë për t’u informuar rreth zhvillimit të fëmijës është komunikimi me mësuesin, sepse ai mund t’ju paralajmërojë për çdo situatë. Mësuesi mund të luajë një rol më aktiv në lidhje me edukimin e tij.
4. Lavdërime të panevojshme
Ndërkohë që përpiqemi të kemi fëmijë të sigurt në vetvete dhe të fitojnë vetëbesimin, më shumë duhet të përpiqemi të sillemi sinqerisht. Fitimi i vetëbesimit është diçka e mrekullueshme, por ta lavdërosh edhe kur bën gabime është shumë e gabuar. Mundohuni të rregulloni gabimet e vogla apo të mëdha të tij pa e ofenduar dhe bëni të mundur të sillet më mirë se tani.
5. Mosdhënia e përgjegjësisë
Ju mund ta aktivizoni fëmijën në punët e përditshme të shtëpisë dhe të mundësoni marrjen e përgjegjësisë. Shpjegojini se shtëpia nuk është hotel.  Mund t’i jepni edhe pará nëse bën punë shtesë. Bëjeni të ndihet i rëndësishëm dhe i vlerësuar brenda familjes. Si mund të pretendoni të jetë i suksesshëm në punë apo në shkollë nëse ju nuk i ngarkoni përgjegjësitë e duhura? Jepini fëmijës punë të përshtatshme me moshën.
6. Një bashkëshort(e) jo i/e mirë
Rëndësia e nënës dhe babait në zhvillimin e fëmijës, sidomos në periudhën e adoleshencës është shumë e madhe. Nëse keni marrëdhënie të dobëta me bashkëshortin tuaj, nëse ofendoni dhe grindeni me njëri-tjetrin në prani të fëmijëve mos harroni se dhe fëmija do të sillet njëlloj si ju në të ardhmen. Fëmijët mësojnë më shumë duke ju vëzhguar dhe dëgjuar juve. Nëse silleni me dashuri dhe dhembshuri ndaj njëri-tjetrit do t’i tregoni  vlerën e familjes. Kështu ata nuk do të shqetësohen nga bota e frikshme që i rrethon dhe do të ndihen të sigurt.
7. Pretendime joreale
Kur kumonikoni me fëmijën tregohuni sa më realistë në pretendimet tuaja për të. Nëse dëshironi të hani darkë në një restorant me djalin tuaj 2-vjeçar, mos mendoni se ai mund të ulet si një princ dhe të mos lëvizë fare nga vendi. Edhe nëse pretendoni që fëmija juaj të bëhet një yll futbolli nuk do të ishte reale. Në vend të pritjeve dhe dëshirave joreale përpiquni të vlerësoni pretendimet që lumturojnë fëmijën dhe jo juve.
8. Mbrojeni fëmijën nga vetja
Shumica e familjeve sot punojnë dhe luftojnë të plotësojnë të gjitha nevojat e fëmijëve dhe duan të kenë individë të pavarur pasi i kanë mbrojtur nga punët e vështira. Nëse fëmijës do t’i serviren të gjitha pa u munduar shumë, atëherë nuk do ta mësojë vlerën e punës dhe do të thyhet shumë shpejt. Mësojuni të qëndrojnë të fortë para jetës dhe kjo nuk do të thotë se i doni më pak; përkundrazi tregoni dashurinë tuaj të pakufi.
9. Mos i detyroni të bëjnë punët që bëjnë fëmijët e tjerë
Kaloni kohë me fëmijën. Familjet nuk duhet të presin që fëmija i tyre të bëjë të njëjtën gjë që bëjnë fëmijët e tjerë dhe të shohin botën e tyre me syrin e një të rrituri. Nëse ëndrra juaj ishte “të martoheshit me një të pasur”, nuk do të thotë që edhe vajza juaj do ta realizojë këtë në të ardhmen. Shpimi i veshit në dy vende nuk është ëndrra e tyre, por e juaja. Është shumë e bukur që fëmija të mësojë ëndrrat tuaja, por lëreni atë të rritet me ëndrrat e veta.
10. Mosdëgjimi i fjalës
Nëse fqinji juaj ka nevojë për ndihmë, atëherë kërkoni nga fëmija juaj ta ndihmojë, kështu nuk do të jeni të detyruar ta ndiqni gjithë kohës. Nëse nuk përdorni fjalët e duhura, fëmija nuk do të ndajë asgjë me ju dhe do të ndikojë në krijimin e një problemi të ri. Nëse ju nuk i besoni dhe nuk e dëgjoni atë, atëherë edhe ai nuk do t’ju besojë juve. /Start/Aisa Kokiçi/

Exit mobile version