Kohë më parë, saktësish me datë 17 tetor 2013, liderët kryesor të përfaqësuesve të demokratëve dhe republikanëve janë pajtuar për të zgjidhur çështjen e bllokuar të buxhetit të SHBA-ve me ç’rast i kanë harmonizuar qëndrimet që të ngritin nivelin e borxhit publik të SHBA-ve, si dhe financimin e qeverisë amerikane gjer më 15 janar 2014, ndërsa për arritjen e marrëveshjes së plotë për buxhetin amerikan për vitin fiskal 2014, i kanë në dispozicion plot tre muaj, pas kësaj edhe kryetari amerikan Barack Obama e nënshkroi marrëveshjen e arritur.
Me këtë marrëveshje nuk është arritur zgjidhja e plotë, por është prolonguar për tre muaj kriza buxhetore amerikane, kohë gjatë së cilës do të kërkohet që të arrihet zgjidhja e plotë për krizën buxhetore që shkaktoi tronditje gjatë 2 javëve të kaluara, jo vetëm në opinionin amerikan, por edhe në mbarë opinionin botëror. Si pasojë e ndërprerjes së punëve në disa institucione qeveritare, llogariten dëme në shumën rreth 50 miliard dollar, me ç’rast kanë mbet pa punë përkohësisht 825 mijë shërbyes civil nga gjithsejtë 2 milion shërbyes civil të administratës amerikane federale gjatë dy javëve të kaluara.
Si shkas për krizën buxhetore shërbeu ligji i propozuar nga presidenti Obama i quajtur”Obamacare” për mbrojtjen e obliguar shëndetësore, i përkrahur nga senatorët dhe kongresmenët demokrat amerikan, por që hasi në kundërshtim të fortë të senatorëve dhe demokratëve republikan, mbi cilët trusni të madhe kanë bërë korporatat e fuqishme të sigurimeve shëndetësore private të cilat qenë kundërshtaret më të zëshëm kundër ligjit”Obamacare”. Mosmarrëveshjet aktuale në mes senatorëve dhe kongresmenëve demokrat dhe republikan qëndrojnë në atë se republikanët nuk duan të pranojnë ligjin e propozuar të Obamas për mbrojtjen e obliguar shëndetësore. Pjesa liberale e establishmentit amerikan pohon se ka të bëjë me ligjin progresiv i cili është më se i nevojshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa republikanët e konsiderojnë që ligji i ashtuquajtur”Obamacare” është fillimi i futjes së “socializmit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ligji për mbrojtjen shëndetësore është aprovuar në vitin 2010 dhe është konfirmuar nga Gjykata Supreme amerikane në vitin 2012. Në parim, ligji ”Obamacare” ka objektiv që të mundësoj shërbimin shëndetësor për dhjetëra milion qytetar amerikan, të cilët aktualisht nuk e posedojnë, dhe se nga 1 janari i vitit 2014 çdo amerikan që paguan sigurimin shëndetësor do të duhej të ketë shërbimin e obliguar shëndetësor . Nga njëra anë, republikanët ekzagjerojnë kur thënë se me këtë ligj futet”socializmi” në SHBA-të, ndërsa nga ana tjetër shpesh edhe demokratët harrojnë të përmendin se ligji i shumëpërfolur për mbrojtjen dhe sigurimin shëndetësore është i pranishëm gati në të gjitha shtetet e zhvilluara evropiane dhe botërore. Me futjen e këtij ligji situata do të kishte ndryshuar për të mirë për miliona qytetarë amerikan të cilët për momentin nuk kanë sigurimin shëndetësor, por edhe me këtë ligj nuk do të mund të sigurojë çdo njeri mbrojtje shëndetësore, pasi që të gjithë të punësuarit do të jenë të obliguar që në vit të paguajnë nga 5000-12500 dollar për familjen, që është kuota minimale për të pasur mbrojtjen shëndetësore, ndërsa ata qe refuzojnë të paguajnë do të ndëshkohen me gjoba prej 350 dollar për fëmijët gjer në 700 dollar për të rriturit.
Shkaku tjetër i krizës financiare amerikane është edhe rritja enorme e borxhit publik amerikan, i cili ka ndodh edhe si pasojë e krizës financiare botërore të vitit 2008, ashtu që në vitin 2011 borxhi ka tejkaluar GDP-në amerikane për 15,14 miliard dollar e që pritet që në fund të vitit 2013 të arrijë në 18,15 miliard dollar. Borxhi i gjithëmbarshëm publik amerikan ka arritur gjatë vitit 2013 në16,7 bilion dollar (16700 miliard dollar), gjersa në vitin 2003 borxhi i gjithëmbarshëm publik amerikan ishte 7,5 bilion dollar(7500 miliard dollar), në vitin 2013 ky borxh ka arritur në 16,7 bilion dollar(16700 miliard dollar) që është një rritje enorme gati prej 10 bilion dollar(10000 miliard dollar) gjatë periudhës 10 vjeçare. Si pasojë e kësaj rezervat federale buxhetore amerikane më 17 tetor kanë qenë vetëm 30 miliard dollar, ndërsa nevojat e mjeteve financiare për funksionimin e rregullt të administratës amerikane kanë arritur në 60 miliard dollar. Për këtë shkak po të mos arrihej marrëveshja e shumëpërfolur, pas 17 tetorit 2013 shumë institucione shtetërore do të ishin të detyruara që të ndërprenë punët dhe veprimtarit e tyre shtetërore, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin të detyruar që të ndërpresin pagesën e borxhit publik amerikan, si pasojë e së cilës do të sillte botën në recesion .
Për këtë shkak një ditë para arritjes së marrëveshjes, krerët e dy institucioneve më të fuqishme botërore financiare, Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe Bankës Botërore, i kanë dërguar mesazh amerikanëve dhe lutje senatorëve dhe demokratëve amerikan për të arritur marrëveshjen.
Christina Lagarde, drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në letrën e saj përveç tjerash ka thënë:” Në rast se rritet shkalla e çrregullimit, do të pasoj rritja e pasigurisë dhe besimit në besueshmërinë amerikane. E kjo do të thotë çrregullime të mëdha në tërë botën dhe rreziku i kthimit në recesion”.
Kryetari i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, në mesazhin e tij drejtuar amerikanëve, ka porositur: “ Kjo do të ishte ngjarje katastrofale për tërë botën. Kjo gjendje do të ishte fatale për vendet në zhvillim. Në rast se nuk do të arrihet marrëveshja, do të rriten shkallët e kamatave, vetëbesimi do të bie, rritja do të ndalej. E tërë kjo do të sjell pasoja fatale edhe për ekonomitë e zhvilluara”.
Si pasojë e recesionit botëror, humbësit më të mëdhenj do të ishin Kina dhe Japonia, të cilët mbajnë pjesën më të madhe të borxhit publik amerikan. Kina si kreditori më i madh amerikan, sipas shënimeve të ministrisë së financave të SHBA-ve, posedon 1280 miliard dollar amerikan të borxhit publik amerikan të letrave me vlerë shtetërore, ndërsa në vendin e dytë është Japonia me 1135 miliard dollar amerikan. Për këtë shkak Kina dhe Japonia kanë shfaqur shqetësimin e tyre tek administrata amerikane duke e paralajmëruar për shkaqe të pa parapara në tërë globin tokësor.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë gjendje jo të volitshme financiare amerikane në mënyrë indirekte është edhe kjo e dhënë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë mjete financiare më tepër për mbrojtjen dhe ushtrinë e vet se të gjithë shtetet tjera të mëdha së bashku. Sa për krahasim, para dy vitesh, SHBA-ja ka ndarë për ushtrinë 711 miliard dollar, gjersa Kina, Rusia, India, Britania, Franca, Japonia, Arabia, Gjermania, Brazili, Italia, Koreja Jugore, Australia dhe Kanadaja së bashku të gjithë kanë ndarë gjithsejtë 695 miliard dollar. Nga këto të dhëna mund të shihet qartë se edhe kjo shumë enorme që ndahet për mbrojtjen dhe ushtrinë amerikane është një prej indikatorëve që e ngarkon në një masë të madhe buxhetin amerikan.
Në përfundim të kësaj mund të konludojë se çfarëdo qoftë krize eventuale buxhetore apo financiare të qeverisë dhe ekonomisë amerikane nuk është vetëm krizë amerikane, që i prek qytetarët apo shtetasit amerikan, por në mënyrë të tërthortë është edhe krizë financiare dhe ekonomike botërore që e godet tërë botën dhe qytetarët anekënd botës. Edhe qëllimi i kësaj analize të krizës buxhetore amerikane është njoftimi i opinionit publik shqiptar, pasi që në epokën e globalizmit dhe internetit në të cilin jetojmë, bota është shndërruar në “një fshat të madh” në të cilin me një shpejtësi maksimale depërton lajmi nga njëri skaj i botës në skajin më të largët të botës.
EDITOR
11 years ago
previous article
Ja kush është zonja Emine Erdogan (FOTO)
next article
Shtrembërimi i një kuptimi
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago