Banorët shqiptarë të Maqedonisë ankohen lidhur me aplikimet për nënshtetësi shqiptare, marrëveshje kjo që u bë vitin që lamë pas.
Ata që tani më kanë aplikuar ankohen për mos marrje të informacionit se çfarë po ndodh me aplikimet e tyre, kurse të tjerët ankohen për dokumente shtesë të cilat kërkohen, por nuk jepen në shtetin tonë.
“Që në shtator kam aplikuar dhe nuk ka asnjë përgjigje. Disa herë jam lajmëruar në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup, por më kanë thënë që ende nuk ka asgjë të re dhe nëse ka ndonjë gjë ata do të më lajmërohen, por deri më tani s’kam marr asnjë përgjigje, kurse kanë kaluar katër muaj nga aplikimi im”, tha D.Xh nga Gostivari.
“Një mik i imi më tha që kishte aplikuar për nënshtetësi shqiptare dhe tash të lajmërohem edhe unë dhe të pyes për informacione. Nga Ambasada më thanë që duhet një dokument shtetëror në të cilin vërtetohet kombësia shqiptare. Kjo gjë tek neve nuk vërtetohet nga shteti, mund të bëhet vetëm në notar, por nga ambasada më thanë që dokumenti i notarit nuk vlen dhe se duhet dokument shtetëror”, tha A.T. nga Shkupi.
Zëvendës ambasadori i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, Ahmet Lala bën të ditur se ende nuk ka përgjigje sa i përket kësaj çështjeje.
“Ende nuk kemi përgjigje nga Tirana zyrtare. Pritet që deri nesër të marrim informacion sa i përket aplikimeve për nënshtetësi shqiptare”, tha Lala.
Ndërkaq nga një gushti, qytetarët shqiptarë jashtë Shqipërisë mund ta përfitojnë nënshtetësinë shqiptare në bazë të vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave. Vendimi i qeverisë përcakton procedurat për njohjen ose fitimin e shtetësisë nga personat me origjinë shqiptare, përjashtuar shtetasit e Republikës së Kosovës.