Automjeti i të ndjerit Sokol Olldashi do i nënshtrohet një ekzaminimi të imtësishëm në qëndrën e filialit të “Mercedes-Benz” në Tiranë.
Vendimi për të transportuar makinën nga ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, në serviset e filialit të kompanisë gjermane që ndodhen në autostradën Tiranë-Durrës, është marrë ditën e djeshme nga prokuroria e Tiranës.
Kjo për shkak se testi i parë kompjuterik i kryer nëpërmjet një Laptopi nuk ka arritur të nxjerë të dhëna të sakta që mund ti shërbejnë grupit hetimor.
Por brenda bagazhit të makinës së deputetit Sokol Olldashi janë gjetur disa sende personale, të cilat tashmë i janë kthyer familjes së të ndjerit.
Sipas burimeve të policisë së Tiranës bëhet fjalë për dy kompjutera Laptop, 20 pako duhan i bluar, qindra filtra cigareje, dy libra për grupin muzikor Beatles si dhe një libër tjetër ekonomik. Këto sende personale janë gjetur në bagazhin e makinës dhe tashmë i janë kthyer familjes.
Duke ju referuar burimeve të policisë, brenda në makinë është gjetur dhe telefoni celular i Sokol Olldashit, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pas verifikimit pritet që ti rikthehet familjes së të ndjerit.