Dr. Aid El-Karnij
Muhamedi a.s nuk ishte vetëm një i dërguar si shumë të dërguar të tjerë para tij. Ai ishte profeti me të cilin Zoti i dha fund zinxhirit të profetëve. Ai ishe një njeri, me të cilin Zoti nderoi dhe gradoi njerëzimin. Nëse drejtësia do të mishërohej dhe merrte formë, ajo do të merrte formën dhe pamjen e Muhamedit a.s. Nëse dëlirësia e shpirtit do të pikasej diku, padyshim do të pikasej në shpirtin e tij. Nëse virtyti do të pikturohej, nuk do të kishte tablo më optimale se ajo e Muhamedit a.s. Po ai ishte njeri, lëvizte në tregje dhe ushqehej si gjithë njerëzit. Ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte pikërisht nuri i profecisë me të cilin rrezatonte. Pishtari i mesazhit hyjnor i ndriçonte udhën atij dhe atyre që i besonin. Fjalët e tij ishin të vërteta, veprat të drejta, udha e sigurt. Kudo që të ishte, bashkë me të ishte dhe mëshira. Bujaria kishte bujtinë shpirtin e tij. Ai i besonte lehtësimit, feja që solli ishte e lehtë, Kurani që iu shpall ishte i lehtë, tradita e tij ishte e lehtë, urdhrat dhe ndalesat të lehta. Teksa lexon biografinë e kolosëve të njerëzimit përkrah biografisë së profetit Muhamed a.s. të gjithë të duken të vegjël përballë tij. Kur lexon lajmet e reformatorëve përkrah lajmeve dhe jetës së tij, të gjithë shndërrohen në nxënës të Profetit a.s. Nëse mahnitesh me gjenitë, me të lexuar traditën profetike, të gjithë i sheh si studentë të universitetit të Muhamedit a.s. E kanë lëvduar armiqtë përpara miqve dhe i largëti para të afërtit.
Për të shprehur bindje ndaj tij konkuronte Ebu Bekri i kurejshëve, Bilali i Etioposë, Selmani i Persisë dhe Suhejbi i Bizantit. Me tu kujtuar emrin e tij turqve, u përloten sytë. Me tu thënë një hadith të tij kurdëve, i mallëngjen zemrat. Persët me të dëgjuar një ndodhi nga jeta e tij u gufojnë shpirtar nga dashuria. Në çdo cep ai ka ithtarë, në çdo shtet mbështetës, në çdo qytet njerëz që e duan. Emri i tij buçet nga minaret anembanë, i përmendet në foltore dhe i shkruhet në fletore. Emri i tij dëgjohet nga myezinët e Mekës, Medinës, Kajros, Sanasë, Damaskut, Bagdadit, Xhakartës, Parisit, Uashingtonit etj. Çdo ditë nga pesë herë, myezini thërret: “Esh-hedu enne Muhameden resulullah…” (Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit). Sa herë kujtohet emri i Zotit, kujtohet dhe emri i Muhamedit a.s përbri Tij. Emrin e tij e gjen në librin e Zotit, e citojnë ftuesit në ligjëratat e tyre, adhurojnë Zotin dhe mbështesin sheriatin e Tij. Ftuesit në udhën e tij, më shumë se fjalët e Profetit a.s përdorin jetën e tij, më shumë se predikimet citojnë moralet e tij, më shumë se ashpërsinë gjejnë zemërbutësinë e tij. Ai çeli dyert e pasurive të botës, pallatet dhe thesaret e saj për ymetin e vet. Mandej kur vajti tek Zoti i tij, shkoi me një mburojë të lënë peng tek një hebre, për tridhjetë okë elb. Ai nuk la pas as shtëpi, as pallate, as toka dhe as pasuri. Me dhembshurinë e vet, robëroi zemrat e njerëzve, me dashurinë e tij bashkoi të përçarët, me urtësinë vëllazëroi fiset, me dije luftoi injorancën, me lehtësirat hoqi qafe vargonjtë e traditave dhe zakoneve të vjetra. Ai u dërgua me fenë e lehtësimit, me besimin e dëlirë, me natyrën e pastër, me rrugën ne mesme. Ai solli fenë dhe ndërtoi shtetin, përdori penën por dhe shpatën, falej si imam dhe predikonte fenë e tij. Ai reformoi shpirtin dhe trupin, dynjanë dhe ahiretin, burrin dhe gruan. Secili nga shokët e tij, rrëfen dashurinë për Profetin a.s sipas mënyrës së vet. Kushdo që ka biseduar me të, përshkruan ndjenjat dhe emocionet të shoqëruara me lot malli. Kushdo që e ka takuar, ka dëshmuar madhështinë e tij, pavarësisht nëse është pajtuar me të apo jo. Askush nuk mban mend ndonjë shkarje të Profetit a.s, nuk i ka regjistruar kush ndonjë gënjeshtër, nuk njeh kush ndonjë lapsus apo gabim. Zoti ia ruajti zemrën të dëlirë, ia pastroi shpirtin, ia ruajti shikimin dhe dëgjimin. Ai ka la lëvduar rrugën, i ka reklamuar moralet dhe ka vlerësuar rolin e tij. Vetë Zoti i lartësuar e zgjodhi të dërguar për mbarë botët, mësues për të paditurit, model dhe shembull për njerëzimin. Sa më shumë lexon jetën dhe biografinë e tij, aq më shumë të shtohet dashuria, vlerësimi dhe simpatia për të, duke u shndërruar në njeriun më të preferuar dhe të dashur nga të gjithë. Me miliona ëndërrojnë ta shohin edhe nëse humbasin pasuritë dhe familjet. Ai jetoi mes shokëve të vet dhe prej tyre nxori kalifë të drejtë, dijetarë të lidhur me Zotin, interpretues të Kuranit, myftilerë, predikues oratorë, zahidë të devotshëm dhe komandantë legjendarë. Secili nga shokët, mori prej Profetit a.s një aspekt nga jeta e tij, duke u shndërruar në kolosë të historisë dhe yje të botës.
Kush lexon historitë dhe biografitë e burrave më të shquar të botës, mandej lexon biografinë e profetit Muhamed a.s, i harron të parët. Profeti a.s është ulur me mbretërit dhe skllevërit, me të pasurit dhe të varfrit, me burrat dhe gratë, me arabët dhe jo arabët, me armiqtë dhe me miqtë. Kur janë larguar prej takimit me të, të gjithë janë mrekulluar nga modestia dhe mikpritja e tij. Ashtu siç ka kullotur dele, ai ka udhëhequr popuj. Ka jetuar në varfëri dhe në luks, në shëndet dhe sëmundje, në triumf dhe humbje, në paqe dhe luftë dhe në çdo situatë manifestonte faktin që ishte rob i Zotit, i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj Tij. Zoti thotë në Kuran: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), vetëm si mëshirë për botët.” (Enbija, 107)
“Se ti je me virtyte madhore.” (Kalem, 4)
http://ardhmeriaonline.com
admin
11 years ago
previous article
Gratë drejt pajtimit dhe emancipimit
next article
Grafite raciste në Manastir: “Stop Islamizimit”
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
3 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
3 hours ago