DOSJE FUSHA E LLUKOVËS DHE URA E BOSHKUT: A janë Maqedonia dhe Shqipëria një hap para konfliktit ndërshtetëror?
Projektet mega-energjetike për ndërtimin e hidrocentraleve Ura e Boshkut dhe Fusha e Llukovës – po problematizohen. Ndërtimi i këtyre akumulimeve arriti edhe në faqet e “Spiegel”-it gjerman. Ekologjistët mobilizohen, pushteti në Shqipëri thotë se nuk do të lejojnë ndërtim përgjatë rrjedhës së lumit Radika pa pëlqimin e tyre, biznesmenët kërkojnë menjëherë të fillojnë aktivitetet ndërtimore, ndërsa qeveria premton se gjatë ndërtimit do të respektohen të gjitha standardet ndërkombëtare ekologjike. Projektet që duheshte të shënojnë fillimin e investimeve kryesore në energjetikë – po problematizohen në nivel ndërkombëtar.
“Për” dhe “Kundër” projekteve energjetike –problemi arriti edhe në faqet e “Spiegel”-it gjerman
“Pjesa më e madhe e vendeve ballkanike u futën në krizë. E atje ku nuk ka para, mbrojtja e mjedisit jetësor, shpeshherë është në ulësen e pasme” – shkruan autori i tekstit “Beteja hidroenergjetike: Pendat janë kërcënim për lumenjtë e fundit të egër evropianë”.
Pasi ekologjistët e vendit, me përkrahjen e kolegëve ndërkombëtarë dhe me letrën që ia dërguan kryeministrit Nikolla Gruevski theksuan se ndërtimi i akumulimeve në Parkun nacional të Mavrovës mund të jenë shkatërrues për mjedisin jetësor, projekti u problematizua edhe jashtë kufinjve.
“Spiegel”-i gjerman duke i përjcellë deklaratat e financuesit të “Urës së Boshkut” – BERZH-it, vlerëson se si duket, investitorëve ndërkombëtarë kjo nuk u intereson aq shumë.
“Asnjëra nga studimet gjithëpërfshirëse dhe mbikëqyrja plotësuese që u bë nuk sugjeroi se projekti do të ndikojë në statusin nacional të parkut ‘Mavrova’” – shkruante në njoftimin e BERZH-it. Edhe nga kompania energjetike ELEM, poashtu, zgjodhën një ton qetësues, duke theksuar se projekti nuk do ta rrezikojë llojllojshmërinë.” – shkruan “Spiegel”.
Por, poashtu përcjell edhe porosi se pasojat nga ndërtimi mund ta rrezikojnë statusin aktual të Parkut nacional.
“Presioni ndërkombëta po rritet. Unioni ndërkombltar për mbrojtjen e natyrës (IUCN ) miratoi një rezolutë me të cilën kërkohet që projekti për pendën në Mavrovë të anulohet. Edhe javën e kaluar, disa qindra hulumtues evropianë, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari natyror gjerman, Ernst Ulrih Veizsacker, i apeloi drejtpërdrejt Bankës Botërore dhe EBOR-it, në përpjekje të ndërpritet financimi i pendës në Mavrovë. “Ne jemi të habitur me faktin që institucionet tuaja u pajtuan t’i përkrahin këto projekte” – shkruan në letrën e hapur. Projektet e minuan vetë idenë e parqeve nacionale dhe paraqesin shkelje të legjislacionit të BE-së” – shkruan “Spiegel”.
Banka Botërore në korrik do ta thotë fjalën e fundit se a do ta përkrahë financiarisht projektin “Fusha e Llukovës”.
Ekologjistët e vendit publikuan një hulumtim sipas të cilit me paratë që janë planifikuar për ndërtimin e projekteve “Ura e Boshkut” dhe “Fusha e Llukovës” mund zëvendësohen plotësisht dy blloqe të vjetëruara të termoelektranës “REK Bitolla”. Si alternativë e dytë, ekologjistët konsiderojnë se duhet të ndërtohen hidrocentralet “Çebren” dhe “Galishte”.
“Përdorimin përfundimtar të energjisë që do ta prodhonin “Ura e Boshkut” dhe “Fusha e Llukovës”, për të cilën gjë do të shkatërrohej parku nacional “Mavrovë” nuk do ta kem unë si qytetar, e poashtu, as që do të ma zgjidhë edhe problemin me furnizimin me energji, atë me të cilën ne kemi problem.“ – vlerëson Aleksandra Bujarovska nga shoqata “Fronti 21/42”.
Nga çështja ekologjike – në çështje politike?
Ajo që sipas njohësve të kësaj problematike mund seriozisht ta problematizojë gjithë projektin energjetik është porosia që Tirana zyrtare ia dërgoi Shkupit, duke pasur parasysh faktin se ndërtimi nuk është i mundur pa pëlqimin e Shqipërisë.
Së pari, ministri për punë të jashtme i Shqipërisë, Dimitri Bushati, në takimin e paradokohshëm me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në Pogradec, kërkoi nga autoritetet maqedonase ta marrin parasysh qëndrimin e dibranëve gjatë ndërtimit eventual të projektit “Fusha e Llukovës”, të cilët janë decidë se nuk e duan këtë projekt.
Çështja, që tashmë mori dimension “ndërshtetëror” u hap edhe në takimin e ministrave për ekonomi dhe ekologji, Valon Saraqini dhe Abdilaqim Ademi.
“Në lidhje me projektin ideor “Fusha e Llukovës” nuk do të ndërmarrim asnjë hap pa u konsultuar me fqinjët, për shkak se kështu është paraparë edhe në konventat ndërkombëtare. Projekti do të jetë krejtësisht transparent” – deklaroi ministri Ademi.
Sipas disa informatave, mu këto projekte energjetike, të cila duheshte të jenë një nga atutë kryesore investuese të pushtetit në vitin 2014 – mund të jetë edhe uvertyrë për problemet në martesën politike ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Partia e Ali Ahmetit porosit se pa pëlqimin e qytetarëve – projektet nuk do të realizohen. Mirëpo, kryeministri Nikolla Gruevski pa dyshim porositi se ndërtimi më në fund do të fillojë.
“Vendimi për ndërtimin e “Fushës së Llukovës” do të varet nga studimi i fizibilitetit, por përparësi do të kenë interesat e qytetarëve të rajonit” – deklaroi Bujar Osmani, zëdhënësi i partisë së koalicionit qeveritar, BDI.
Në ndërkohë, në Tiranë u krijua një lëvizje qytetare e quajtur “Aleanca kundër devijimit të Radikës”, e cila paralajmëroi mobilizim të mëtutjeshëm për të bërë presion mbi qeverinë shqiptare që ta ndalë këtë projekt.
Investime prej 170 milionë eurosh – cilat janë argumentet e qeverisë?
Paradokohësh kryeministri Nikolla Gruevski publikoi se projekti për Urën e Boshkut do të fillojë këtë vit. Në pako me Fushën e Llukovës, qeveria thotë se këto do të jenë projekte me rëndësi strategjike për ekonominë.
Sipas planit, në projektin “Fusha e Llukovës” do të investohen mjete financiare në lartësi prej gjithsej 62 milionë eurosh, nga të cilat 50 deri në 55 milionë euro, në formë të kredisë që është siguruar nga Banka Botërore ndërsa pjesa tjetër nga Elektranat e Maqedonisë. Аkumulimi do të sigurojë mbledhje të ujit nga zona e Korabit për prodhimin edhe të 125 gigavat – orë rrymë elektrike nga hidrocentralet e Mavrovës. Ndërtimi duheshte të fillojë që në vitin 2012.
Investimi për ndërtimin e “Urës së Boshkut” vlerësohet në 107 milionë euro. Konstruksioni financiar prej 65 milionë eurosh është siguruar nëpërmjet Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim, ndërsa pjesën tjetër prej 42 milionë eurosh do ta sigurojë ELEM-i. Edhe ky akumulim, që është planifikuar të ndërtohet në parkun nacional “Mavrovë”, në vit duhet prodhojë 126 gigavat – orë energji elektrike. HC “Ura e Boshkut” do të jetë e vendosur në afërsi të Dibrës, ku do të përfshihen ujërat e lumit “Malla Reka” dhe degët e tij. Është paraparë edhe ndërtimi i pendës me lartësi prej 33 metrash dhe akumulim prej 900 mijë metër kub ujë. Fuqia e saj e instaluar do të jetë 68,2 megavatë, me prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 117,54 gigavat orë. Edhe ndërtimi i këtij kapaciteti ishte planifikuar për vitin 2012.
Organet kompetente mohojnë se projektet do të jenë kërcënim për mjedisin jetësor.
“Dëshiroj t’u dërgoj porosi njerëzve që jetojnë në këtë rreth të jenë të qetë se kjo qeveri nuk bën asnjë projekt që do t’u bëjë dëm qytetarëve dhe mjedisit jetësor dhe asnjëherë nuk ka punuar në atë mënyrë deri tani. Dhe duhet ta dijnë se ne qëndrojmë prapa tyre, e jo ta spekulues të cilët duan që nga ky projekt të nxjerrin ndonjë përfitim politik dhe i nxisin të besojnë se me këtë projekt do të bëhet ndonjë dëm”, deklaroi kryeministri Gruevski.
Në ndërkohë, Banka Botërore duhet ta përfundojë Studimin për vlerësimin e ndikemeve mbi mjedisin jetësor dhe aspektet sociale nga ana e qeverisë. Nëpërmjet revizionit të procedurës me të cilën është miratuar kredija nga BERZH-i për “Urën e Boshkut” paradokohësh u konstatua janë shkelur një pjesë e rregullave. Konstatimet nga ky raport duhet të jenë gati së shpejti, dhe prej tyre varet edhe fati i mëtutjeshëm financiar i projektit.
/Portalb/