Nxënësit dhe profesorët e shkollës së mesme ekonomike nga Gostivari të cilët dje me simptoma të helmimit nga gazi janë hospitalizuar në Klinikën për toksikologji në Shkup janë në gjendje shëndetësore stabile, ndërsa tetë nga gjithsej 14 janë lëshuar nga Klinika gjatë natës.

 

-Kemi disa rezultate të caktuara të cilat te të gjithë janë absolutisht në kufirin e vlerave referente ose negative, presim akoma rezultate nga analizat toksikologjike dhe prandaj nuk mundemi t’u themi të shkojnë në shtëpi. Por në ndërkohë, pacientët vetë shkojnë me nënshkrim. Gjashtë pacientët të cilët kanë mbetur, gjithashtu, janë në gjendje të mirë dhe me padurim presin të shkojnë, deklaroi sot në mëngjes për MIA-n dr. Andon Çibishev, drejtor i Klinikës për toksikologji.

Pacientët dje janë ankuar nga simptoma të helmimit nga gazi, djegie të syve, gërvishtje në fyt dhe probleme me frymëmarrjen. Disa nga të hospitalizuarit nuk i kanë pasur këto simptoma kur kanë ardhur në Klinikë, ndërsa janë ndalur për kujdes dhe për mbikëqyrje. Pacientët mbrëmë i vizitoi edhe kryeministri, Nikolla Gruevski.

Duhet të përcaktohet nëse helmimi është nga gazi. -Do ta lëmë fillimisht t’i shohim analizat toksikologjike, që është në domenin tonë, ndërsa pjesën tjetër ua lëmë institucioneve të tjera që të shohin se për çfarë bëhet fjalë. Për ne më e rëndësishme është që pacientët të jenë mirë, të mos kemi përkeqësime dhe persona të cilët rrezikojnë jetën, tha dr. Çibishiev.