Pas takimeve të ministrit për financa Zoran Stavreski me përfaqësuesit e FMN-së dhe të Bankës Botërore, doli lajmi se institucionet financiare ndërkombëtare i lavdërojnë politikat aktuale ekonomike dhe se paralajmërojnë përkrahje për projektet infrastrukturore dhe për projektet për zvogëlimin e papunësisë. Opsioni për logjistikë të drejtpërdrejtë logjistike, në formë të garancionit për huazim të ri kreditor – kësaj radhe nuk u përmend as nga përfaqësuesit e Bankës Botërore as nga qeveria.
Sipas njohësve të kësaj problematike, ky është sinjal se vitin e ardhshëm qeveria vetë do të duhet të sigurojë para për financimin e deficitit buxhetor, në vlerë prej 300 milionë euro. Por, disa llogaritje të caktuara në buxhetin e ri, tregojnë se përveç kësaj shume, në mënyrë plotësuese do të duhet të sigurohen edhe 173 milionë euro të tjera, obligime që janë marrë gjatë këtij viti e që duhet të paguhen gjatë vitit 2014.
Sipas informatave të “Portalb”-it, për shkak të shumave të mëdha, qeveria me gjasë do të jetë e detyruar të marrë hua në terren vendor, të emitojë edhe eurokumbial të ri. Kjo do të thotë se, pa garantë nga institucionet financiare ndërkombëtare, qeveria vetë do t’i masë “muskujt” në tregun financiar ndërkombëtar. Cili do të jetë epilogu, do të tregojë kamata që do të duhet ta paguajë shteti.
Por huazime do të ketë edhe në vend, nëpërmjet kreditorëve vendorë ku bëjnë pjesë fondet pensionale, bankat, kompanitë e sigurimit. Pikërisht borxhet e qeverisë vetëm në bazë të letrave të emituara me vlerë e tejkaluan vlerën e 1 miliardë eurove. Dhe ky trend vazhdon të rritet.
Atë që qeveria planifikon ta bëjë vitin e ardhshëm është të marr hua nëpërmjet letrave afatgjate me vlerë – që do të thotë se huaja merret tani, ndërsa paratë do të duhet t’i kthejë garnitura politike që do të jetë në pushtet pas pesë, shtatë ose dhjetë vitesh.
“Theks i veçantë do t’i kushtohet vazhdimit të afatit të portfolios ekzistuese të letrave shtetërore me vlerë, që për përbëhet  nga kambiale shtetërore 2,3 dhe 5 vjeçare, duke emituar kambiale shtetërore 7 dhe 10 vjeçare. Interesim i veçantë për të investuar në letrat afatgjate me vlerë të emituara nga Republika e Maqedonisë pritet nga shoqatat pensionale, si dhe nga bankat dhe kompanitë e sigurimit” – shkruan në Strategjinë fiskale të qeverisë.
Pikërisht huatë që janë marrë në terren vendor paraqesin pothuajse 40% të borxhit publik të qeverisë qendrore.
Sipas të dhënave të fundit që janë në dispozicion, borxhi publik është 33,8% ndërsa rritje është regjistruar te borxhet jashtë vendit. Kështu, deri në fund të kartelit të dytë të këtij viti, borxhi i jashtëm bruto arriti në 5,6 miliardë euro dhe në krahasim me tre muajt e parë ka rritje prej 110 milionë eurosh.
Me çfarë kredish është i ngarkuar shteti?
Përveç huave që janë marrë në terren vendor, qeveria tashmë ka marrë disa kredi të konsiderueshme nga jashtë, një pjesë e të cilave do të përdoret për servisimin e harxhimeve buxhetore, dhe një pjesë për rehabilitimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore. Kredi kanë marrë edhe komunat.
Kredi nga Deutsche Bank:
Vlera e kësaj kredie, të cilën qeveria filloi ta harxhojë këtë vit është 250 milionë euro. Afati i kthimit të kredisë së 7 vjet, me ç ‘rast kësti i parë është në vitin e pestë nga dita kur janë tërhequr mjetet (viti 2018) ndërsa kësti i dytë duhet të paguhet në fund të vitit të shtatë (viti 2020). Mu Ligji për këtë huazim kreditor ishte edhe shkëndija iniciale për ngjarjet që ndodhën në Kuvend më 24 dhjetor 2012.
Kredi nga Banka Botërore:
Maqedonia dhe Banka Botërore në mes të vitit 2012 nënshkruan marrëveshje për kredi prej 37 milionë eurosh – para për përmirësimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë financiare të komunave. Afati i pagesës është 23 vjet, duke i përfshirë edhe 5 vite të grejs-periudhës. Kësti i parë duhet të paguhet në vitin 2017 ndërsa e gjithë kredia duhet të paguhet deri në vitin 2029.
Kredia nga Banka investuese evropiane:
Banka maqedonase për përkrahjen e zhvillimit në mesin e vitit 2012 morri kredi prej 100 milionë eurosh nga Banka investuese evropiane që është i dedikuar për përkrahje financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme. Këtë kredi, e cila më vonë u rrit për shuma të reja, qeveria e cilësonte si një nga masat kryesore antikrizë për ta ndihmuar ekonominë.
Kredia nga Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim:
Me huanë prej 46,4 milionë eurosh, qeveria huazoi para për projektin “Rehabilitimi i pjesës lindore të hekurudhës së Korridorit 8”. Kredia duhet të kthehet për 19 vjet. Do të fillojë të paguhet nga viti 2016.
Sipas të dhënave, shteti ndaj institucioneve ka borxh prej 1 miliardë e 680 milionë euro. Nga kjo shumë pjesa më e madhe ose 1,5 miliardë euro janë vetëm si rezultat i huave komerciale.
Portalb