Nga bota nuk dua dekorata,
As kund të më lavdëroni.
As mirënjohje dhe asfarë urata,
Po veç poezitë të m’i lexoni!
Botës i them poezitë të m’i lexojë,
Se poeti ashtu më i lumtur do të jetojë.
Të m’i lexojë dhe të m’i kuptojë,
Që të kem më shumë arsye të vazhdoj.
I lutem të më kuptojë drejt,
Dhe ajo le të lutet të më ketë kuptuar.
Nëse nuk më kupton, le të më lërë krejt,
Sepse më mirë i palexuar se i pakuptuar.
Botës i them: nëse nuk më kupton,
Të paktën të mos më keqkuptojë.
Sepse kështu shumë po më shkallmon,
Dhe me të vërtetë po e kam drojë.
I them botës me të gjithë kontinentet e saj,
Të mos m’i fshijë lotët, pasi të më bëjë të qaj.
Dhe le ta dijë e gjithë ajo, se unë nuk shaj,
Mirëpo, si qyqja cicërimin, unë vargjet i kam vaj.
Falë i qoftë botës që ca herë s’më lë shtëpi të fle,
Dhe unë kur detyrohesha të flija nëpër parqe.
Do të vazhdoj të jem edhe nesër, siç isha dje,
Botës vazhdimisht do t’i këndoj vargje!
Arsim Jonuzi, 11.03.2014
Me këtë poezi mora pjesë në orën letrare “Takimet poetike të Karadakut” – Kumanovë, në restorantin “Royal Palace”, Kumanovë, më 11 mars 2014, ku kishte të pranishëm poetë pothuajse nga të gjitha trojet shqiptare