Shqipëria duket se edhe një herë po bën kalibrimin e politikës së vet. Ardhja e Ramës në pushtet, të paktën tani në fillim, po duket se po hap pista të reja të ecejakes politike.
Identiteti politik shqiptar i cili viteve të fundit më shumë i ngjasonte një folklorizmi, po jep sinjal se dëshiron të kapë një dinamizëm më të theksuar. Dhe, ky vrull është mirë ta ngadhënjejë kohën. Në të kundërtën do të paraqitet si dëshpërim dhe dështim për projektet afatgjate të shqiptarëve.
Marrëzitë që ka pasur politika shqiptare të cilat karakterizoheshin me mosdurim total mes dy taborëve, duhet t’i takojnë më historisë, kurse Shqipëria më në fund duhet të radhitet në grupin e vendeve të politikës së avancuar. Kjo vlen si për bllokon aktual opozitar, ashtu edhe për ata që tashmë quhen ish-opozitarë.
Turpet, si ai 21 janarit të vitit 2011, nuk duhet të jenë “shëmbëlltyrë” e opozitës, e cila në emër të pushtetit nuk i bëhet vonë nëse e rrënon gjithë sistemin.
Në fakt, Shqipëria duket se në një farë mënyrë e dëshmoi këtë nëpërmjet protestës kundër armëve kimike. Si Basha-Berisha, ashtu edhe Rama, ngelën jashtë përllogaritjeve politike, të cilat ndoshta i kishin bërë në kabinetet e tyre për “ta materializuar” daljen e qytetarëve në rrugë.
Fishkëllimat kundër “dyshes demokratike”, por edhe brohoritjet përpara Kryeministrisë, treguan se mendjet e të rinjve nuk janë të pushtuara vetëm nga klishetë e djathta apo të majta për domosdoshmërinë e dëgjimit dhe aprovimit të vendimeve të “të madhit”!
Përpjekja e Ramës që ta anashkalojë këtë qëndrim të rinisë shqiptare, u pa qartë se ishte veprim kundërproduktiv. Ndaj është mirë që kjo betejë u humb në fillim të mandatit qeverisës, ngase kështu ai ka marrë një leksion, të cilin paraardhësit e tij në të shumtën e rasteve nuk e kishin kuptuar.
Por, krahas gjithë kësaj, Rama duket se tani po (orvatet të) sjell një frymë ndryshe në rrafshin e politikave të brendshme dhe ato të jashtme. Ai duket qartë se është zhveshur nga disa komplekse nacionaliste, të cilat shqiptarin me dekada të tëra e fusnin në një rreth vicioz.
Si asnjë politikan tjetër shqiptar, ai po bën një sintezë të ekonomisë dhe gjeopolitikës, duke u përpjekur që para të gjithë homologëve të tjerë ballkanikë ta lexojë “lëvizjen e gurëve”.
E kërkon Bashkimin Evropian, por nuk e anashkalon rolin e impaktit të politikave të Ankarasë. Afrohet me kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan, por nuk harron të bëjë një korrigjim të politikave me Greqinë. Fotografohet me Papulasin, mirëpo nuk i mbyll sytë para nevojës së mbajtjes së raporteve të afërta me Italinë. Kjo ndërthurje me një prani kaq aktive në këto tre qendra, pa përmendur vizitat në Prishtinë dhe Shkup, shpërfaqin një praktikë që sforcon qartë pozitën shqiptare në këtë pjesë të globit.
Me këtë ritëm të një kalorësi (tashmë të penduar për gabimet e bëra në të kaluarën), Rama mund ta shënojë emrin e tij në grupin e atyre që u japin kahe proceseve të mëdha kombëtare. Megjithatë, e gjithë kjo nuk do të thotë se paraardhësi i tij e ka “luajtur lojën” krejt gabimisht. Përkundrazi, Berisha më shumë se një dekadë ka arritur që Shqipërinë ta vendos në binarë të duhur. Mëkati i vetëm i tij është mosleximi i afatit të skadencës dhe këtë e pagoi shumë shtrenjtë!
Dhe, pas gjithë kësaj, Rama duhet të bëhet një revolucionar i kohës, por pa u mbuluar me vellon e patetikës dhe arrogancës së skajshme, që e ka karakterizuar në të shumtën e rasteve derisa ka qenë jashtë Kryeministrisë.
Tani, pasi i është plotësuar ëndrra për t’ia zënë vendin Berishës, ai duhet të dëshmojë se di të punojë edhe më mirë se sa ai! Në të kundërtën, data e skadencës një ditë mund ta prekë edhe atë, pse jo edhe më shpejt seç mund të pandeh vetë ai.
admin
11 years ago
previous article
Flet "djadhtas" e vepron "majtas" dhe anasjelltas
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago