Debatet mbi Izraelin kanë tendencën të krijojnë një nivel të pazakontë zemërimi dhe sarkazme, gjë që i shtyn edhe njerëzit më të mençur të krijojnë argumente të dobëta dhe të ndalojnë te tallje fëminore. Ky fenomen u bë shumë i dukshëm këtë javë në Nju Jork, ku dhjetë anëtarë të këshillit të qytetit i dërguan një letër presidentit të Kolegjit të Bruklinit, duke e kritikuar departamentin e tij të shkencave politike, sepse kishte bashkëfinancuar vizitën e lëvizjes BDS, një organizatë që bën thirrje për bojkot, ndalimin e investimeve dhe për sanksione “kundër Izraelit deri sa ky vend të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e palestinezëve.”
Anëtarët e këshillit nuk u munduan të fshihnin ndonjë gjë. Ata shkruan: “Një pjesë e rëndësishme e financimeve të shkollës suaj vijnë direkt nga dollarët e taksave të njerëzve në shtetin dhe qytetin e Nju Jorkut. Çdo vit, ne ligjvënësve na kërkohet të shtojmë fonde në mbështetje të programeve dhe iniciativave të këtyre shkollave dhe luftojmë shumë për t’i siguruar këto fonde. Çdo dollar që ne i japim Kolegjit të Bruklinit nënkupton se një dollar më pak hiqet nga ndonjë punë tjetër e rëndësishme. Ne nuk besojmë se dollarët po përdoren nga kolegji juaj në atë mënyrë që qytetarët tanë do të dëshironin të përdoreshin. Ne besojmë te parimi i lirisë akademike.
Gjithsesi besojmë edhe në parimin se nuk duhet të mbështesim shkolla që kanë programe që ne i gjejmë të çuditshme dhe të gabuara. Kështu, nëse kjo gjë ndodh, do ta kundërshtojmë atë me ashpërsi dhe do t’ju kërkojmë të rimendoheni kur të kërkoni ndihmë apo sponsorizime zyrtare”.
Zbulimi i kërcënimit për tërheqjen e financimit për kolegjin solli debat të madh nga progresistët, si dhe deklarata të ashpra në mbrojtje të këshillit nga Liga Kundër Shpifjeve dhe Alan Dershowitz, profesori i njohur i ligjit në Harvard. Retorika ishte gati apokaliptike nga të dyja anët: Mbështetësit e vendimit të departamentit për të sponsorizuar vizitën ankohen për faktin se këshilltarët e qytetit po përdorin “taktika të pista dhe një fushatë frikësimi”, ndërsa Alan Maisel, një mbështetës i këshillit, paralajmëroi për një “holokaust të dytë”, nëse debati mbi sanksionet ndaj Izraelit zhvillohet me mbështetjen e kolegjit. Në një shkëmbim email-esh mes palëve, ata u angazhuan në sulme personale, duke vënë në pikëpyetje nacionalitetin, inteligjencën dhe integritetin e tjetrit.
Presioni mbi Kolegjin e Bruklinit filloi të ulej, kur kryebashkiaku Michael Bloomberg u bashkua me bordin e redaktorëve të “New York Times” dhe pjesës progresive të këshillit, të cilët folën në mbështetje të lirisë akademike. Bloomberg shkoi aq larg sa krahasoi këshilltarët e letrës kërcënuese me zyrtarët e censurës së Koresë së Veriut. Komentet e tij prekën një pikë nevralgjike: “Unë personalisht mendoj krejtësisht ndryshe nga BDS-ja dhe thirrjet e tyre për bojkot, tërheqje investimesh dhe sanksione.
Siç mund ta dini, jam një mbështetës i madh i Izraelit, aq i madh sa vështirë se mund të gjeni tjetër në qytet, por unë jam tërësisht dakord me të drejtat e akademikëve për të sponsorizuar një debat për çfarëdolloj teme që ata zgjedhin. E kam fjalën, nëse ti dëshiron të shkosh në një universitet ku qeveria vendos se çfarë lloje debatesh janë të hapura për diskutim, mendoj se duhet të aplikoni në ndonjë shkollë në Korenë e Veriut. Gjëja e fundit për të cilin kemi nevojë është që këshilltarët e qytetit të fillojnë të menaxhojnë në detaje se çfarë lloje programesh organizojnë universitetet tona publike dhe të bazojnë fondet mbi vendimet e pikëpamjeve politike të profesorëve. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë më të dëmshme për universitetet dhe studentët”. Kryebashkiaku ka të drejtë në të dyja drejtimet: ndërhyrja e ashpër e këshilltarëve në çështje akademike është po aq e gabuar sa edhe misioni i BDS-së. Grupimi nuk pranon idenë e Izraelit si shtëpi për popullin hebre dhe këmbëngul zgjidhje me një shtet, një teori në të cilën Izraeli, siç e njohim ne, duhet të pushojë së ekzistuari. Ka shumë për të debatuar mbi këto propozime dhe ka mënyra më të mira për të strukturuar një debat mbi to. Këto nuk përbëjnë arsye të shëndosha për të shtypur të drejtën e universitetit për të financuar zhvillimin e debatit.
Gjatë zhvillimit të këtij debati, protestat kundër tyre shoqëruan Judith Butler dhe Omar Barghouti, përfaqësues të BDS-së. Dhe ndërsa debatuesit flasin për vendbanimet, të drejtat e njeriut dhe nëse Izraeli është një shtet aparteidi (dhe nuk është) një problem më i madh, do të diskutohet në sfond: çfarë është ekzaktësisht liria akademike? Dershowitz hedh poshtë pretendimin se letra e këshilltarëve të qytetit kërcënon lirinë akademike. Sipas tij, janë profesorët e departamentit të shkencave politike, jo këshilltarët, ata që përbëjnë një kërcënim real. Ja si e argumenton ai: “Unë mendoj se nëse do të isha student në Kolegjin e Bruklinit sot, nuk do të përpiqesha të diplomohesha në shkenca politike nga frika se mbështetja ime për Izraelin dhe kundërshtimi im për BDS-në mund të më vinte para paragjykimeve në sytë e profesorëve që kanë mbështetur BDS-në, rrjedhimisht duke diskriminuar këndvështrimin tim në tregun e ideve.
Si mund të sigurohem unë se mendimet e mia nuk do të diskriminohen kur të vijë puna për të vendosur notën për mua? Ky është problemi real në vendimin e Kolegjit të Bruklinit për të bashkëfinancuar dhe mbështetur fushatën e BDS-së”. Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta siç i tregon Dershowitz. Kolegji e ka votuar mbështetjen për debatin (por nuk e ka mbështetur BDS-në). Arsyetimi i Dershowitz është që zhvillimi i një debati krijon një atmosferë pariteti ideologjik në çështjen Izrael/Palestinë, ku pro-izraelitët nuk janë të mirëpritur. Por Dershowitz shkon edhe më tutje dhe kërkon që liria akademike duhet të shpëtohet.
Ai thotë: “Një studente e shkencave politike në Kolegjin Bruklin tha se ishte e frikësuar të kritikonte departamentin e saj, sepse një gjë e tillë mund ta dëmtonte. Një studente tjetër tha se ndihej “jo shumë rehat” kur i vinte ndër mend të ngrinte dorën dhe të argumentonte me profesorin, i cili kishte votuar për zhvillimin e debatit”. Por e gjitha kjo është në fund të fundit një konkluzion absurd që ne nxjerrim nga argumentimi i Dershowitz: profesorët nuk duhet të tregojnë bindjet e tyre, madje as nuk duhet të votojnë zhvillimin e një debati mbi një çështje të debatueshme, sepse përndryshe studentët me këndvështrim tjetër mund të ndihen të persekutuar. Duke e zbatuar këtë konkluzion në fusha të tjera, mund të themi se debati mbi kontraceptivin mund të fyejë një student katolik. Debati mbi sulmet me avionë pa pilot mund të frikësojë një student pacifist.
Argumentimi në mbrojtje të kritikës së Marksit mbi kapitalizmin mund t’i frikësojë studentët liberalë. Në fakt, asnjë nga këto raste nuk mund të konsiderohet si sulm mbi lirinë akademike të studentëve. Akademikët shkruajnë libra, mbajnë fjalime dhe publikojnë blogje. Ata mbështesin gjithashtu zhvillimin e debateve dhe folësit shumë shpesh nuk bien dakord me ta. Nëse studentët frikësohen nga një debat kaq lehtë, është vështirë që ata të jenë studentë./koha/