Në Gadishullin Ilirik (sipas Ali Podrimjes) ekziston një shtet që karakterizohet me dy palë histori. Njëra e lavdëruar dhe tjetra e abuzuar, po edhe hileqare. E para, sot, mbush 100 e një mote, e dyta 100 vjet. Që të mos krijojmë amulli a pështjellim te njerëzit që merren me shkencën e logjikës formale, a që studiojnë ligjet e format e të menduarit drejt, pa lënë mënjanë përmbajtjen konkrete të tij, do të them se “llafet” e sipërpërmendura nuk janë fjalë goje e aq më pak lojë fjalësh.
Para se të vazhdoj ta “shkarravis” këtë vështrim gazete, për hir të një korrektësie ndaj lexuesve, do të më duhet që “Historisë së diplomacisë të Anglisë” t’i kërkoj “ndjesë” për fjalorin tim të denigruar e prej rrugaçësh që do ta përdori në vazhdim.
Historianët shqiptarë, sot, do të thonë se para një shekulli, në një mëhallë të bordeleve më të njohura të kryeqendrës së “Ingliteres” (Britani e Madhe) iu bë një hile (hiç pa mbare) shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës, veçmas nga ana e ca ambasadorëve horra që vinin nga disa shtete të Evropës së atëhershme lavire, ”një shteti që ia morën masën e samarxhiut”!
Mbase moti 2012 që iku kokëlartë e me paksa çallëm, karakteristik për shqiptarin, sikur “pa qëllim” e zbehu vitin 2013, një vit kur para një shekulli, shtetin e atij burri mendjendritur nga Vlora e pjesëtuan me pesë…, një shekull më parë, kur Ismaili shpalli mëvetësinë e Shqipërisë natyrale, një shtet me 100 vjet vuajtje, një shtet me 100 mote gëzime, një shtet me 100 vjet harresa, 100 mote eufori, 100 vjet pseudopatriotizma, 100 vjet zhgënjime a inate histerike e homerike (për këto inate homerike të shqiptarëve, Dritëro Agolli do e jep këtë këtë shpjegim: “U zumë të dy aq shumë për punën, Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”), 100 mote lëvdata, shtrembërime, nihilizma, bajraktarizma, folklorizma, anakronizma, 100 vjet solidaritet ndërshqiptar, 10 decenie luftë për krijimin e shtetit të Kosovës, 100 vjet përpjekje për ndërtimin e kështjellës së mbamendjes kolektive shqiptare, 100 mote për ndërtimin e kryefjalës së drejtshkrimit  dhe drejtshqiptimit të gjuhës mëmë…, 100 vjet të mbrojtjes së identitetit kombëtar…, 100 mote të zhvillimit të kulturës e të diplomacisë sonë, 100 vjet rilindje, 100 mote luftë kundër tradhtarëve të kombit sidomos ndaj atyre politikanëve që fare pak i dhanë Shqipërisë dhe më shumë e vodhën atë…, 100 mote luftë kundër matrapazëve, kolaboracionistëve që u infiltruan në telashet tona, njëqind vjet luftë kundër ca të ashtuquajturve “historianë tarafexhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe me ca kalorës të vonuar të çështjes sonë, të cilëve ndonjëherë “duhet” t’ua qash hallin, sepse nga “lodhja” u varen këmbët, 10 dekada luftë me “ca burra, inati i të cilëve është më i fortë se inati i urisë”!…, një shekull luftë me disa “insanë”, a me një sërë “idealistësh e nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin të “gatuajnë” një politikë tjetërfare, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën tonë, sa të lavdëruar poaq edhe të dhimbshme!
Një shekull luftë me njerëz a politikanë të cilët “çirreshin e bënin shaka” me mbretin, me gjithë kryeministrat, kryeparlamentarët a edhe me presidentët e shtetit, me ata që talleshin me datat e shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, me ata që pa të drejtë mëtuan t’i pronësojnë e mandej t’i shtrembërojnë datat sa u përket manifestimeve pavarësisht vendndodhjes ku do të organizohen…, luftë me gjithë ata që menduan se e gjithë kjo “trashëgimi kombëtare, kinse qenkësh pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!? Dyzet vjet luftë me mbështetësit e politikës së “Neronit shqiptar” (Enver Hoxha), pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë, gegë, bektashinj, veriorë a jugorë, kumarxhinj, sehirxhinj, hazërxhinj a sejmenë që mëtonin “ta zaptonin kryekolltukun e pushtetit mbretëror, socialistë që donin ta përvetësonin atë ndërkalimin politik, gjegjësisht demokracinë”!?… 100 mote luftë me të gjithë ata shqiptarë shtiracakë që historinë tonë e ngarkuan  me një thes (pleshtash- siç e pat thënë At Gjergj Fishta) inatesh histerike dhe homerike…, luftë me gjithfarë kronistësh të cilët (fatkeqësisht), lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një zabel të pavërtetash…, luftë me ata që nuk kishin “takatin e arsyes” sa i përket frenimit të fanatizmit të tyre të çmendur…, njerëz që në vend “se të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare”!
100 vjet luftë me njerëzit… që padrejtësisht ndërtuan lloj-lloj shpifjesh që më pastaj ia  “faturuan”  Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turko-shqiptare) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!” (referencë e huazuar) e shumë sajime të tjera të ulëta e të rrezikshme. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare. Përkundër kësaj lufte njëqindvjeçare, shqiptarëve nuk u mjaftoi ajo tradhtia e Konferencës së ambasadorë-horrave dhe  “dylberëve”… dhe sot nuk  arrijnë dot që, njëherë e përgjithmonë, t’i “sikterisin” të gjithë tradhtarët shtirës, që u ka ikur fiqiri dhe që guxojnë sot e gjithë ditën e Perëndisë t’i  bëjnë “pordhë”  historisë sonë kombëtare.
Duke e përfunduar këtë “shkarravinë” dedikuar 100-vjetorit të  “Shqipërisë hileqare a londineze”!?…, do të themi se shqiptarët, gjatë gjithë një shekulli, i “besuan “padrejtësisht” fatit dhe shpresës”! Fatkeqësisht, fati nuk u eci, ndërkaq shpresa e tyre për një bashkim kombëtar mbeti vetëm një andrallë!
Nëse do më lejohet, po e përsëris atë meselenë e Madonës që, kur “kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin, ose vish brekët!” (referencë e huazuar). Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane!? Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjmë punën për çka jemi të ngarkuar e të paguar, o do të duhet ta braktisim atë…, o do të duhet të mbyllim gojën një here e përgjithmonë. Ndryshe nuk bën. Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”
P. S.
“Ju ambasadorë të Konferencës së Londrës, para se të shkoni në… të së ëmës, uroni 100 vjet Shqipëri hileqare… E gëzofshi!??”