Shkëndija bën goditjen e radhës në merkato, duke angazhuar sulmuesin brazilian Stenio Marcos da Fonseca Salazar ‘Junior’. 22 vjeçari vjen nga radhët e Pelisterit, ndërsa ishte pronë e përbashkët e ekipit nga Manastiri dhe skuadrës bullgare Litex nga Lovechi. Bëhet fjalë për sulmues kualitativ i cili në sezonin vjeshtor ishte futbollisti kryesor i Pelisterit, ku shënoi 7 gola, 4 prej të cilëve në takimin Metalurg-Pelister të fituar nga manastirasit me rezultat 2:4.
Në Manastir braziliani erdhi verën e shkuar si futbollist i huazuar nga rradhët e ekipit bullgar Litex, ndërsa në vendëlindjen e tij ka luajtur për skuadrat e Horizontes dhe Sport Resifes. Shkëndija gjatë kohë ishte në ndjekje të brazilianit dhe bisedimet u zhvilluan një kohë të gjatë, në një moment u duk se gjithçka do të përfundojë pa sukses, para se të enjten në mbrëmje falë insistimit të drejtuesve të Shkëndijës negociatat të mbyllen me epilog pozitiv.
Krerët e klubit u desh të merren vesh me kryesitë e Litexit dhe Pelisterit, për të bërë të vetin sulmuesin brazilian.
Junior të premten në kompaninë ‘Ecolog’ firmosi kontratë afatgjatë me Shkëndijën, ndërsa më pas u prezantua me fanellën ‘kuqezi’ nga presidenti i klubit Jetmir Bexheti. Futbollisti brazilian është përforcim i radhës i madh për Shkëndijën, që pritet ekipit ti jep një shtytje të madhe në sezonin vjeshtor, kur ‘kuqezinjtë’ do të kërkojnë ngjitje në renditjen tableare.
Stenio Marcos da Fonseca Salazar ‘Junior’ është futbollisti i ri i tetë i Shkëndijës në këtë merkato, pas Yordan Milievit, Nuri Mustafit, Astrit Fazliut, Muhamed Useinit, Demir Imerit, Bojan Vruçinës dhe Denis Simijonoviç-it. Me këtë lëvizje të fundit, Shkëndija ngadalë mbyll merkaton e janarit para se ekipet tjera të fillojnë një gjë të tillë dhe tani futbollistët dhe stafi teknik maksimalisht mund t’i përkushtohen fazës përgatitore. KF Shkëndija / Portalb/