Lexuesit në këtë pikë duhet të pyesin veten: pse unë e dua kaq shumë Muhamedin alejhis-selam, dhe pse në këtë mënyrë? A është kjo për shkak se të gjithë myslimanët duhet ta duan atë? Apo kjo është për shkak se prindërit e mi, edhe kur isha i vogël më mësonin që ta dua atë?
Kur vendosa të shkruaj për dhjetë arsyet pse duhet ta duam Muhamedin alejhis-selam, me të vërtetë jam ndier i hutuar dhe sikur i humbur. Për muslimanët si unë, është shumë e vështirë të gjej 10 arsye pse duhet ta duam Profetin Muhamed alejhis-selam.
Mendoja me vetveten dhe habitesha, cilat dhjetë arsye t’i përmend, përderisa ato mund të jenë me mijëra? Dhe, përnjëherë, sikur u humba kur u ballafaqova me një karakter kaq të madh njerëzor dhe profetik. Në të vërtetë, është e pamundur që gjithë dashurinë time për këtë njeri të madh ta reduktoj në vetëm dhjetë arsye!
Që nga fëmijëria ime, zemra dhe shpirti im thithën dashuri të madhe për këtë njeri të veçantë, ashtu sikur thith lëkura diellin e nxehtë të korrikut.
Dashuria e tij depërton në jetën e çdonjërit musliman dhe timen, si një ajër i butë që marrim dhe nxjerrim për çdo sekondë. Dashuria për Profetin alejhis-selam është bërë një pjesë e imja kaherë, dhe aq shumë ma ka ushqyer shpirtin, saqë është e papërshkrueshme. Thjesht është aty, gjithmonë aty thellë në shpirtin tim.
Muhamedi alejhis-selam u dërgua për mbarë njerëzimin, si shembulli dhe modeli më i mirë. Ai ishte më i durueshmi, më i këndshmi, më i përparuari, më i edukuari njeri në gjithë historinë e njerëzimit.
Shumë myslimanë thonë: “Unë e dua atë më së shumti”, por ata nuk veprojnë sipas modelit të tij. Kurse, dashuria duhet të pasqyrohen me vepra, jo me fjalë.
Të kthehem në çështjen time, kur kam vendosur të përmendi vetëm dhjetë arsye të cilat lidhen me Muhamedin alejhis-selam. Sigurisht, këto nuk janë arsyet e vetme pse unë e dua këtë njeri të mrekullueshëm, por janë gjërat të cilat çdo herë kanë qenë me vlerë për ta shtuar edhe më shumë respektin dhe dashurinë time për të.
E para: Muhamedi alejhis-selam dhe humanizmi i tij
Gjithmonë ishte përplot mirësi. Ai buzëqeshi dhe dashuroi, qau dhe ndjeu dhimbje. Ai ecte, ishte në lëvizje, hante dhe pastrohej. Ishte i Dërguar i Zotit, por edhe njeri i thjeshtë; jo një engjëll, kështu që është e mundshme ta ndjekim dhe ta kemi si model.
Kur bëj ndonjë gabim, apo më kaplon ndonjë dembelizëm ose neglizhencë për të bërë vepra të mira, shembujt profetik janë ata që më ndihmojnë të kthehem përsëri në rrugën e vërtetë.
Them me vete: Ai ishte aq bujar dhe fisnik, vetëm që neve të na e lehtësojë. Rrugën nuk e pati të lehtë, por asnjëherë nuk hoqi dorë dhe nuk u ndal. Dhe mendoj në vete: Unë do të provoj përsëri dhe do të veproj mu ashtu siç ka vepruar ai, alejhis-selam.
E dyta: Muhamedi alejhis-selam prind
Dashuria e tij për bijën e vet, Fatimen radijallahu anha, gjithmonë më mrekullon. Në një shoqëri ku gruaja ishte e degraduar dhe refuzohej në çdo mënyrë, ai, Muhamedi alejhis-selam, ishte shumë i kujdesshëm me bijat e tij, e sidomos me Fatimen radijallahu anha. Ajo ishte më afër zemrës së tij. Kurdo që ajo shfaqej në ndonjë ndejë ose takim të tijin, asnjëherë nuk kishte kërkuar prej saj që të largohet, edhe pse ndodhte të ishte shumë i zënë ose po diskutonte për diçka shumë me rëndësi. Për më shumë, ngrihej në këmbë në shenjë resekti, i uronte mirëseardhje në mënyrën më të bukur dhe mbresëlënëse, dhe që ajo të mos ndihet keq ia puthte duart, e puthte në ballë dhe i bënte vend afër vetes.
E treta: Muhamedi alejhis-selam dhe besnikëria ndaj Hatixhes radijallahu anha
Mënyra se si ai e tregonte dashurinë e vet ndaj Hadixhes radijallahu anha edhe pas vdekjes së saj, paraqet në sytë e mi pasqyrimin e një përkushtimi të madh.
Gjatë jetës së tyre, ata jetuan në një shoqëri ku poligamia ishte shumë e pëlqyer dhe e dashur. Madje, as që ishte e njohur në atë kohë se sa mund të jetë numri i grave që mund t’i përkisnin një mashkulli. Por, edhe pse ajo ishte 25 vjet më e vjetër se ai, Profeti alejhis-selam nuk u martua me asnjë grua tjetër gjatë jetës së saj.
Ai e respektonte dhe e donte gruan e tij të dashur, Hatixhen radijall-llahu anha. Muhamedi alejhis-selam ishte mërzitur shumë kur ajo ndërroi jetë, saqë ditët pastaj u njohën si Viti i pikëllimit. Profeti alejhis-selam gjithmonë fliste për ditët e bukura të kaluara me të. Dhe, kur më vonë një ditë e takoi shoqen e saj, gjatë bisedës me të i kujtonin ditët që i kishin kaluar bashkë dhe në sytë e tij vërehej dashuria dhe mallëngjimi.
E katërta: Muhamedi alejhis-selam dhe durimi gjatë vdekjes së fëmijëve
Vdekja e fëmijëve të tij gjithmonë shkakton dhimbje në zemrën time. Ne mund të flasim dhe të shkruajmë shumë mbi pikëllimin, për lotin e Profetit Muhamed alejhis-selam, dhe për faktin se sa ai mërzitej kur i vdisnin fëmijët. Por, ta pyesim veten tonë sinqerisht, a e ndjejmë ne shpirtërisht atë gjendje?
Çdo herë e pyes veten, se si ai njeri i butë dhe i dashur duroi gjatë jetës së vet vdekjen e të gjithë fëmijëve të tij, përpos njërës vajzë, Fatimes radijallahu anha?
Sa herë pyetem, si do të ndjehej dikush tjetër që në moshën gjashtëdhjetë vjeçare i varros gjashtë fëmijët e tij njërin pas tjetrit?
Durimi i Profetit alejhis-selam asnjëherë nuk ka qenë në kundërshtim me dhimbjen dhe mërzinë. Kurse, mërzinë dhe dhimbjen më të madhe e përjetoi kur ndërroi jetë djali i tij Ibrahimi. E mbante atë fort në kraharorin e tij, mbi shtratin e tij, dhe qante. Lotët nuk i ndaleshin. Në ato momente ai shqiptoi vetëm një fjalë, e cila ishte e përzier mes durimit dhe mërzisë. Ajo është thënia e tij e njohur: “Zemra pikëllohet, syri loton; me të vërtëtë neve jemi shumë të pikëlluar me ndarjen tënde nga ne, o Ibrahim; mirëpo ne nuk themi asgjë e cila do ta mërziste Allahun e Madhërishëm”.
Ah çfarë mërzie! A ka fuqi njeriu, që në një rast të tillë, ta ndal lotin dhe kontrollojë pikëllimin? Shumë vështirë…
E pesta: Muhamedi alejhis-selam gjysh i kujdesshëm
Kjo ka mahnitur gjithmonë zemrën time! Kur mendoj se sa ai ishte i zënë me punë, me sa probleme të mëdha ballafaqohej, por, prap se prapë, kishte kohë dhe hapësirë që t’i dojë nipat e vet dhe t’ua shprehë dashurinë e madhe që kishte për ta.
Kur ta lexosh këtë që po shkruaj tani, hajde e më thuaj se e kam gabim për habinë time, kur në një ditë të xhuma, përderisa Muhamedi alejhis-selam ishte duke mbajtur fjalimin e tij para gjithë muslimanëve, dhe në ato moment shfaqet nipi i tij, ndërsa ai, Profeti alejhis-selam, pa ndier as mërzi e as lodhje, por me gëzimin më të madh, zbret nga minberi, e merr nipin në krah dhe ngjitet përsëri në minber. Këtë ngjarje, vërtet, nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar!
Fakti që ai mban nipin e vet në krahë gjatë fjalimit të xhumasë, kjo më habit më së shumti. Ndërsa ai ishte udhëheqësi shpirtëror, social dhe politik i një kombi!
Pyes veten, çfarë do të ndodhte me gjyshërit tanë, sikur nipat papritmas t’ua ndërpritnin ndonjë muhabet ose takim të tyre?!
E gjashta: Dhembshuria e sinqertë e Muhamedit alejhis-selam për të tjerët
Gjithmonë ndalem në shembujt ku paraqitet dhembshuria e tij për të tjerët. Në këtë aspekt do të veçoja rastin e Profetit Muhamed alejhis-selam me Umejrin.
Umejri i vogël mbante në duart e veta një shpezë të cilën e donte shumë dhe luante me të. Saherë që i Dërguari i Allahut e takonte Umejrin, e pyeste për gjendjen e kanarinës. Një ditë, Profeti alejhis-selam e takoi Umejrin dhe e pa duke qarë, ngase i kishte ngordhur kanarina. I Dërguari alejhis-selam u ndal para Umejrit, i ndërpreu të gjitha punët e veta dhe u ul pranë Umejrit që ta ngushëllojë për humbjen e shpendit. Mbeti një kohë gjatë me Umejrin, gjersa ai u qetësua.
Çfarë zemre kishte ai, të cilin nuk e pengonin obligimet e mëdha dhe takimet e rëndësishme që kishte, për të gjetur kohë që të ulët dhe ta ngushëllojë Umejrin e vogël për humbjen e shpendit. Umejri nuk e kishte humbur nënën, por thjesht një shpezë, megjithatë, kjo për Profetin alejhis-selam nuk ishte humbje kohe, sepse ai shumë mirë e kuptonte botën e fëmijës, dashurinë që kishte Umejri për kanarinën, dhe ndjenjat e tij për fatkeqësinë që e kishte kapluar.
E shtata: Muhamedi alejhis-selam, buzëqeshja dhe ndjenja e humorit
Këtë cilësi të tijën e dua veçanërisht shumë. Kjo ndoshta nga shkaku se edhe vet më pëlqen të bëj shaka dhe humor, që me humorin tim të përhap lumturi dhe relaksim tek ata që më rrethojnë.
Raca njerëzore gjithmonë përballet me dhimbje dhe pikëllim. Disa njerëz i trajtojnë shqetësimet e tyre të kësaj bote me lot, të tjerët ankohen vazhdimisht dhe nuk pranojnë caktimin e Allahut Fuqiplotë, kurse të tretët, edhe më çuditshëm, i hidhërohen gjithë botës. Profeti alejhis-selam kurrë nuk ka vepruar kështu. Ai u ballafaqua me sprovat më të mëdha të jetës, ishte jetim dhe i varfër, humbi gjyshin, axhën dhe gruan më të dashur, Hatixhen radijallahu anha. E mos të përmendim të gjitha vuajtjet dhe sprovat në misionin e tij të përhapjes së Fjalës së Zotit dhe përcjelljes së Shpalljes. Megjithatë, ai kurrë nuk u zemërua me pjesën tjetër të jetës, dhe asnjëherë nuk ankua për atë që Allahu kishte caktuar për të.
Muhamedi alejhis-selam ishte i thjeshtë dhe e ruante buzëqeshjen. Ai vazhdoi të kujdeset për të tjerët, pavarësisht sprovave nëpër të cilat kaloi.
Unë sinqerisht lutem që të kem forcë që ta përcjelli të Dërguarin alejhis-selam në secilën sjellje të tij, por nuk jam i sigurt nëse mund ta bëj këtë në mënyrën më të mirë.
E teta: Muhamedi alejhis-selam si një rob i Zotit dhe shërbyes në rrugën e Tij
Muhamedi alejhis-selam është shembulli më i mirë se si duhet të jesh një besimtar i vërtetë dhe shërbyes në rrugën e Allahut. Kushdo që e kërkon këtë, duhet ta merr Muhamedin alejhis-selam për shembull. Të shumtën e ditëve ai i kalonte në agjërim, kurse natën në lutje dhe adhurim. Dhe gjithë këtë e bënte me vetëm një qëllim: që Allahu të jetë i kënaqur me të.
Kishte nga shokët e tij që i kërkonin t’ua lejojë që ditët t’i kalojnë në agjërim, kurse netët në lutje të gjata, duke u larguar nga gjumi. Bile ata ishin të gatshëm edhe mos të martohen, ose të martuarit të largohen nga jeta bashkëshortore. Por Profeti Muhamed alejhis-selam nuk i pranoi kërkesat e tyre. Ai u tha: “Unë agjëroj, por edhe ushqehem; kaloj një pjesë të natës në adhurim, por edhe flej; martohem dhe shijoj bukurinë e jetës bashkëshortore”.
Nëse duam të bëjmë mirë, unë mendoj se kjo është shumë e lehtë, sepse, thjeshtë, vetëm duhet të ndjekim rrugën dhe traditën e Muhamedit alejhis-selam. Shembull i vetëmohimit nuk janë qëndrimet ekstreme johumane të mbajtura nga priftërinjtë, ato nuk janë të pranueshme dhe të drejta për njerëzimin. Çdo person, qoftë burrë ose grua, mund ta ndjek Muhamedin alejhis-selam dhe në të njëjtën kohë të jetë një besimtar i mirë dhe njeri i drejtë.
E nënta: Muhamedi alejhis-selam i butë dhe i mëshirshëm ndaj kafshëve
Përsëri, diçka që është specifike për Muhamedin alejhis-selam dhe që më prek në zemër, është butësia dhe mëshira e tij për kafshët. Qëndrimi tij ndaj kafshëve ishte sikur ato të ishin pjesë e pandashme e shoqërisë, ashtu siç vepronte edhe me njerëzit. Në një rast, përderisa ishin duke udhëtuar, shokët e tij i kapën dy zogj të vegjël. Në atë moment, nëna e zogjëve fluturonte mbi kokat e tyre. Kur Muhamedi alejhis-selam e vërejti këtë, reagoi menjëherë dhe pyeti se kush bëri diçka që të lëndojë nënën e zogjëve duke ia marrë të vegjëlit e saj?! Dhe urdhëroi që menjëherë zogjtë të kthehen pranë nënës së tyre.
Ai e shihte kafshën si një krijesë me emocione. Për këtë arsye edhe ndaloi që kafsha të theret në prani të kafshëve tjera. Profeti alejhis-selam urdhëroi që, kur të theret kafsha, kjo të bëhet shpejt dhe me një thikë të mprehtë mirë, duke larguar kafshët tjera të gjalla prej atij vendi, në mënyrë që ato të mos ndjejnë frikë dhe panik.
Ai tha se gjuetia dhe therja e kafshëve duhet të përdoret vetëm për ndonjë nevojë dhe për t’u ushqyer, dhe e ndaloi që kafsha e pafajshme të merret për objektiv në qitje ose për gjueti.
Muhamedi alejhis-selam ishte Profet i cili kujdesej për kafshët, për gjendjen e tyre mendore dhe emocionale, dhe asnjëherë nuk i shikonte ato si krijesa pa ndjenja.
Prandaj, kush e do Profetin Muhamed alejhis-selam, le ta dojë butësinë e urtësinë, dhe le ta urrejë ashpërsinë e vrazhdësinë, sepse ai, alejhis-selami, ishte i butë dhe urrente ashpërsinë në çdo gjë. Ai thoshte: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni. Përgëzoni dhe mos frikësoni”.
E dhjeta: Muhamed alejhis-selam dhe dashuria ndaj Aishes radijallahu anha
Gjëja e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është dashuria e tij e madhe ndaj bashkëshortes së tij, Aishes radijallahu anha, e cila po ashtu më befason mua. Sinqerisht, unë mendoj se kjo është marrëdhënia më romantike dhe më e ngrohtë se çdo histori tjetër dashurie që përmendet në historinë e letërsisë botërore. Ky është realiteti!
Shumë histori të tilla janë vetëm novela, tregime të shkurtëra dhe të thjeshta. Por dashuria mes Muhamedit alejhis-selam dhe Aishes radijallahu anha është një dashuri e vërtetë dhe reale. Ata e jetësuan atë dashuri, e ushqyen dhe praktikuan në jetën e tyre të përditshme. Muhamedi alejhis-selam e donte Aishen radijallahu anha dhe ishte i vëmendshëm për të, kurse edhe ajo i përgjigjej atij në të njëjtën mënyrë.
Ajo është si çdo një grua tjetër normale. Ishte xheloze, sikur dhe është vërtetuar. Gjithashtu, edhe Muhamedi alejhis-selam ishte xheloz, sikur çdo njeri normal, gjë që po ashtu është treguar. Ata ishin njerëz të thjeshtë në dashurinë e tyre, e jo engjëj.
Gjithmonë më kujtohet mënyra kur Profeti alejhis-selam pinte ujë pas saj, ndërsa unë ndalem, mbetem pa fjalë dhe buzëqeshi me këtë zakon të tij. Kur ajo pinte ujë dhe përfundonte, ai do të kërkonte pjesën ku ajo kishte vënduar buzët. Pastaj pinte nga i njëjti vend ku kishin qenë të vënduara buzët e saj. Ai thjesht kënaqej me atë që ajo i ofronte.
Megjithatë, përkundër dashurisë që kishte ndaj Aishes radijallahu anha, ai asnjëherë nuk i linte obligimet që i kishte si Profet i Zotit. Largohej nga shtrati dhe kërkonte lejën e saj që të kryejë adhurimet ndaj Allahut. Butësisht i kërkonte leje të kalojë disa çaste me Zotin e vet, kurse ajo me shumë ngrohtësi dhe butës i përgjigjej duke e lejuar.
Ata e ruanin dashurinë e tyre në çdo kohë dhe moment. Historia e dashurisë së tyre zgjati derisa Profeti alejhis-selam ndërroi jetë.
Unë kam mbetur pa fjalë dhe më rrëqethet zemra nga ndodhia e vdekjes së Muhamedit alejhis-selam. Kjo ishte kur ai zgjodhi dhomën e saj për të kaluar në botën tjetër. Ai vendosi të shkojë tek ajo kur ndjeu se vdekja i është afruar. Në momentin e dhëniës së shpirtit, ai vendosi kokën e vet në mes të duarve të saj dhe ndërroi jetë, kurse përqafimi i saj ishte gjëja e fundit përmes të cilës u takuan në këtë botë.
Të dashur lexues!
Pavarësisht nga çdo gjë e thënë deri më tani, e gjithë kjo është shumë pak dashuri për njeriun që meriton shumë më shumë! Në asnjë mënyrë nuk mund të them se jam i kënaqur nga ajo që kam bërë dhe vazhdoj të bëj për Muhamedin alejhis-selam!
Megjithatë, u mundova të përmbledh me disa rreshta atë çfarë desha të them. U kërkua të shkruaj dhjetë arsye, dhe e bëra këtë. E di që kjo është pak për njeriun i cili meriton qindra arsye për t’u numëruar se pse duhet ta ndjekim dhe ta duam. Historia ka shkruar me mijëra libra për këtë njeri të madh. Në këtë drejtim, ai është një njeriu që më së paku ka nevojë për shkrimin tim. Unë jam ai që kam nevojë të shkruaj për të, për njeriun që ma tregoi rrugën e shpëtimit në këtë botë dhe botën tjëtër.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty, i dashuri Profet Muhamed alejhis-selam!
admin
11 years ago
previous article
Me sukes u realizua debati shkencor “Ta njohim Muhamedin a.s.”
next article
“Së bashku për fëmijët e Sirisë”
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago