Hasan BAFTIJARI
64 vjetori i përkujtimit të rënies shehid. Obligim i muslimanëve është që ta përkujtojnë këtë njeri, të paktën duke shkruar disa fjalë për të. Me 12 shkurt të këtij viti u mbushën plot 64 vjet që kur është ndërprerë së rrahuri zemra e shehidit Hasan El-Benna
Familja e Hasan El-Bennasë
Babai i Hasan el-Bennasë, Shejh Ahmed el-Benna, ishte dijetar i madh dhe njeri i devotshëm, i ndershëm dhe gjithmonë i frikësohej All-llahut të Madhërishëm. Gjithashtu, edhe nëna e tij ishte e respektueshme dhe e devotshme. Shejh Ahmedi kishte shtatë fëmijë me gruan e parë, pesë djem dhe dy vajza. Kurse me gruan e dytë kishte vetëm një vajzë.
Hasan El-Benna, nga lindja e gjer në Ismailije
Imam Hasan El-Benna ishte djali më i madh i familjes. Ai u lind në Mahmudija, në nëntor të vitit 1906. Mjedisi i fshatit Mahmudija ishte përgjithësisht i thjeshtë, ku fshatarët jetonin një jetë tradicionale. Familja e Imam Hasan El-Bennasë ishte një familje e edukuar dhe e pajisur me dituri dhe histori islame. Ata ishin ndjekës të përpiktë të rrugës së drejtë islame. Imam Hasan El-Benna e mori filloren nga babai i tij, i cili e ndihmoi që ta mësonte me zemër Kur’anin Fisnik dhe e bindi atë që të orientohet në drejtimin e mësimeve islame. Ai më pas u pranua në një shkollë fillore islame, të quajtur “Er-Reshad”.
Ishte një ndër nxënësit më të mirë dhe më të zgjuar. Që në shkollën fillore, Hasan El-Benna ishte themelues i disa lëvizjeve të vogla me nxënësit, duke u zgjedhur edhe kryetar i nxënësve në shkollë. Duke qenë në klasën e katërt, ai bëri një organizim të nxënësve, të cilin e quajti “Shoqëria e moralit dhe edukimit”.
Një kohë të gjatë veproi me shokët e tij në këtë organizim, por disi nuk e kënaqte puna vetëm përbrenda shkollës. Andaj i mblodhi shokët e vet dhe me ta zhvilloi një bisedë serioze që të veprohet edhe jashtë oborreve të shkollës. Pasi u dakorduan për një veprim të tillë, ata e titulluan lëvizjen e tyre “Shoqëria e ndalimit të harameve”.
Kështu, përmes këtij organizimi, filluan të veprojnë dhe t’ju shkruajnë e dërgojnë letra nëpër shtëpitë e tyre të gjithë njerëzve të cilët nuk e falnin namazin dhe nuk e adhuronin All-llahun, e që vepronin punë të pa hijshme.
Në këtë shkollë Hasan El-Benna ishte nxënës i dijetarit të njohur Muhammed Zaran. Kur drejtimi i kësaj shkolle u ndërrua, Hasan El-Benna u transferua në një shkollë tjetër, ku edhe e përfundoi shkollën fillore.
Më pas u regjistrua në shkollë të mesme (shkolla e mesme e mësuesisë) në Demenhur, të cilën e përfundoi para kohe. Pas përfundimit të shkollës së mesme, vazhdoi studimet në Universitetin “Darul Ulum” të Kajros. Në kohën kur dëshironte të regjistrohej në atë universitet, ishte në moshën 16 vjeçare. Sipas ligjeve të universitetit, ai nuk e plotësonte moshën për regjistrim, por për shkak të talentit të tij të lartë, megjithatë u pranua. Në atë universitet mësimet bëheshin me metoda moderne, ku mësohej psikologjia, politika, filozofia, sociologjia, matematika dhe linguistika. Hasan El-Benna e ndau kohën gjatë studimeve në dy pjesë: pjesën e parë ia dedikoi studimeve, kurse tjetrën predikimit të Islamit.
Me të arritur në Kajro, u bë anëtar i shoqatës së vetme islame të pranishme në atë kohë, “Shoqata e moralit islam”. I përcillte rregullisht ligjëratat islame që mbaheshin në këtë shoqatë. Po ashtu, i përcillte me vëmendje edhe mësimet e dijetarëve të mëdhenj nëpër xhamitë e Kajros.
Por, kur e vërejti se shoqata në fjalë nuk mjaftonte për realizimin e misionit islam dhe ngritjen e vetëdijes islame te popullata, Hasan El-Benna i mblodhi shokët e vet nga Universiteti “Darul Ulum” dhe disa tjerë nga Universiteti i Az’harit, dhe u tha: “Njerëzit të cilët nuk vinë në xhami, janë më se të nevojshëm për këto ligjërata”. Kështu filluan të bëjnë takime nëpër çajtoret e Kajros.
Kishte takime të shpeshta me dijetarët e njohur si Muhammed Rashid Rida, shejh Dexhvij, profesorin e madh të Az’harit Muhammed Hadër Husejn dhe profesorin Muhibuddin el-Hatib. Me këta ai bisedoi për nevojën e madhe për një veprimtari islame jashtë xhamive dhe universiteteve islame në Egjipt. Dijetarët në fjalë u dakorduan në këtë mendim dhe filluan menjëherë botimin e një reviste islame, të cilën e titulluan “El-Fet’h”.
Rasti i parë ku Hasan El-Benna dha shenjat e formimit të një Lëvizjeje Islame, ishte kur në Universitetin e Kajros u obligua të shkruajë mbi temën: “Cilat janë qëllimet dhe shpresat tua pas përfundimit të fakultetit”. Me këtë rast ai shkroi: “Qëllimi më i madh imi pasi të përfundoj jetën time studentore ndahet në dy pjesë: Punë e veçantë dhe punë e përgjithshme.
E veçantë është: T’i ndihmoj familjes dhe të afërmve të mi sipas mundësisë sime.
E përgjithshme: Dëshiroj të jem udhëheqës dhe mësues, që ta kaloj tërë ditën në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve, kurse natën duke i mësuar prindërit e tyre, që Islamin ta kenë qëllim jete dhe ai të jetë kënaqësia më e madhe e tyre; një pjesë të kohës ta kaloj duke shkruar libra dhe tekste, kurse pjesën e fundit të kohës ta kaloj duke bërë ekskursione dhe xhiro me shoqërinë time dhe të afërmit”.
Hasan El-Benna asnjëherë nuk u largua nga programi të cilin e kishte venduar për vetveten, që të jetë organizator, themelues, mësues, ligjërues i denjë, orator i paarritshëm, i dashur për të gjithë, edukues i mirëfilltë, një shkrimtar i pashoq.
Hasan El-Benna diplomoi në universitetin “Darul Ulum” të Kajros në vitin 1927. Si student i dalluar, i cili dy herë ishte zgjedhur nxënësi më i mirë në gjithë Egjiptin dhe kishte zënë vendin e parë në garat e diturisë, menjëherë u emërua profesor në shkollën e mesme “El-Emirije” në qytetin Ismailije.
Profesioni arsimtar dhe themelimi i “Vëllezërve Muslimanë”
Imam Hasan El-Benna me detyrën e tij si arsimtar u vendos në Ismailije në shtator të vitit 1927. Gjatë kohës së lirë ai e studioi hollësisht jetën shoqërore të qytetarëve të Ismailijes, me qëllim që misioni i tij të ketë efekt. U përpjek të bëhet një mësues dhe predikues i mirë. Punën e tij të thirrjes islame e filloi nga restorantet dhe kafenetë, si dhe nëpër shumë tubime tjera.
Në mars të vitit 1928, në shtëpinë e Hasan El-Bennasë u mblodhën gjashtë persona të rëndësishëm. Ishin këta: Hafidh Abdulhamid, Ahmed Husari, Fuad Ibrahijm, Abdurrahman Hasbullah, Ismail Aiz dhe Zeki Magribi. U bisedua në këtë takim një kohë të gjatë rreth gjendjes së muslimanëve dhe nevojës për një organizim të mirëfilltë dhe ngritje shpirtërore të popullatës. Nga ky takim lindi ideja e formimit të një organizate islame, e cila do të emërtohet “El-Ikhvanul Muslimun” (Vëllezërit Muslimanë).
Vitet 1933-1949 në Kajro dhe ndërtimi i thirrjes
Pas pesë viteve veprimtari në Ismailije, Degët e organizatës islame “Vëllezërit Muslimanë” me shpejtësi të madhe u hapën edhe nëpër qendra të ndryshme, sikur në Suez dhe Aleksandri. Në tetor të vitit 1933, Hasan El-Benna u transferua në Kajro për t’ju përkushtuar plotësisht angazhimit të vet kryesor – udhëheqës i Lëvizjes “Vëllezërit Muslimanë”. Me këtë rast, si përgjegjës në Ismailije e la Shejh Muhammed Fergalin.
Vetëm pas një viti veprimtari në Kajro, ideja e “Vëllezërit Muslimanë” u përhap në 50 qytete të Egjiptit.
Nga metoda e veprimtarisë së Hasan El- Bennasë ishte që herët në mëngjes ta vizitonte zyrën e Organizatës, ku e linte programin e ditës dhe fillonte vizitat tjera nëpër shkolla dhe qendra të ndryshme në Kajro dhe në tërë Egjiptin. Kurse në mbrëmje, para se të kthehej në shtëpi, shkonte edhe një herë në zyrën kryesore të Vëllezërve, mbante ndonjë ligjëratë apo informonte se çfarë ka bërë atë ditë, interesohej se si kanë shkuar punët në zyre etj.
Në vitin 1936, “Vëllezërit Muslimanë” filluan t’i japin rëndësi edhe politikës, kur Hasan El-Benna filloi të del nëpër mediume dhe të flet me të madhe mbi gjendjen shoqërore e fetare, si dhe filloi t’u dërgojë edhe telegrame ministrave të ndryshëm të Egjiptit.
Po ashtu, në vitin 1936 ai u dërgoi letra edhe mbretit Faruk dhe kryetarit të qeverisë së Egjiptit, Mustafa Nehas, si dhe të gjithë mbretërve dhe kryetarëve të shteteve arabe, të gjithë kryetarëve të partive politike të cilat ishin në pozitë dhe atyre opozitare, me ç’rast ju bënte ftesë për respektimin e parimeve dhe bazave të Fesë Islame, u shkruante për kulturën dhe civilizimin islam, për nevojën e muslimanëve për udhëheqësi islame etj. Kjo letër apo ky mesazh i tij gjendet në librin e tij “Mexhua Risail”.
Më 6 maj të vitit 1948, Hasan El-Benna lajmëroi për luftën e shenjtë kundër jehudëve dhe dërgoi një grup të madh luftëtarësh në luftën e Palestinës.
Veprimtaria letrare e Hasan El-Bennasë
Imam Hasan El-Benna ishte një predikues dhe reformator i vërtetë. Qëllimi i tij ishte të organizojë një grup muslimanësh të cilët do jetonin dhe do të vdisnin për Islam. Ai donte të forcojë jetën në rrugën islame në Egjipt, andaj edhe u dha përkushtim të madh aspekteve praktike të misionit të tij dhe ngritjes së anëtarëve të Lëvizjes, moralisht dhe shpirtërisht. Njëherë u pyet: “Pse nuk shkruani libra?”, kurse ai u përgjigj: “Unë shkruaj njeriun”. Megjithatë, ai shkroi edhe disa tituj, ndër të cilat janë:
a. “Mudhakerat el-Dava vel-Daijiah” (Ditari i Predikimit dhe Predikuesit). Një kryevepër e punës së tij. Ky ditar është i ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë përmban jetën e tij personale, kurse pjesa e dytë përmban aktivitetet e “Vëllezërve Muslimanë”.
b. “Risail El-Imam El-Shahed”. Ky libër është një përmbledhje e disa artikujve të cilat ai i mblodhi në kohë të ndryshme të jetës së tij. Një nga detajet e këtyre artikujve është “Risale-tul-Taleem”. Kjo broshurë përmban udhëzime të cilat ai ua dedikoi atyre që ishin anëtarë të përhershëm të Lëvizjes “Vëllezërit Muslimanë”. Aty ai sqaroi dhjetë parimet themelore të Betimit të Besnikërisë, e që janë:
1. Të kuptuarit
2. Sinqeriteti
3. Veprat
4. Xhihadi
5. Sakrifica
6. Bindja
7. Qëndrueshmëria
8. Përkushtimi
9. Vëllazëria
10. Besimi reciprok
c. Leksionet dhe këshillat e Imam Hasan El-Bennasë
Fjalimet e shkurtra dhe udhëzimet fetare të Imam Hasan El Bennasë u përmblodhën në një libër, e që është një thesar i diturisë. Ai u jepte këshilla dhe udhëzime shokëve të tij dhe anëtarëve të Lëvizjes nga koha në kohë, udhëzime dhe këshilla të cilat pastaj u bashkuan në trajtën e një libri i cili u titullua “Hadith e Thuletha” (Bisedat e së martës).
Rënia Shehid e Imam Hasan El-Bennasë
Imam Hasan El Benna kaloi një jetë të vështirë që nga lindja e deri në momentet e fundit të jetës së tij. Ai pothuajse nuk kishte kohë të pushojë dhe gjithë jetën e tij ia kushtoi Islamit dhe mirëqenies së muslimanëve. Jetën e tij në këtë botë e përfundoi si dëshmor në rrugë të Zotit, më 12 Shkurt 1949, në rrugën kryesore “Melik Nezli” të lagjes “Halimije” në qendër të Kajros, duke marrë kështu titullin më të shenjtë në Islam – Shehid.
E vranë armiqtë e Islamit, të cilët menduan se me vrasjen e tij do ta vrasin Islamin, do ta shuajnë Lëvizjen Islame dhe përpjekjen që Islami një ditë të kthehet në jetën praktike të njerëzve dhe udhëheqësve.
Ata, menjëherë pas vrasjes së tij, i konfiskuan të gjitha zyrat dhe qendrat e “Vëllezërve Muslimanë”, kurse me qindra aktivistë të kësaj Lëvizje i burgosën, torturuan dhe pushkatuan.
Megjithatë, edhe pse e vranë Imamin Hasan El-Benna, ata nuk arritën ta shuajnë Lëvizjen Islame, përkundrazi, me vrasjen e tij ata i dhanë edhe më shumë vrull asaj, duke e bërë atë një ndër Lëvizjet Islame më të përhapura në botë.
All-llahu e mëshiroftë Imam Hasan El-Benna, e bëftë banor të Xhenneteve të larta, bashkë me Pejgamberët, sahabët dhe njerëzit e devotshëm.
All-llahu ia pranoftë shehidllëkun. AMIN.
EDITOR
12 years ago
previous article
Hasan El-Bena dhe ripërtëritja e fjalimit fetar!
next article
LSDM-ja firmos dorëheqjet e deputetëve?!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago