Sinjali i parë u dha, çështja e stadiumit tonë kombëtar të licencuar për një ndeshje ndërkombëtare tashmë është më serioze se kurrë. Zhvillimi i ndeshjes miqësore me Bjellorusinë në Turqi, kur ajo duhej të luhej në Shqipëri, është mesazhi më i fortë që FIFA dhe UEFA i kanë lëshuar FSHF-së dhe shtetit shqiptar. Tashmë kombëtarja shqiptare rrezikon seriozisht që të mos luajë asnjë ndeshje miqësore dhe kualifikuese për Europianin 2016 në Shqipëri. Rreziku bëhet evident kur për këtë çështje asnjë nga shteti ynë nuk është prononcuar. Ndërsa FSHF-ja edhe njëherë tjetër mjaftohet me deklaratën: “Federata nuk bën ose rikonstrukton impiante, pasi nuk është pronare, këtë mund ta bëjë vetëm shteti shqiptar.” Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një stadium që të paktën t’u përafrohet standardeve që kërkon UEFA, por edhe pse këtë gjë e dinë fort mirë, si FSHF-ja, edhe shteti shqiptar, fakt është se nuk është ndërmarrë asnjë nismë, çka të bën të besosh se për takimet e radhës kombëtarja shqiptare do duhet të gjejë një stadium jashtë kufijve.

KRYEMINISTRI
Jo më larg se 45 ditë më parë, kryeministri i vendit, z.Edi Rama përsëriti qëndrimin e tij në lidhje me ndërtimin e një impianti të ri në vend. Gjatë një interviste në rrjetin social “Twitter” me njerëz të shtresave të ndryshme në vend, Rama është pyetur edhe sa i përket ndërtimit të stadiumit, duke qenë se në Europë jemi aktualisht të vetmit pa një impiant bashkëkohor. “Çfarë do të bëjmë për sportin? Do ta nisim fillimisht nga sporti për të gjithë. Por të premtosh stadiume në kohë krize ekonomike, është një sport i së shkuarës”, – ka thënë kryeministri i vendit. Të njëjtën gjë pak a shumë e ka pohuar Rama edhe gjatë emisionit “Sport Debat”, para zgjedhjeve, kur ai preku temën e rindërtimit të stadiumit të ri. Pra, duket qartë se qeveria shqiptare jo vetëm që nuk e ka prioritet, por as në plan, ndërtimin e një stadiumi të ri. Por më thelbësorja në këto momente është një ftohtësi mes institucioneve në lidhje për këtë çështje. FSHF-ja, si pala më e interesuar, nuk ka bërë as përçapjen më të vogël për të kontaktuar me pjesëtarë të qeverisë, më saktë me Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve, pse jo, edhe me vetë kryeministrin Rama. FSHF-ja duket e ka më të lehtë të gjejë stadium jashtë vendit, sesa të ulet të bisedojë për rikonstruksionin e njërit këtu në Shqipëri.
Zërat në ambientet sportive flasin për një emigrim të kuqezinjve
“QEMAL STAFA”
Nesër pritet të zhvillohet tenderi për stadiumin “Qemal Stafa”. Sipas asaj që ka programuar FSHF-ja, më 22 nëntor kompania franceze e konsulencës do të përzgjedhë përfundimisht edhe fituesin, pra kompaninë që do të merret me ndërtimin e këtij impianti. Por gjithsesi duhet thënë se pavarësisht tenderit, asgjë nuk do të nisë (pra, prishja dhe ndërtimi), nëse nuk merret edhe miratimi i shtetit shqiptar.
(BalkanWeb)