Forumi Rinor Islam – Dega Tetovë për të 10-in vit me rradhë bëri dekorimin e semimaturantëve më të mirë të shkollave fillore në Tetovë me rrethinë.
Sipas organizatorëve ky manifestim ka për qëllim të dëshmojë që Islami, sikurse FRI së cilës i përkasim ne, përbëhet nga një shpirt dituri-dashës, dhe si i tillë ngrihet dhe krijohet mbi bazat e një koncepti qytetërues të jetës. Gjatë këtyre 10 vjetëve të dekorimit të semimaturantëve më të mirë FRI ka dekoruar plot 250 nxënës të shkollave përkatëse.
Çmimi që ndanë FRI për semimaturantët më të mirë të Tetovës është çmimi “IKRE” me qëllim të arritjes së disa synimeve parësore: T’i qëndrojë besnik urdhrit hyjnor për lexim; Ta stimulojë diturinë; T’i rindërtojë e t’i riparojë urat lidhëse SHKENCË-FE; Ta vendojë subjektin fetar përballë atij shkencor, dhe përmes kësaj ta arrijë bashkimin dhe formimin shpirtëror e trupor të njeriut, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kuptojmë që harmonia shoqërore është e dyanshme.
Të pranishëm në manifestim përpos nxënësve dhe prindërve të tyre, kishte edhe përfaqësues nga shkollat, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal.
Të pranishmëve me fjalën e tyre ju drejtuan: nënkryetari i FRI-së – Hasan Baftjari; kryetarja e Këshillit Komunal të Zhelinës – Arijeta Rexhepi; përgjegjësi i njësisë për veprimtari publike në kuadër të Komunës së Tetovës – Ahmet Qazimi, si dhe kryetari i degës së FRI-së në Tetovë – Fisnik Shabani.
Hasan Baftjari foli për rëndësinë që Islami i jep diturisë dhe arsyen se pse FRI po investon në nxitjen e dijes dhe gjurmimin e më të mirëve. “Në Kur’anin e Shenjtë termi “dituri”, me të gjitha format e derivatet e veta, përmendet më shumë se 800 herë. Tashmë e kemi të qartë që procesi arsimor, me gjitha metodat e mirëfillta që përfshin ai, nuk arrin dot t’I shmanget faktit që përbën njërën nga temat kuranore më të trajtuara”, tha Baftjari para të pranishmëve.
Arijeta Rexhepi nga komuna e Zhelinës duke vlerësuar lartë kontributin e FRI-së në këtë sferë tha se aktivitete e këtij lloji na bëjnë të ndihemi me shpresë për një të ardhme më të ndritshme, një shoqëri më të mirë ku do ti luftoj dukuritë negative dhe do të krijojmë një jetë më të mirë. Dhe ne si institucione nëse sdo kemi mundësi të bëjmë më shumë, të paktën ti përkrahim dhe tju japim vullnet që mos të ndalen edhe në të ardhmen.
Ahmet Qazimi vlerësoi se me ardhjen e tyre në pushtetin komunal në Tetovë kanë rritur investimet në sferën e arsimit dhe kulturës, për të cilën kanë rrezultate pozitive nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Ai tha se ndjehen krenarë që nxënësit e shkollave të Tetovës me rrethinë i përfaqësojnë denjësisht në gara të ndryshme republikane dhe rajonale.
Para të pranishmëve u shfaq një monlog edhe një video dokumentar i bërë nga një grup nxënësish që kanë ndjekur trajnimin Talentium në kuadër të FRI-së.
FRI sivjet ndau edhe mirënjohje për bashkëpunëtorët e këtij aktiviteti,pasiqë përkrahja mediale, mbështetja materiale e këtij aktiviteti ka qenë mjaft me rëndësi.Me këtë rast me mirënjohje u nderuan Fadil Lushi i BZHA, Qendra FLUENT, Komunat e Tetovës, Zhelinës dhe Bërvenicës, Furkan-Shkup si dhe TVart dhe Tv Koha.
Për më shumë foto kliko këtu.
Lajmi në Tv Art:
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam