All-llahu i Lartësuar e ka nderuar këtë ditë me shumë vlera dhe begati. Në vazhdim do t’i përmendim disa nga këto vlera:
Kjo është dita më e mirë        
Transmetohet nga Xhabiri se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Dita më e mirë është dita e Arafatit”. (Transmeton Ibën Hibani) Gjithashtu, Ibën Hibani transmeton se Resulullahu (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek All-llahu se dita e Arafatit. All-llahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe lavdërohet me banorët e tokës ndaj banorëve të qiellit”. Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “All-llahu i Lartësuar lavdërohet me ata që qëndrojnë në Arafat tek engjëjt dhe thotë: ‘O engjëjt e Mi, shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur (nga rruga) dhe duke sakrifikuar”.
Është dita e plotësimit të fesë dhe përmbushjes së begative
Transmeton Buhariu, ku thuhet se çifutët i kanë thënë Umerit: “Ju e lexoni në Kur’anin tuaj një ajet, po të na kishte zbritur neve do ta konsideronim (atë ditë që ka zbritur) festë për ne”. Umeri tha: “Vërtet, unë jam në dijeni kur ka zbritur, ku ka zbritur dhe ku ishte Resulullahu [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur zbriti; ajeti zbriti ditën e Arafatit kur ne ishim atje”. Ajeti është: “… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (Maide, 3) Plotësimi i fesë është bërë në këtë ditë pasi muslimanët nuk kishin bërë më herët haxhin dhe kështu u plotësua feja me këtë rit të adhurimit, i cili konsiderohet kushti i pestë i Islamit. Kurse përmbushja e begative është bërë me falje, pa të cilën nuk përmbushen begatitë, ashtu si thotë All-llahu i Lartësuar: “Ashtu që All-llahu të liroi ty prej mëkateve të mëparshme dhe prej atyre të mëvonshmeve dhe ashtu të plotësoi mirësinë e Vet ndaj teje në rrugën e drejtë.” (Fet’h, 2)
Është ditë e festës     
Dita e Arafatit është ditë feste për muslimanët. Ukbe b. Amiri transmeton se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e parë e Kurban Bajramit, ditët e teshkrikut (tri ditët vijuese të Kurban Bajramit) janë festa jonë, ithtarëve të Islamit; ato janë ditë ngrënie dhe pijeje”. Po ashtu transmetohet nga Ebi Umame se Pejgamberi ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e nahrit (Bajramit) dhe ditët e teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit) janë festa tona dhe ato ditë janë ditë të ngrënies dhe pijes”. (Transmeton Ebu Davudi) Ibnu’l Kajjimi ka thënë: “Dita e Arafatit është feste për ata që janë në Arafat, kështu që nuk është e pëlqyer për ta agjërimi i kësaj dite”. Një çifut i tha Omerit: “O prijësi i besimtarëve, ju muslimanët e lexoni një ajet kur’anor që po të kishte zbritur tek ne, do ta merrnim ditën e zbritjes si festë”. “Cili ajet është ai?”, pyeti Omeri. Ajeti: “… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…”, u përgjigj çifuti. “Ne e dimë atë ditë dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ishte duke qëndruar në Arafat në Ditën e Xhuma”, tha Omeri. Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, deshi t’ia bëjë me dije këtij çifuti se ky ajet, përveç që shënon fundin e misionit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me një ngadhënjim moral, shpirtëror, parimor e ideor mbi të keqen dhe pabesimin, ai ka zbritur në një vend të shenjtë dhe ka rastisur të jetë në ditë të madhe për muslimanët, pra në Ditën e Xhuma. Këtë shumë bukur e sqarojnë edhe shtesat e përmendura të hadithit, të aprovuara kuptimisht për plotësimin e domethënies së këtij hadithi edhe nga dijetari Ibni Haxher el-Askalani. Ai përmend shtesën e Is’hakut nga Kabisah: “Ka zbritur Ditën e Xhuma në Ditën e Arafatit; që të dyja për ne, falënderuar qoftë All-llahu, janë festa”. Si dhe shtesën e Taberiut dhe Taberaniut: “E këto ditë janë dy festa për ne”.
Arafati është festa e plotësimit të fesë sonë. Arafati nuk është caktuar rastësisht të jetë festë jona, sidomos kur kemi parasysh faktin se ai shënon përmbylljen e suksesshme të misionit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Agjërimi i kësaj dite i shpaguan mëkatet për dy vite
Thotë Resulullahu (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!): “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që All-llahu të m’i falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”. (Transmeton Muslimi)
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “All-llahu e ka ndarë mëshirën e Tij në 100 pjesë; 99 i ka mbajtur tek Ai, ndërsa një pjesë e ka zbritur në tokë. Prej kësaj pjesë mëshirohen krijesat ndërmjet vete, saqë edhe kali nga frika se e shkel të voglin e vet e ngrit këmbën (dhe bën kujdes)”. Mëshirën e All-llahut me robër e përshkruan edhe ky hadith nga Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, i cili rrëfen për një grua e cila në mesin e robërve të sjellë tek Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kishte humbur foshnjën e saj, e gjeti dhe e ledhatoi e i dha gji. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “A mendoni se kjo grua do ta hidhte djalin e saj në zjarr?” “Jo, pasha All-llahun!”, thamë, “përderisa të ketë mundësi të mos e bëjë këtë”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “All-llahu është më i mëshirshëm me krijesat e Tij se sa kjo grua me djalin e saj”. Nëse me një pjesë të mëshirës u arritkan gjëra kaq të mëdha, atëherë në Ahiret pa dyshim se ato 99 pjesë të mbetura do të mjaftojnë që neve All-llahu të na falë. Arafati është një stacion ku njeriu, para se të hyjë tek All-llahu, zbukurohet dhe stoliset me iman e pastërti shpirtërore ashtu siç duhet.
Kjo ditë është ditë e faljes së mëkateve dhe shpëtimit nga zjarri i Xhehennemit
Transmetohet nga Aishja [radijall-llahu anha] se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që lirohen më së shumti nga zjarri i Xhehennemit, se dita e Arafatit; Ai u Afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para engjëjve dhe thotë: ‘Çfarë dëshirojnë ata?!” Ibën Abdulberri thotë: “Kjo aludon se ata janë të falur nga mëkatet, për shkak se All-llahu nuk lavdërohet me gabimtarët dhe mëkatarët, përveç pas pendimit dhe faljes”.
Thotë All-llahu: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin)…”.
Pse u quajt Arafat dhe çfar don të thot Arafat     
Është thënë edhe ndryshe. Ibrahimit [alejhis-selam] i qe përshkruar ai vend dhe kur e pa me sy e njohu atë, kështu që u quajt Arafat.
Ngase njerëzit njihen ndërmjet vete dhe takohen në atë vend dhe atë ditë.
Njerëzit pranojnë (ja’terifune) mëkatet e tyre para All-llahut në këtë vend dhe kërkojnë falje.
Ngase njerëzit ngriten-hipin mbi kodrat e tij, kurse arabët çdo gjë që ngritet-lartësohet e quajnë Arefeh. Arafati ka edhe disa emra, si: Xhebelu’rr rrahmeh (Kodra e mëshirës), Xhebelu’llah (Kodra e All-llahut), Xhebelu’t teubeh (Kodra e pendimit), El-xhebel el-mukaddes (Kodra e shenjtë), Xhebelu’d dua (Kodra e lutjes), El-mesh’ar el-haram (Monumenti i shenjtë), Et-tajjib (I miri-bukuri), Es-sabru (durimi)… Arafati është përmendur një herë në Kur’an, ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni All-llahun në vend të shenjtë.” Transmeton Imam Buhariu se Arafati është vend ku dukuria e pesimizmit flaket. Nëse Arafati është vend ku zbret mëshira e All-llahut, atëherë përse të ekzistoje pesimizmi në fjalorin e muslimanëve. Shikoni se si është mëshira e All-llahut, e pastaj binduni se Arafati është një reflektues i asaj mëshire. Në Arafat njerëzit qëndrojnë të përulur, penduar, luten e kërkojnë falje, pastaj të nesërmen shkojnë në shtëpinë e All-llahut dhe bëjnë ziaret (vizitojnë) Qabenë. Mu për këtë qëllim ky tavaf quhet tavafi i ziaretit. Pra, besimtari i pastruar nga mëkatet viziton All-llahun që fal e dhuron të mira shumë.
O ju që nuk patët shansin të shkoni në Arafat, kryejini obligimet e All-llahut kudo që të jeni!
Ai që nuk mundi të buaj këtë vit në Muzdelife, le të buaj në shtëpinë e tij me vendosmëri për ta adhuruar All-llahun përherë!
Ai që nuk ka mundur ta ther kurbanin e tij në Mina, le ta ther këtu epshin e vet!
Ai që nuk ka mundur të shkoje në Qabe, le t’i drejtohet Zotit të Qabesë kudo që të jetë, ngase Ai është afër!
All-llahu na mundësoftë kryerjen e Haxhit!
All-llahu na pastroftë nga mëkatet dhe gabimet!
All-llahu na pranoftë veprat e mira dhe na ruajt nga veprat e liga!
Hasan BAFTIJARI