400 punësimet e reja në administratën shtetërore për vitin 2014, të cilat i paralajmëroi Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, nuk do të përmirësojnë përfaqësimin e shqiptarëve në Institucionet shtetërore, në kohën kur paralelisht me to pranohen edhe administratorë maqedonas përmes konkurseve të shumta të Qeverisë.
Analisti politik Naser Zyberi shpreh shqetësimin nga mungesa e gatishmërisë së Institucioneve të shumta për të pranuar nëpunësit shqiptarë.
“Fatkeqësisht jemi dëshmitar se disa institucione në kryeqytet por edhe në pjesë të tjera të vendit tregohen refuzuese në drejtim të absorbimit të kuadrove të cilët pranohen konform Marrëveshjes së Ohrit dhe konkurseve që shpall Sekretariati për Implementim e Marrëveshjes së Ohrit, dhe pamundësojnë këtë mënyrë realizimin e qëllimit për të cilat hapen këto konkurse”, vlerëson për Portalb, Zyberi.
Sipas tij, në vend të punësimeve të reja Qeveria duhet të mbajë llogari për angazhimin dhe sistematizimin e kuadrove të cilët ndonëse të punësuar në administratë prej vitesh qëndrojnë në shtëpi. “Personat të cilët pranohen në konkurse në rend të parë duhet të sistematizohen, t’u jepen detyra konkrete dhe të jenë në funksion të detyrës për të cilën pranohen. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit por edhe gjithë Qeveria duhet paralelisht të bëjmë përpjekje shumë më të mëdha për t’i sistematizuar administratorët e pranuar në konkurset e kaluar”, shtoi Zyberi.
Ndërkaq sipas Fani Karanfilova Pavllovska, punësimet e reja në administratë paraqesin kambanë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Duke pasur parasysh faktin se në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në bazë të të dhënave zyrtare tashmë ka 1578 të punësuar, nga të cilët një pjesë e madhe nuk janë aspak të sistematizuar nëpër vendet e punës, qëndrojnë në shtëpi dhe marrin paga – gjë që konstatohet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për vitin 2013, paralajmërimet për punësimin e 400 administratorëve të ri duket se nuk bazohen në analizat për nevojat e Institucioneve, dhe nuk mund të interpretohen ndryshe përveçse koalicioni qeveritar i VMRO DPMNE-së dhe BDI-së po përgatiten për zgjedhje të parakohshme”, vlerëson për Portalb, Pavllovska.
Nga ana tjetër ekspertët shprehin shqetësimin që Qeveria përkundër kritikave të shumta nga Brukseli vazhdon të mbingarkojë administratën por dhe të punësoj kuadro partiake.
“Fatkeqësisht edhe ligjet për nëpunësit civilë dhe ndryshimet e fundit që u bënë në ligjin për administratë nuk sigurojnë departizim të punëtorëve në administratën shtetërore dhe publike. Nëpunësi edhe më tej mbetet në një trysni politike , lojaliteti ndaj partive në pushtet dhe përkatësia partiake mbeten një nga meritat më të mëdha të atyre që punësohen në vend që të jetë e kundërta. Fatkeqësisht përkatësia partiake merret si viza e vetme që dikush të merr statusin e nëpunësit shtetëror apo publik”, thekson analisti Naser Zyberi.
Qeveria akoma nuk disponon me numrin e saktë të të punësuarve në administratën shtetërore. Ministri për shoqëri informatike Ivo Ivanovski paralajmëroi se me Ligjin e ri për administratë do të sigurohen të dhëna për numrin e të punësuarve. Megjihatë sipas disa informatave, numri i administratorëve rrotullohet rreth 160.000. / Portalb
admin
11 years ago
previous article
Rezultatet e para të referendumit në Egjipt
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
10 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
10 hours ago